Saturday, January 11, 2014

Pacolli: Qeveria m’i ka borxh 850.000 euro, Çeku oportunist

Në përpjekje për të treguar se bizneset që bën në Kosovë nuk i bën për të përfituar, zv/kryeministri Behgjet Pacolli ka thënë se Qeveria pjesë e së cilës është i ka borxh.

Në një intervistë për emisionin Interaktiv të KTV-së, Pacolli ka thënë se Qeveria e Kosovës ia ka borxh atij dhe kompanisë së tij 850.000 euro nga tenderi i renovimit të Rilindjes, ku është e vendosur tani një pjesë e ekzekutivit.
Ai ka thënë se do t’i duhen edhe 30 vjet që ta kthejë investimin që ka bërë në hotelin privat në qendër të Prishtinës. Pacolli sërish ka insistuar se ish-zv/ministri Astrit Haraqija ia kishte kërkuar milionat për t’ia kthyer AKP-ja Grandin. “E urrej AKP-në. Gjithmonë e kam urrejtur. Haraqija m’i ka kërkuar ato para, por Ukë Rugova nuk ka qenë pjesë e takimit. Ai priste jashtë”, ka thënë Pacolli.
Kryetari i AKR-së ka thënë se partia e tij do të garojë e vetme në zgjedhje, dhe se do ta ketë vështirë të bashkëpunojë me LDK-në e Mustafës, të cilën nuk e ka ndihmuar në Prishtinë.
Pacolli tha se i kishte mbetur fort hatri kur Agim Çeku kaloi në PDK, porse kjo i shërbeu që ta kuptojë se ai ishte një oportunist.
Zv/kryeministri vazhdon të besojë që Mali e ka njohur Kosovën, sikurse edhe Nigeria e Uganda, njohje që nuk ekzistojnë sipas MPJ-së. Numri dy i kabinetit qeveritar ka lënë të kuptohet se nuk do të ishte asnjë problem që kryetarët serbë të betoheshin pa flamurin e Kosovës, sepse me rëndësi sipas tij është puna që do të bëjnë më pas për qytetarët.

0 comments:

Post a Comment