Kosova dëshiron të jetë pjesë e komunitetit botëror të demokracive të tregut të lirë. Për Kosovën dhe Serbinë, perspektiva e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe institucionet e tjera perëndimore është nxitje dhe frymëzim për pajtim dhe reformë. Kështu ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi në një ligjëratë që ka mbajtur sot në Universitetin ‘John Hopkins’, me temën “Mundësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas Normalizimit”, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në SHBA.
“Marrëveshja jonë nënkupton se as Serbia e as Kosova nuk do të pengojnë - ose inkurajojnë të tjerët të pengojnë – progresin e njëra-tjetrës drejt integrimit në BE. Derisa ne lëvizim përpara drejt paqes me Serbinë dhe pjesëmarrje në BE, ekonomia jonë ofron mundësi për popullin tonë dhe për investitorët e huaj. Ne duhet të tejkalojmë pengesa historike”, ka theksuar Thaçi.
Në emër të popullit të Kosovës, kryeministri Thaçi i ka shprehur mirënjohjen popullit amerikan “për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për të ndihmuar vendin tonë që të arrijmë pavarësinë e vendit tonë, të bëjmë paqe me fqinjët tanë si dhe të ndërtojmë të ardhmen tone”.
“Ne, nuk do të mund të kishim ardhur deri këtu, pa përpjekjet paqeruajtëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së, të cilat kanë kontribuar me dhjetëra mijëra trupa në fushatën e Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.
“Qytetarët e Kosovës iu janë shumë mirënjohës amerikanëve, dhe ekonomia jonë është e hapur për ju. Kosova po ndërton një demokraci të fuqishme, një ekonomi të tregut të lirë, prandaj duam që ju të jeni pjesë e saj. Por, së pari, unë dua të flas rreth asaj se si arritëm në këtë moment historik dhe çfarë do të thotë për njerëzit në botë të cilët aktualisht janë të përfshirë në konflikte të vjetra, të cilat, në shikim të parë, mund te duken të pazgjidhshme”, ka thënë Thaçi në ligjëratën e mbajtur në Universitetin ‘John Hopkins’, ku ka folur për rrugën e vështirë nëpër të cilën ka kaluar Kosova deri te çlirimi, fazën e shtetndërtimit që po kalon dhe për mundësitë që ofron për investime. -->
0 comments:
Post a Comment