Monday, January 27, 2014

EULEX kërkon paraburgimin e Ivanoviqit

Mitrovicë, 27 janar(E plotësuar)Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, ka bërë me dije se të hënën gjatë ditës, Oliver Ivanoviq është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, me marrëveshje paraprake në mes të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) dhe përfaqësuesit ligjor i Oliver Ivanoviqit.
“Prokurori pastaj ka zhvilluar një intervistë me Oliver Ivanoviqin, si i dyshuar në një hetim për krime të luftës, së bashku me akuzat për vrasje të rëndë të kryer pas konfliktit. Intervista ka përfunduar dhe prokurori ka ekzekutuar urdhrin për arrestim, dhe është duke kërkuar nga gjykata që të marrin në konsideratë kërkesën për paraburgim”, bën me dije EULEX përmes një njoftimi për media, raporton Koha.net.
Aktualisht, siç njofton EULEX, kërkesa për paraburgim i është paraqitur gjykatës “dhe kjo është e gjitha që mund të themi për momentin”.
SDP: Ivanoviq  s’është arrestuar, i është përgjigjur ftesës së EULEX-it

Mitrovicë, 27 janar – (E plotësuar) Nga selia e Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia’ (SDP) pohohet se lideri i saj, “Oliver Ivanoviq nuk është arrestuar, por  si një qytetar i përgjegjshëm i është përgjigjur ftesës së EULEX-it për të dhënë deklaratë”, thuhet në kumtesën  për medie, transmetojnë mediet e Beogradit.“Kjo ftesë absolutisht ka prapavijë politik e me qëllim të krijimit të baraspeshës me arrestimet nga radhët e shqiptarëve”, vazhdon komunikata, sipas të cilës kjo pa dyshim synon  edhe krijimin e frikës dhe  të destabilitetit në gjithë komunitetin serb në Mitrovicë.
Është arrestuar Oliver Ivanoviq

Mitrovicë, 27 janar –  Siç merr vesh korrespondenti i “Kohës Ditore” në Mitrovicë, Policia e EULEX-it ka arrestuar sot Oliver Ivanoviqin, kandidat për kryetar të Mitrovicës së veriut. Arrestimi, siç konfirmojnë burime brenda partisë së tij, ai është arrestuar me dyshime për vrasjet që ndodhën nga viti 1999-2000. Ai edhe më herët ishte përmendur si një nga organizatorët ose pjesëmarrësit në këto vrasje. Ndërkohë, agjencia serbe e lajmeve, Tanjug, por edhe media të tjera serbe të Beogradit, raportojnë se Policia e EULEX-it e ka arrestuar sot Oliver Ivanoviqin. Sipas këtyre burimi ai është arrestuar në pjesën veriore të Mitrovicës.

Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, ia ka konfirmuar agjencisë serbe të lajmeve, Tanjug, se  është në zhvillim e sipër një aksion në pjesën veriore të Mitrovicës, por nuk ka dhënë asnjë hollësi dhe as ka përmendur ndonjë emër. Për këtë ajo ka paralajmëruar se do të ketë më vonë një komunikatë, përmes të cilës do të jepen hollësitë se për çka është fjala.

Oliver Ivanoviq është kryetar i Iniciativës Qytetare SDP (Slloboda, Demokracija, Pravda – Liria, Demokracia, Drejtësia) dhe kandidat për kryetar të Mitrovicës.

Siç bëhet e ditur jozyrtarisht, ai momentalisht është duke u marrë në pyetje në bazën e EULEX-it në pjesën jugore të Mitrovicës. 

0 comments:

Post a Comment