Friday, April 5, 2013

Koreja e Veriut: Do të godasim SHBA-të

Zyrtarë të Pentagonit janë shprehur në lidhje me dyshimet nëse Koreja e Veriut do të godasë me të vërtetë Amerikën, apo është vetëm një retorikë. Zyrtarët janë shprehur në mënyrë të prerë se nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Koreja e Veriut e ka seriozisht kur kërcënon Seulin dhe Uashingtonin. Shtetet e Bashkuara presin që ditët e ardhshme Koreja e Veriut të hedhë një nga raketat e veta.
Zyrtarë të Pentagonit i thanë “Zërit të Amerikës” se të dhënat e grumbulluara gjatë javëve të fundit lenë të kuptohet se Pheniani e ka seriozisht kur është fjala për disa nga kërcënimet e tij ndaj Seulit dhe Uashingtonit.
Koreja e Veriut tha sot se ushtria e vendit ka dhënë një miratim përfundimtar për një sulm bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara, një kërcënim për të cilin shumica e analistëve mendojnë se Pheniani nuk do të jetë në gjendje ta realizojë.
Koreja e Jugut ka konfirmuar se Koreja e Veriut ka zhvendosur një raketë në bregun e saj lindor, vetëm disa orë pasi Pheniani tha se ka dhënë miratimin përfundimtar për të nisur një sulm mbi Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët ushtarakë në Shtetet e Bashkuara thonë se Uashingtoni është duke u përgatitur për vendosjen e një sistemi të sofistikuar të mbrojtës nga raketat në Paqësor në javët e ardhshme për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve që mund të vijnë nga raketat balistike të Koresë së Veriut.

0 comments:

Post a Comment