Tuesday, June 4, 2013

‘Jap 100 euro, më gjeni një biletë!’

Shqiptari nga Italia

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë të kishte kaq kërkesa për të parë ndeshjen e Kombëtares së Shqipërisë në futboll, aq më tepër përballë një kundërshtari të tillë si Norvegjia. Kërkesat më të mëdha (flasim pas. viteve ’90), kanë qenë për ndeshjen me Greqinë, ku bileta arriti deri në 150 mijë lekë, disi më pak në ndeshjen me Anglinë, ndërsa për 7 qershorin 2013 po arrin kulmin. Ende pa dalë biletat në treg, njerëz të ndryshëm ofrojnë 100 euro për të siguruar një biletë, qoftë në tribunë, përkarshi apo pranë përkarshisë (kushton vetëm 2 mijë lekë të reja kjo e fundit). “Jam një shqiptar në Itali, të jap 100 euro nëse më siguron një biletë”. Ishin këto fjalët e një emigranti, i cili shkruante në rrjetin social “Facebook” haptas, që do të thotë që ende pa dalë biletat në treg, çmimi në tregun e zi do t’i jetë i kripur. Duke qenë se është edhe kohë fushate, shumë politikanë dhe biznesmenë janë gati të paguajnë edhe më shumë për të siguruar një vend në ndeshjen kundër Norvegjisë,TRANSMETON BW.
KËRKESAT
Stadiumi “Qemal Stafa” ka një kapacitet prej 16.900 vendesh (zyrtare). Sipas FSHF-së, 10 mijë bileta janë prenotuar online ose përmes kërkesave të ardhura nga individë apo institucione të ndryshme, shtetërore dhe private. Nga këto, 300 vende janë për tifozët miq, të paktën kaq deklaruan ata. 700 janë zyrtarë të institucioneve të ndryshme, ministri, drejtori, gjykatë, prokurori, deri tek ambasadat. Pjesa tjetër, pra rreth 7 mijë bileta do të hidhen në treg sot. Duke qenë një numër kaq i limituar biletash, pritet një dyndje sot në sportelet e stadiumit “Qemal Stafa”. “Arsyeja kryesore se përse nuk kanë dalë biletat në treg është se kemi dashur të mbrojmë publikun dhe tifozët nga tregu i zi. Shkurtimi i kohës së daljes së biletave në treg kufizon mundësinë për blerje dhe rishitje apo falsifikime të mundshme. Mendoj se do të jemi në gjendje të vëmë në shitje gjysmën e vendeve të stadiumit, ndërsa pjesa tjetër është e prenotuar”, – deklaroi Gazmend Malo, drejtor i marketingut në FSHF.
TREGU I ZI
Edhe pse federata ka menduar të shmangë në maksimum abuzimet, çmimi i biletave ka qenë disi i kripur. Duke parë interesimin e madh, nuk mund të shmanget tregu i zi, ku që dje njerëz të ndryshëm kanë afruar 100 euro, pavarësisht se ku do të jetë vendi (përjashto anësoret). Në tribunë kushton 8 mijë lekë të reja, anash tribunës qendrore kushton 5 mijë. Por kujtojmë që bëhet fjalë për 900 vende. “Në krahasim me ndeshjet e tjera kemi kërkesa të shumta nga politikanë dhe anëtarë të lartë të qeverisë e administratës. Pjesa më e madhe e tribunës do të jetë e mbushur me njerëz të këtyre rangjeve”, – shtoi Malo, ndërsa përkarshi ka 2 çmime, 3 mijë lekë në qendër dhe 2 mijë anash. Një ditë më parë ka qenë pesëfish kërkesa, ditën e ndeshjes ky çmim parashikohet edhe më shumë, kur mendohet të vijnë emigrantë apo tifozë nga Kosova.

-->

0 comments:

Post a Comment