Monday, January 13, 2014

Përsëri ndërpritet mbledhja KK-së së Malishevës

Edhe të hënën për herë të tretë radhazi, është ndërprerë seanca e mbledhjes së parë të rregullt e punës, së Kuvendit të Komunës në Malishevë, për shkak të mungesës së kuorumit në sallë.

Në këtë seancë, është e paraparë që të zgjidhet kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës. Mbledhja është ndërprerë, pasi opozita, përsëri ka bojkotuar seancën.
Në këtë mbledhje, ka mbajtur një fjalim edhe kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj, i cili tha “E pashë të arsyeshme ta marr fjalën, për shkak të rrethanave të krijuara në KK. Unë kam dëshirë të kem përkrahjen e të gjitha subjekteve, pasi tani e konsideroj veten se jam përfaqësues i të gjithëve. Dua të sqaroj se jam fitues i zgjedhjeve dhe më takon ta formoj qeverinë dhe të sqaroj se unë nuk jam pengesë për punën e Kuvendit. Bashkëpunimi im do të jetë me ju të gjithë, pa marrë parasysh se kush bëhet kryesues. Unë nuk brengosëm se sa drejtori ju mund t’i merrni, po unë brengosëm për mirëqenien e qytetarëve të Malishevës, për kategoritë sociale. Me qeverinë time, do të zbatojmë të gjitha vendimet e ligjshme të kuvendit. Shkuarja eventuale në zgjedhje për Asamble, është vendim i juaji si anëtar të KK-së dhe jo i imi”, tha mes tjerash kryetari Begaj, para anëtarëve të Kuvendit të Komunës.
Pavarësisht kësaj thirrje të kryetarit Begaj, dhe pas diskutimeve nga përfaqësuesit e grupeve të partive anëtare të KK të Malishevës, mbledhja është ndërprerë sërish, pasi paraprakisht 8 anëtarët nga radhët e PDK-së, nuk morën pjesë fare në këtë seancë, ndërsa 8 anëtar të LDK-së dhe 2 të VV-së, lëshuan sallën, duke shkaktuar mungesë kuorumi.

0 comments:

Post a Comment