Saturday, January 18, 2014

Tërmkolli: Isa Mustafa e urrente Ibrahim Rugovën

Partia e Ramush Haradinajt vazhdon të mbetet në kundër-ofensivë. Melihate Tërmkolli, anëtare e Kryesisë së AAK-së, i është përgjigjur akuzvave ndaj Ramush Haradinajt bërë së fundi nga LDK-ja dhe Donika Gërvalla, e afërt me këtë parti.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, Tërmkolli tha se akuzat e tilla e kanë burimin në Beograd, dhe se bëhen nga ata që nuk e duan kthimin e Haradinajt si kryeministër i Kosovës.

Ajo ka folur edhe për akuzat e mëhershme të Gazmend Muhaxherit ndaj AAK-së, duke thënë se ai ka qenë një njeri që ka punuar kundër Rugovës. Për më tepër, ish-anëtarja shumëvjeçare e LDK-së tha se as kryetari aktual i saj, Isa Mustafa nuk i ka pasur punët mirë me Rugovën.

“Isa Mustafa e ka urrejtur Ibrahim Rugovën. E ka urrejtur. Ai bashkë me Bujar Bukoshin i kanë ndalë paratë që duhej të vinin për LDK-në. Ato nuk na duheshin për të blerë vetura luksoze, por për të ngritur zërin për Kosovën”, ka thënë Tërmkolli.

Sipas saj, është e ditur botërisht se Mustafa ka qenë pjesë e sistemit të Rrahman Morinës, kur shqiptarët e Kosovës janë diskriminuar masivisht.

0 comments:

Post a Comment