Thursday, June 20, 2013

Lulzim Peci: Dola me pi kafe, e Thaçi më kritikoi!

Ish zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Serbi, Lulzim Peci, ka thënë se arsyet e dorëheqjes së tij nga ky post janë ato që ia kishte thënë të mërkurën presidentes Atifete Jahjaga.


“Jam kritikuar nga Thaçi për deklaratën e dhënë në Klan Kosova, se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi arrihet kur Serbia e njeh Kosovën”, ka thënë Peci në emisionin Interaktiv të KTV-së, duke shtuar se deklarimet në media i ka bërë sipas udhëzimeve të kabinetit të kryeministrit, për të dhënë sqarimet për aranzhmanet ndërlidhëse.
Sipas tij, ai të hënën kishte arritur në Beograd në ora 11:30, ku është takuar me zyrtarët e BE-së në Serbi. Tërë kohën thotë se ishte nën mbrojtjen e policisë serbe.
Në Beograd thotë se mediave i është drejtuar në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht.
“Kjo është ditë e rëndësishme për normalizimin e raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Pres bashkëpunim të hapur dhe korrekt. Jam këtu të jap kontributin tim. Kjo është e tëra që kam thënë në Beograd. Kam dashtë që Serbisë t’i jap mesazh në gjuhën e saj për Republikën e Kosovës”.
Atë ditë është kthyer në Kosovë, siç është kthyer Dejan Pavicevic në Serbi, sepse sipas Pecit nuk ishin të gatshme kushtet për të filluar misionet me intensitet të plotë.
“Jam takuar me Thaçin rastësisht në një lokal. Shkova me një mik ta pi një kafe dhe aty më kritikoi. I tha ato fjalë që i kam cekur në dorëheqje, pra pse kam deklaruar se normalizimi i plotë Kosovë-Serbi nënkupton njohjen nga Serbia. Asgjë më shumë e as më pak. Nuk i kam dhënë përgjigje të qartë aty. Pasi i kam vlerësuar të gjitha elementet, vendosa për dorëheqje për tri arsye: dinjitetin profesional, dinjitetin dhe për shkak bindjeve të mia politike”, ka theksuar Peci.
Sipas tij, deklarata në KK nuk ishte kontroverse.
“Ashtu janë deklaruar edhe shumë krerë shtetëror të vendit tonë se normalizimi nënkupton njohjen e plotë mes dy vendeve. Tash e kuptova se Thaçi nuk mendon kështu”.
Në lidhje me akuzat e MPJ-së për lëshimet e tij edhe si ambasador në Suedi, Peci thotë se është cilësuar si një nga ambasadorët më të mirë të Kosovës në Suedi.
“Jo që kam marrë vërejtje, por vetëm lëvdata. MPJ ka qenë e kënaqur”, thotë ai.
Ndërsa, për akuzat për spiunim, për tradhti kombëtare, ai shton: “Është për keqardhje se çfarë komunikate lëshon kabineti i ministrit Enver Hoxhaj. Kjo më ka bërë të ndjehem edhe më i vendosur në vendimin tim për dorëheqje. Sepse, nëse brenda kabinetit ka bindje të tillë, nuk kam pse të rri aty. Është fushatë denigruese, sepse nuk kanë pritë se do të japë dorëheqje. Aty nuk ka asnjë të vërtet” -->

0 comments:

Post a Comment