Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë kundërshtuar privatizimin e ndërmarrjeve publike duke u kërkuar zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që në vend të shitjes së pasurisë publike të shesin veturat e tyre. Këto kërkesa ata i kanë shkruar në veturën zyrtare të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe zëvendësministrit të tij.
Adonis Tahiri, aktivist në VV-së, tha se luksi i pushtetarëve po rritet çdo ditë derisa qytetarët po varfërohen. Sipas tij 75 për qind të aksioneve të PTK-së i janë shitur një fondi investiv vlera e aseteve të të cilës ka vlerën e një shtëpie në kryeqytet.
“75 për qind të aksioneve të PTK-së ose më saktë me thënë pjesa fitimprurëse e PTK-së u shit për 244 milionë euro. Atë e mori Axcos-i, një fond investiv të cilit nuk i dihet as pronari e as burimi i të ardhurave. Krejt ajo që dihet për Axcos-in e që e bënë edhe më skandaloz këtë transaksion është fakti se i ka vetëm 2 punëtorë dhe vetëm 150 mijë euro vlerë të aseteve aq sa mund të kushtojë një shtëpi në cilëndo lagje të Prishtinës”, ka thënë Tahiri, transmeton KP.
Vetëvendosje ka paraqitur një plan për Trepçën, për të cilën sipas tyre po ndiqet procedura e njëjtë. Aktivisti Tahiri ka thënë se nëse 200 milionë euro do të investoheshin në Trepçë do të hapeshin rreth 10 mijë vende pune.
“Në rast se do të investoheshin 200 milionë euro në Trepçë aty mund të punësoheshin rreth 10 mijë punëtorë, disa në Trepçë e disa në sektorë të tjerë që merren me xehet dhe me industrinë. Por, ky investim nuk pritet të bëhet nga këta për shkak se qëllimi kryesor i tyre nuk është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i shtetit por është rritja e luksit të tyre dhe shkatërrimi i ndërmarrjeve publike deri në privatizim”, tha ai.
Gjatë kohës së shkrimit të parullave në veturat e zyrtarëve qeveritarë, këta aktivistë janë penguar nga pjesëtar të sigurimit të hotelit “Grand”, në parkingun e të cilit ishin veturat, për shkak të punimeve në sheshin “Zahir Pajaziti” ku edhe ndodhet selia e MZHE-së. -->
0 comments:
Post a Comment