Sunday, June 16, 2013

Jetojnë me 1 euro e 20 centë në ditë

200 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në varfëri ekstreme, me vetëm 1 euro e 20 centë në ditë. Kështu të paktën flasin statistikat e publikuara para pak kohësh nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ndërkohë, që rreth 30 për qind e popullsisë së Kosovës, apo më shumë se 600 mijë kosovarë ditën e kalojnë me 1 euro e 72 centë. 


Bashkim Bellaqa, drejtor i Departamentit të Statistikave Sociale, pranë Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka thënë se varfëria ka shënuar rënie nga viti në vit. Por, sipas analistëve ekonomikë, Kosova ka papunësi ekstreme, sidomos te grupmoshat e reja. Madje, sipas tyre, papunësia e të rinjve në Kosovë është pesë herë më e lartë se e atyre të BE-së, shkruan “Zëri”.
“Nëse e krahasojmë me të dhënat e raportit mbi varfërinë të vitit 2009, ku varfëria e plotë ka qenë 34.5 për qind, varfëria e plotë në vitin 2011 ka pasur rënie për 4.8 për qind. Varfëria ekstreme gjatë vitit 2011 ka qenë rreth 10.2 për qind, në këtë përqindje përfshihet pjesa e popullsisë së varfër që jeton me 1.20 euro. Nëse i krahasojmë rezultatet e varfërisë ekstreme të vitit 2011 me rezultatet e të dhënave të varfërisë me vitin 2009, ku varfëria ekstreme ishte 12.5 për qind, në vitin 2011 kemi zvogëlim të varfërisë ekstreme për 2.3 për qind”, ka thënë Bellaqa.
Në raport janë publikuar edhe trendët e varfërisë në zonat rurale dhe urbane, ku sipas Bellaqes rezultatet kanë ndryshuar gjatë dy viteve të fundit. Zonat rurale janë më të varfra se sa qytetet.
“Gjatë dy viteve të fundit, pra viti 2010 dhe 2011, kanë ndryshuar po ta krahasojmë me rezultatet e vitit 2009. Në vitin 2009 varfëria e plotë në zonat rurale ishte 35.3 për qind, në vitin 2011 kjo përqindje ka rënë në 31.5 për qind, që do të thotë se ka rënie për 3.8 për qind. Në zonat urbane varfëria e plotë në vitin 2011 është 26.7 për qind, ndërsa në vitin 2009 ishte 33.1 për qind nëse krahasojmë me vitin 2009 varfëria e plotë në vitin 2011 ka rënë për 6.4 për qind”, ka thënë Bellaqa.
Ndërsa Time Kadriaj zëvendëskryetare në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se numri i të varfërve mund të rritet edhe më shumë duke marrë parasysh të ardhurat mujore. Madje, ajo ka akuzuar qeverinë se nuk po ka strategji se si ta nxjerrë vendin nga kriza.
“As Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, po as Qeveria e vendit nuk është duke u preokupuar me çështjen e varfërisë në vend. Duhet të ekzistojnë bashkëpunime me shtetet e tjera që sadopak, ata që nuk punojnë t’i dërgojnë me punë sezonale e jo të rrinë pa punë. Gjithashtu edhe pagat janë ekstremisht të vogla, dhe me këtë thuhet se jemi në një varfëri të skajshme”, ka thënë Kadriaj.
Kurse Feride Hyseni, sekretare e përgjithshme në Kryqin e Kuq të Kosovës, ka thënë se çdo ditë janë në terren dhe se ka shumë të varfër të cilët Kryqi i Kuq i ndihmon më gjëra ushqimore dhe më higjienë. “Ne u ndihmojmë atyre familjeve që nuk kanë as një burim të ardhurash, sipas statistikave tona afro 17mijë familje janë skamnore”, ka thënë Hyseni
Kurse nga Instituti GAP, Jeton Mehmeti ka thënë se në Kosovë për të gjetur një vend të punës është shumë e vështirë.
“Mbi 90% e të papunëve të regjistruar në Kosovë janë të papunë afatgjatë, të cilët janë në kërkim të një vendi të punës për më shumë se një vit. Kategoria më e rrezikuar janë të rinjtë, të cilët përbëjnë rreth 73 për qind të të papunëve. Niveli i papunësisë së të rinjve në Kosovë është 5 herë më i lartë se në vendet e BE-së. Dhe numri i të rinjve që futen në tregun e punës sa vjen e shtohet. Në pesë vitet e fundit rreth 200.000 të rinj kanë hyrë në tregun e punës, përderisa numri i personave që ka arritur moshën e pensionimit është rreth 60.000”, ka thënë Mehmeti.
Mehmeti ndër të tjera ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të hartoje një strategji e cila do t’iu ndihmonte shumë punëkërkuesve për të hyrë në punë.
“Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një strategji më konkrete të punësimit, ku do të paraqiste hapa konkretë të krijimit të vendeve të punës qoftë përmes programeve qeveritare, reformave për lehtësimin e hapjes së bizneseve të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese, nxitjen e investitorëve të huaj prodhues si dhe stimulimin e ndërmarrësve përmes krijimit të inkubatorëve funksional të bizneseve nëpër komunat e Kosovës”, ka thënë ai. -->

0 comments:

Post a Comment