Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të mbajtur të hënën, ka vendosur që këtë të enjte të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit, ku, pas shtrimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët në këtë seancë do të ratifikojnë edhe dy marrëveshje ndërkombëtare.
“Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive, si dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua dhe financim ndërmjet KFW Frankfurt Am Main, Republikës së Kosovës dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSST, për përmirësimin e rrjetit të transmisionit”, bën me dije Kryesia e Kuvendit përmes një komunikate për media.
Në të njëjtën seancë, Kryesia njofton se deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë shtatë projektligje të tjera: Projektligjin për shërbimin gjeologjik të Kosovës, Projektligjin për masat antidamping dhe masat kundërbalancuese, Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, Projektligjin për Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri, Projektligjin për armë, si dhe Projektligjin për Inspektoratin e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.
“Duke e shqyrtuar kërkesën e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për auditimin e raporteve financiare dhe raportit të deklarimit financiar të fushatës të cilat dorëzohen nga subjektet politike në KQZ, Kryesia e ka ngarkuar Administratën e Kuvendit të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të bërë thirrje të hapur për aplikim, për përzgjedhjen e së paku 10 auditorëve të licencuar, të cilët do të auditojnë raportet vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike”, u tha në mbledhjen e Kryesisë.
Ndërkaq, në bazë të njoftimit që ka marrë Kryesia për dorëheqjen e katër anëtarëve nga Grupi Parlamentar “Ardhmëria e Përbashkët”, Kryesia ka konkluduar se praktikisht nuk ekziston më ky grup parlamentar.
0 comments:
Post a Comment