Tuesday, April 2, 2013

Këmbëngulja e Thaçit ‘çmendi’ Vuçiqin

plotësuar – Gazeta Express ka mësuar më shumë rreth përplasjes që ka pasur pala kosovare dhe ajo serbe gjatë ditës, në raundin e tetë të bisedimeve.
Mësohet se fjalosja ka ndodhur ndërmjet Kryeministri Thaçi dhe Zëvendëskryeministrit të parë serb Aleksandar Vucic. “Takimi është ndërprerë kur ka filluar përplasja e Kryeministrit Thaçi me radikalin Vucic. Vucic i ka thënë Thaçit se Serbia ka Kushtetutën e saj dhe Kosova është në Kushtetutën e saj.
Kryeministri Thaçi ka reaguar duke thënë se ‘mua nuk më intereson se çka shkruan në Kushtetutën tuaj . Ne e kemi Kushtetutën tonë dhe shtetin tonë. Nëse ju rrihet në takim mund të rrini, nëse je mund të dilni’” ka transmetuar një burim i gazetës fjalët e Kryeministrit.
—————
(E plotësuar) Pas pauzës, ka vazhduar takimi i delegacionit kosovar dhe atij serb me ndërmjetësimin e baroneshës Katherin Ashton.
—————————–
E plotësuar) Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se takimi ndërmjet dy kryeministrave është ndërprerë me kërkesë të delegacionit serb, transmeton ktv. Delegacioni serb e ka ndërprerë takimin për t’u konsultuar.
Sipas Kuçit, takimi pritet të vazhdojë së shpejti dhe , siç ka thënë ai “ne mbesim optimistë për arritjen e një marrëveshjeje sonte”
Zëvendëskryeministri Kuçi tha se “ ne jemi të përgatitur mirë dhe të gatshëm për të marrë vendime në interes të qytetarëve dhe vendit tonë”.
Pak çaste më parë, burime brenda bisedimeve në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, bëjnë të ditur se takimi ka rezultuar me përplasje të ashpra ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.
Mësohet se gjatë bisedimeve, kryeministri Thaçi, në njërën anë dhe Daçiq e Vuçiq, në anën tjetër, kanë ngritur zërin ndaj njëri – tjetrit.
————————–
(E plotësuar) Bisedimet në Bruksel kanë hasur në vështirësi dhe aktualisht janë në krizë, mëson “Blic” nga burimet e saj diplomatike në Bruksel. Siç raporton ky portal, dialogu ndërmjet zëvendëskryeministrit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit, Hashim Thaçi në prani të shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton është udhëhequr me “tone të larta”.
“Atmosfera është e tensionuar, kjo është shumë e dhimbshme. Edhe pse ka pasur mosmarrëveshje, madje ka pasur edhe tone të larta nga të dy anët, të gjithë janë duke shpresuar se mund të arrihet një kompromis”, thotë burimi i “Blic” nga Brukseli.
————————-
E plotsuar-Takimet bilaterale në mes të Baroneshës Catherine Ashton, Hashim Thaçit e Ivica Daçiqit, kanë përfunduar, ndërkaq tani pritet takimi i përbashkët i treshes.
Fillimisht, Ashton ka takuar delegacionin serb, të kryesuar nga Kryeministri Daçiq, e më pas, Ashton ka zhvilluar edhe një takim me delegacionin kosovar, të udhëhequr nga Kryeministri Thaçi.
Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi, është takuar të martën në Bruksel edhe me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker. Takimi është zhvilluar në prag të takimit mes Thaçit dhe Daciqit.
Gjatë takimit, Thaçi dhe Reeker kanë biseduar për pritjet nga procesi i dialogut të Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Thaçi ka shprehur angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fqinjësi të mirë dhe për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës.
Thaçi ka vlerësuar se arritja e marrëveshjes eventuale me Daciqin, do të hap rrugë për normalizim e raporteve në mes të dyja vendeve dhe do të shënojë fillimin e mbylljes së kapitullit të konflikteve dhe njëkohësisht fillimin e hapjes së kapitullit të bashkëpunimit dhe të integrimeve euroatlantike të të dyja vendeve.
Ndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker ka shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përkrahur dialogun dhe zgjidhjen e drejtë të të gjitha çështjeve të hapura në mes të dy vendeve.
Reeker theksoi se SHBA-të mbështesin integritetin territorial të Kosovës, duke shtuar se dialogu duhet të vazhdojë për të ecur përpara drejt integrimit evropian dhe fqinjësisë së mirë. /Zëri/fishmedia/
—————————
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur edhe njëherë optimizmin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Ne jemi këtu për të arritur marrëveshje në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë – një marrëveshje që do të lëvizë përpara edhe shtetin e Kosovës, por edhe gjithë rajonin në perspektivën evropiane”.
“Prishtina do të prezantojë qëndrimet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e veta”, ka thënë Thaçi, duke theksuar qëndrimin në favor të fqinjësisë së mirë.
Në një prononcim në gjuhën angleze, kryeministri i Kosovës, ka thënë se “sot është ditë historike dhe çast vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.
“Jam udhëheqës i vendimeve dhe jam këtu për të marrë vendimin për të ardhmen e vendit tim dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka thënë zoti Thaçi, para takimit me Baroneshën Ashton. /rel/
——————————
Në Bruksel në orën 10.30 ka filluar rundi i tetë i dialogut Kosovë Serbi. Takimi po mbahet me ndërmjetësim të BE.Shumë analistë mendojnë se ky takim i kryeministrit Thaçi me kryeministrin serb Daçiq është vendimtar.

-->

0 comments:

Post a Comment