Një realitet i pranueshëm
Tashmë kjo nuk është një pyetje e cila jo vetëm e ka përgjigjen brenda saj, por një realitet i pranueshëm nga të gjithë. Shoqëria njerëzore jeton në një kohë të trazuar plot mëkate e krime. Kudo rrëmujë… Njerëz që vuajnë nga uria… Fëmijë endacakë… Gjakmarrja… Dhuna… Vjedhja… Urrejtja… Luftra… Krime brenda familjes… Aborte dhe divorce… Ligjet e të bukurës nuk njihen. Njerëzit kanë humbur modelin e mirë të vëllazërisë. Në emër të modernizmit funksionet tradicionale të familjes i marrin përsipër institucionet e reja si kopshti, azili i pleqve, shtëpitë e strehimit etj. Autoriteti i nënës dhe i babait është dobësuar. Rinia përdridhet nën tingujt e muzikës së shfrenuar dhe të shumë gotave të alkoolit. Te këta ka filluar të sundojë hipokrizia, pavarësia, urrehet e mira, ndërsa e keqja kërkohet në tokë e në qiell. Iu përvesha kësaj pune duke dashur të tregoj sa më shkurt pse njerëzimi sot ka nevojë më shumë se kurrë për Kur’anin.
Për këtë libër që është unik mes shpalljeve të tjera hyjnore, i cili dallohet për vërtetësinë dhe saktësinë e përmbajtjes së tij. Vargjet e tij janë recituar me dashuri qysh prej shekullit të shtatë kur ky libër iu shpall Muhamedit a.s., si shpallja e fundit hyjnore, e vazhdon deri sot në shekullin tonë, i cili konsiderohet shekull i arsimit mendor, fjala e Kur’anit duket se zgjerohet dhe jep kuptim të ri. Ai lexohet ëmbëlsisht nga miliona njerëz anekënd botës dhe sa herë që dija me përpjekjet e veta bën evolucion në zhvillimin e jetës, ajo gjen mbështetje në thëniet e Kur’anit dhe thëniet e tij duket se përtërihen gjatë shekujve për çdo gjeneratë.E kështu do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit. Shoqëria njerëzore gjen brenda në Kur’an mesazhin e Krijuesit, i cili e udhëzon njerëzimin se si të gjejë rrugën e drejtë e të shpëtimit. Kur’ani i nxit të gjithë njerëzit, femra e meshkuj, që të kërkojnë diturinë e dobishme, të dallojnë të mirën nga e keqja, të punojnë e të fitojnë me djersën e ballit. Njerëzimi ka nevojë për Kur’anin sepse ai duhet të përsosë karakterin e tij dhe të bëjë çka është e drejtë dhe më e mira prej mundësive të tij. Të gjithë e kemi nga një libër Kur’ani në shtëpitë tona. Por me sa duket ai ka zënë pluhur ngase ne s’e kemi prekur me dorë. Sa keq! Ne harxhojmë orë të tëra duke shikuar telenovela e lloj lloj emisionesh pa vlerë, dhe Kur’anin që është një mrekulli e përjetshme, sepse është atribut i Zotit të përjetshëm, nuk e shfletojmë një herë.
Rinia jonë e mrekullueshme duhet ta ketë Kur’anin program orientimi. Rinia duhet të mbajë mend një gjë, mos ta harrojë se “jeta është një libër, kapakët e të cilit janë lindja dhe vdekja. Fletët e tij janë ditët. Në atë libër shkruhen punët e mira për të cilat njeriu shpërblehet ose punët e këqija për të cilat ai ndëshkohet”.
Duke qenë se Kur’ani është një libër fetar e edukativ, që kultivon dashuri dhe mbjell frymë paqeje ndër njerëz, të rinjtë dhe të rejat myslimane duhet të jetojnë me të sepse ai është fjalë e Zotit, ai është udhërrëfyes për të gjithë ata të cilët iu përmbahen këshillave dhe mësimeve të tij. Mesazhi kryesor i Kur’anit është thirrja e njerëzve që të kthehen tek Zoti i tyre, tek Ai që jep jetë dhe me zemër të pastër t’i nënshtrohen vetëm Atij. Vetëm duke zbatuar mësimet e Kur’anit njeriu korrigjohet dhe harmonizon sjelljet dhe veprat e tij dhe i vë në shërbim për të mirën individuale dhe shoqërore. Në Kur’an njeriu do të gjejë se besimi dhe vlerësimi i së mirës janë cilësi të natyrës njerëzore, se njeriu për njeriun nuk është ujk.
Kur’ani na tregon se çfarë është dashuria, bukuria, e keqja, feja, frika e virtyti. Aty do të gjejmë dispozita të mjaftueshme se si të rregullojmë moralin dhe marrëdhëniet në mes njerëzve, të drejtën e pacenueshme për jetë, për liri, për punë, të drejtat për të gëzuar të mirat materiale e shpirtërore. Sprova e jetës kërkon që njeriu të bëjë më të mirën prej asaj që mundet dhe t’i rezistojë së keqes që e rrethon. Nuk duhet harruar se shpërblimi në jetën tjetër do të jepet në përputhje me përpjekjet që çdonjëri prej nesh ka bërë në këtë jetë. Koha në të cilën jetojmë është e turbullt, plot të papritura.
Ndaj t’i kthehemi Kur’anit sepse ai është libër që e mahnit lexuesin, i çudit shkencëtarët dhe i fut në mendime mendimtarët. Ai u tregon njerëzve se me çfarë detyrash fetare janë të obliguar ata, se si t’i këpusin lidhjet me njerëzit e kësaj bote dhe të lidhen me Zotin e botëve. Të kthehemi tek Kur’ani, të ndjekim atë rrugë që ndriçohet prej tij, sepse ai ka ardhur me mision për të qenë i vetmi ilaç për t’u shëruar. Ai është e vetmja strehë ku njerëzit do gjejnë shpëtim.
Shkruan: Fiqiret Sula
Burimi:Breziiri.
0 comments:
Post a Comment