Tuesday, April 9, 2013

Shumë shqiptare martohen për maqedonas

Vendet rurale në Maqedoni duket se janë bërë lokacione joshëse për gratë nga Shqipëria. Vetëm viteve të fundit, sipas “SETtimes” janë rreth 3000 gra nga Shqipëria që janë martuar për beqarë maqedonas dhe jeta e tyre, duket se ka përfunduar me “happy end”. Numri i martesave të përziera në rajon, siç raporton “Shekulli” po jep sinjale për ndryshime thelbësore në Ballkanin e trazuar ndër shekuj.
Zllatko Trajkovski e përshkruan jetën e tij në Berovë, Maqedoni si të thjeshtë dhe të lumtur. Ai dhe gruaja e tij kanë “një martesë të mrekullueshme” me dy fëmijë dhe një fermë. Trajkovski është maqedonas, ndërsa gruaja e tij është nga Shqipëria.
Ata u takuan nëpërmjet një ndërmjetësi martesash që ndërmjetëson burra maqedonas me gra shqiptare. Dhe ata janë pjesë e një prirje në rritje.
Sipas një reportazhi që sjell nga terreni “SETimes” llogaritet se janë rreth 3,000 martesa të tilla ndëretnike në Maqedoni, një numër që ishte i pamundur disa vjet më parë, kur kishte vetëm disa dhjetëra çifte ndëretnike.
Nëpër Ballkan ka shenja shtesë se pengesat etnike nuk janë të pakapërcyeshme dhe sociologët thonë se marrëdhëniet dhe martesat e përziera po shpërblejnë, jo vetëm njerëzit e përfshirë, por në shkallë më të gjerë.
“Fshatrat maqedonase po vdesin. Ka shumë beqarë që kanë pasur vështirësi të gjejnë gra që dëshirojnë të jetojnë në fshat dhe të jenë fermerë. Për vajzat nga Shqipëria rurale ky nuk është një problem, kështu që ato vendosin të vijnë në Maqedoni, të martohen e të jetojnë në një fshat”, thotë sociologia Olevska nga Shkupi.
Stojan Kitanoski është ndërmjetës (mësit) martesash nga Berova. Ai ka bërë së bashku 20 çifte në Maqedoninë lindore, duke u sjellë gra nga Shqipëria. Ai thotë se ndonjëherë ka vështirësi, për shkak të fesë, kryesisht ato vajza që janë myslimane, sepse maqedonasit janë të krishterë.
Por, sipas ndërmjetësit Kitanoski, ka më pak probleme me katoliket shqiptare për t’u martuar me të krishterë ortodoksë nga Maqedonia.
“Dallimet midis njerëzve të kombësive të ndryshme çdo ditë e më tepër reduktohen. Dëshira për një familje kapërcen çdo dallim”, shprehet ai

0 comments:

Post a Comment