Si pasojë e shpërthimit të një gypi rreth 40 për qind e banorëve të Prishtinës dhe sipas të gjitha gjasave, deri në normalizimin e furnizimit me ujë të pijshëm duhet pritur edhe 48 orë.
Sipas Ujësjellësit rajonal “Prishtina” edhe kjo zgjidhje do të jetë e përkohshme, pasi për arsye të shembjes së dheut nuk ka mundësi të vendosen gypa të fortë dhe afatgjatë.
Ujë nuk ka në Lagjen e Muhaxherëve, në Ulpianë, në një pjesë të Dardanisë, Veternik, etj. Gypi ka shpërthyer nga shembja e dheut në lagjen e Muhaxherëve, në rrugën “Lordi Bajron” të Prishtinës. Sipas Policisë së Kosovës, tash për tash furnizimi i banorëve po bëhet me autocisterna. Punëtorët e Ujësjellësit po bëjnë përpjekje për ta rregulluar gypin, por sipas paralajmërimeve, për normalizimin në furnizim me ujë të pijshëm nevojiten dy ditë, raporton KTV-ja.
Shembja e dheut ka vënë në rrezik banorët, të cilët me urdhër të policisë edhe janë evakuuar. Zyrtarë të ujësjellësit për këtë gjendje të krijuar ia kanë hedhur fajin punëkryerësit të një ndërtese të re, e cila sapo ka nisur themelet, gjë për të cilën kanë bërë edhe ankesë në organet kompetente. Ndërsa, bashkë me punëtorët e ujësjellësit, të cilët po mundohen ta rregullojnë gypin në mënyrë që kryeqytetasit të furnizohen me ujë të pijshëm, ka qëndruar edhe Policia e Kosovës.
Banorët kanë vazhduar të kritikojnë kompaninë ndërtuese dhe Komunën për dhënien e lejes. Asnjë nga pronarët e kompanisë që ka hapur këtë gropë gjigante, e cila është bërë shkas i shembjes së dheut, nuk ishte në vendngjarje.
Ndërtesa ka edhe lejen e Komunës, e cila në një komunikatë është arsyetuar se si pasojë e shpërthimit të gypit të ujësjellësit ishte shembur murit mbrojtës.
-->
0 comments:
Post a Comment