Tuesday, January 7, 2014

Të premten konstituimi i seancave në veri

Refuzimi i strukturave të reja udhëheqëse në veri që të betohen sipas ligjeve të Kosovës ka shtyrë konstituimin e katër komunave veriore të vendit, e që është dashur të mbahen më 24 dhjetor të vitit të kaluar

Këshilltari i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës nga Partia Demokratike e Kosovës, Emir Azemi, ka thënë për Kosovapress se të hënën është ftuar gojarisht përmes një “postieri” jo serb nga kryetari i sapo zgjedhur Kërstimir Pantic, për të marrë pjesë në seancën inauguruese që do të mbahet të premten.
“Pres që deri të mërkurën të marrim edhe ftesat të cilat sipas të gjitha gjasave do të jenë ndryshe nga ato që kemi marrë herën e parë. Mirëpo, nëse këto ftesa do të jenë në përputhje me ligjet e Kosovës ne do t’i pranojmë ato, ndryshe, nuk do t’i pranojmë dhe as që do të marrim pjesë në atë seancë”, ka thënë Azemi.
Ndërkaq, Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, shpreson se më në fund të premten do të mbahet seanca inauguruese në veri të Mitrovicës, por edhe në komunat tjera veriore.
“Mendoj se ligjet e Kosovës do të respektohen kësaj radhe, pikërisht sipas marrëveshjes së Brukselit, dhe seanca do të mbahet të premten”, ka thënë për Kosovapress, Hoxhiq.
Kosovapress ka provuar për dy ditë me radhë të marrë deklaratë rreth kësaj çështje nga ndonjëri prej liderëve serbë në veri, por nuk ka arritur të kontaktojë me asnjërin prej tyre.
Në anën tjetër, burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se liderët serbë të veriut janë nën presion të jashtëzakonshëm nga Beogradi, i cili po ashtu po “shtrëngohet” nga BE-ja, që të respektohet Ligji i Republikës së Kosovës për pushtetin lokal, i cili përcakton qartë se inaugurimi i kuvendeve të komunave dhe betimi i kryetarëve duhet të bëhet duke respektuar simbolet dhe ligjet e Kosovës.
Sipas këtyre burimeve, edhe vizitat e personaliteteve të larta nga Beogradi gjatë Krishtlindjeve në Kosovë, janë në funksion të një presioni të tillë ndaj liderëve serbë të veriut.
“Gjithçka po bëhet që të respektohet afati kohor me ligj, dhe të mos ketë nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat veriore, duke ruajtur kështu në të njëjtën kohë edhe investimet e mëdha të BE-së për zgjedhjet e organizuara në atë pjesë të Kosovës”, kanë thënë burimet.
Ndryshe, afati i fundit ligjor për konstituimin e organeve lokale pas zgjedhjeve të 3 nëntorit është e premte, 10 janari.

0 comments:

Post a Comment