“Big Brother Albania 6 ” ka nxitur kureshtjen e gjithë publikut këtë vit, pasi sipas paralajmërimit të autorëve ky reality-shoW do të jetë komplet ndryshe. “Nuk do t’i ngjajë aspak 5 edicioneve të kaluara”, – thotë autori Rezart Aga, duke i lënë surprizat befasuese për mbrëmjen e së shtunës. Ai ka preferuar të na thotë vetëm disa copëza të asaj që pritet të jetë një mbrëmje e madhe. Banorët që do të hyjnë këtë vit, më së shumti janë ata që kanë ardhur nga jashtë kufijve dhe mosha e tyre është më e lartë se ajo që kemi parë vitet e kaluara.
Banorët këtë vit nuk do të “fshihen” më pas asaj që jemi mësuar të shohim shpesh “ isha vetvetja”, pasi sivjet askush nuk duhet të jetë vetvetja. “Çdo konkurrent do ketë një të fshehtë, do hyjë si një person krejt tjetër nga ai që është. Një baba i përkushtuar do hyjë si një burrë beqar, një jetim do flasë për prindërit sikur t’i kishte ende gjallë. Kushdo duhet të përpiqet t’i zbulojë sekretin tjetrit, sepse ky sekret ka një çmim (sa më i madh sekreti, aq më i madh çmimi) që nëse zbulohet, shuma i kalon zbuluesit. Dhe ky, edhe nëse eliminohet nga televotimi (sepse linja klasike drejt çmimit të madh sigurisht që vazhdon, do jetë publiku ai që do nxjerrë banorët dhe do zgjedhë fituesin), do dalë me një shumë parash që e ka fituar nga zbulimi i sekretit”. Ndërkohë, zërave se në lojë mund të jetë edhe një personazh i njohur publik, autori i Big Brother përgjigjet “jo”. “Big Brother 6” do të fillojë këtë të shtunë, loja do të jetë sfiduese, ndryshe, dhe spektakli do të drejtohet si përherë nga energjia e Arbana Osmanit.
A do të jetë më e ashpër loja mes banorëve këtë vit, nisur nga ato që kemi dëgjuar?
Nuk do të jetë më e ashpër. Më shumë se e ashpër, besoj do ta futim në ato shina ku ti të marrësh vëmendjen e publikut, ndaj banorët duhet të jenë më aktivë. Kemi bërë diçka që t’i vendosë banorët në një lloj aktiviteti më të madh, sidomos psikologjik. Nuk po flas për lojërat e javës apo surprizat e ndryshme. Ajo që do të ndryshojë është se nuk do të ketë më banorë që vegjetojnë dhe s’do të ketë më përllogaritje kë do të nominojë apo jo.
Opinionistët…kush do të jenë këtë vit? Si do të jetë paneli?
Opinionistët do të ndryshojnë vazhdimisht në panel, në raport me procesin dhe çdo gjë që ndodh në lidhje me banorët apo fenomene të shoqërisë.
Arjan Konomi do të jetë?
Po, do të jetë. Bashkë me të do jenë edhe dy të tjerë, të cilët do të bëjnë atë lloj procesi që nuk e bën dot opinionisti klasik siç jemi mësuar. Ata do të komentojnë mbi faktet, mbi fenomenet, mbi sa e vështirë është që dikush të mohojë një pjesë të jetës së tij, apo sa e rëndësishme është të luash…gjë që duhet ta bëjë një psikolog apo një specialist.
Si do të jetë nata e parë, cilat do të jenë surprizat e saj?
Do të shihet një natë që nuk ka lidhje fare me 5 vite që ne kemi parë. Kjo është pak, por e sigurt. Do prezantohen banorët dhe sekretet e tyre. Publiku do jetë në dilemë shumë të madhe, sepse asnjëherë nuk do të prezantohen në raport të drejtë cili është profili i personazhit dhe sekreti përkatës. Do të prezantohen sekretet që nuk i dinë as familjarët e banorëve që do të futen në shtëpi.
Sa banorë do të futen të shtunën?
Do të futen rreth 16 banorë. Profilet do të jenë si zakonisht, të larmishme. Ka shumë banorë që vijnë nga jashtë realisht dhe ajo që më bën shumë përshtypje është se ata pavarësisht se jetojnë jashtë, mendojnë shumë më tepër për Shqipërinë sesa ne që jemi brenda në Shqipëri. Kanë një lidhje afektive me Shqipërinë, e cila duket gati e pabesueshme. Janë në profesione të mira apo që kanë arritur edhe gjëra të mira andej dhe prapë e kthejnë kokën nga vendi i tyre. Pergatiti Jonida Hitoveizi Gazeza MAPO
0 comments:
Post a Comment