Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë të martën se LDK është partia e vetme që ka shënuar rritje të votave
Ai këto komente i bëri në rrjetin social “Facebook”, një ditë pasi ish lideri i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka thënë se nuk fitohet Prishtina me duar në xhepa dhe mallkime.“Pas fitoreve shumë të rëndësishme, që Lidhja Demokratike e Kosovës i arriti në zgjedhjet lokale, po vërehet një interesim i rritur që LDK-së t’i bashkëngjiten në forma të ndryshme njerëz, të cilët kanë treguar vlera dhe kanë dhënë kontribut në faza të ndryshme të zhvillimit tonë. Në këto zgjedhje, LDK ishte e vetmja parti e cila shënoi rritje të votës”, u shpreh Mustafa.
Ai më tej tha se zhvillimi i formave të ndryshme të bashkëpunimit me njerëz të rinj, qoftë për nga mosha qoftë për nga fakti se ata po i parapëlqejnë politikat, sjelljen dhe kulturën demokratike të LDK-së, dhe ardhja e tyre është në dobi të zhvillimit demokratik të vendit dhe të arritjes së synimeve tona qeverisëse.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e madhe, parti e shumë gjeneratave dhe përvojat e deritanishme të zhvillimit të reformave kanë treguar se diversiteti ka qenë një prej faktorëve kyç të kthesave pozitive. Vlerësime të tilla ka dhënë edhe Komisioni Verifikues i Partive Popullore Evropiane, i cili para dy viteve konstatoi reformat domethënëse në Lidhjen Demokratike të Kosovës, hapjen e saj ndaj të rinjve dhe femrave dhe qëndrueshmërinë dhe stabilitetin partiak, që rezultoi me pranimin e LDK-së në familjen e këtyre partive. Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur të punojë shumë që të fitojë në zgjedhjet nacionale, të cilat janë në prag, prandaj do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që reflektojnë frymë pozitive, që ofrojnë zgjidhje për zhvillimin e vendit tonë dhe i kontribuojnë kohezionit dhe mirëbesimit”, është shprehur Mustafa.
0 comments:
Post a Comment