Monday, January 27, 2014

Akuza për tenderin 10 milionësh të BE-së

Konzoricumi italiano-serb "Culligan Italiana S.p.A. & Lad Group Doo" nuk po arrin as me një vit vonesë ta përfundojë njërin nga projektet më të mëdha të Bashkimit Evropian(BE) në Kosovë për zgjerimin e fabrikës për trajtimin e ujërave në Shipol të Mitrovicës.
Për shkak të këtyre vonesave ka plasur edhe sherri mes konzorciumit fitues të tenderit në vlerë prej rreth 10 milionë euro dhe nënkontraktorit, përkatësisht kompanisë kroate “Zagorje Tehno Beton”(ZTB). Kjo e fundit po akuzohet se nuk i ka kryer punimet në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe është vonuar në ekzekutimin e punimeve.
Në anën tjetër, kompania kroate është ankuar se konzoricuimi italiano-serb i ka mbetur borxh prej hiç më pak se 633 mijë euro, pa e përfshirë këtu edhe mospagesën e TVSH-së. Gazeta “Zëri” muaj më parë kishte raportuar se kompania kroate ZTB ka fituar edhe një tjetër tender në vlerë prej 7 milionë euro nga BE për ndërtimin e shkollave dhe hallave sportive në komuna të ndryshme të Kosovës, përderisa ka ankesa për vonesë 20 mujore në përfundimin e punimeve dhe cilësi të ulët të punimeve.
Një vit vonesë në përfundim të punimeve
Konzorciumi italiano-serb në vitin 2011 kishte nisur punimet për zgjerimin e fabrikës për trajtimin e ujërave në Shipol të Mitrovicës, pasi ishte shpallur fituese e tenderit e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë në vlere prej 9,738,000 euro. Projekti që kishte për qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë për më shumë se 250 mijë banorë të regjionit të Mitrovicës, ku përfshihen edhe komuniteti serb, romë, boshnjak dhe turk, është dashur të përfundojë në janar të vitit 2013. Mirëpo, as me një vit vonesë, ky projekt nuk është finalizuar ende.
Millosh Markoviq, drejtor ekzekutiv i kompanisë nga Beogradi “Lad Group”, e cila bashkë me kompaninë italiane ka fituar këtë tender vite më parë, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se gjatë realizimit të projektit kanë dalë punë shtesë dhe vendosja e pajisjeve të reja,në marrëveshje me punëdhënësin(Komisionin Evropian).
Sipas tij, tashmë projekti është në fazën përfundimtare, ku të gjithë komponentët e procesit janë dorëzuar dhe madje edhe manuali udhëzues për operimin e uzinës dhe trajnimin e stafit vendor është zhvilluar dhe miratuar, ndërsa punimet përfundimtare për peizazhin, riparimin e rrugëve, etj, janë duke vazhduar paralelisht me testet për thatësinë dhe lagështinë e pajisjeve elektromekanike.
“Duke pasur parasysh se të gjitha procedurat dhe punët janë kryer nën mbikëqyrje dhe në përputhje me kontratën, nuk ka asnjë shqetësim në lidhje me qëllimin final të projektit dhe datën e fundit të realizimit, e planifikuar për në pranverë të vitit 2014”, ka sqaruar Markoviq.
Ai ka shtuar se projekti në fjalë është shumë kompleks dhe komunikimi me mbikëqyrësit, inxhinierët dhe punëdhënësit ka qenë gjithmonë në mirëbesim, për hir të realizimit të suksesshëm të projektit. “Kontraktori operon sipas standardeve më të larta në mënyrë që të plotësojë kërkesat strikte të Komisionit të BE-së”, shprehet ai.
Akuza mes kontraktorit dhe nënkontraktorit
Megjithatë, Markoviq konfirmon telashet me kompaninë kroate Zagorje Tehnobeton, e cila ka qenë e angazhuar si nënkontraktore në këtë projekt.
“Bashkëpunimi ynë me “Zagorje Tehnobeton”, si një nënkontraktor, për miratimin e punimeve civile, përfundoi në mes të vitit 2013, pasi që ky nënkontraktues nuk i ka plotësuar standardet e kërkuara të përcaktuara me kontratë dhe është vonuar në ekzekutimin e punimeve”, sqaron Markoviq.
Ai ka bërë të ditur se problemi kryesor për ndërprerje të kontratës ka qenë se rezervuarët e betonit, të cilat punime i ka realizuar nënkontraktori, nuk ishin rezistentë ndaj ujit për shkak të instalimit të pakujdesshëm të betonit.
“Nënkontraktori ka dështuar për të ekzekutuar një riparim cilësor të punëve në rrjedhjet e ujit.
Pas përfundimit të nënkontratës, ne kemi arritur me sukses për të kompensuar vonesat e ndërmjetme dhe riparimin e rrjedhjeve të shkaktuara nga “Tehnobeton”, me angazhimin shtesë të personelit të kontraktuesit. Deri në këtë moment,testimi përfundimtar i padepërtueshmërisë së ujit është në zhvillim e sipër si pjesë e testimeve”, ka nënvizuar ai.
Gazeta “Zëri” në lidhje me këtë çështje i ka dërguar pyetje edhe zyrtarëve të kompanisë kroate “Zagorje TehnoBeton”, mirëpo ata nuk janë përgjigjur. Mirëpo, muajin e kaluar gazeta “Zëri” kur kishte raportuar për vonesat e kompanisë kroate në projektin për ndërtimin e shkollave dhe hallave sportive, zyrtarët e e Zagrorje Tehno Beton pavarësisht se nuk ishin përgjigjur për më shumë se dhjetë ditë në pyetjet e gazetës, kishin dërguar një reagim duke thënë se në Kosovë përmes investimeve dhe projekteve vetjake kanë investuar 8 milionë euro.
Në këtë reagim konfirmohej se kanë kryer punë ndërtimore në vlerë prej rreth 1.9 milionë euro në projektin e fabrikës së ujit në Shipol të Mitrovicës, përderisa, siç thuhej në reagim, punëkryerësi kryesor(konzorciumi italiano-serb) i ka mbetur borxh rreth 633 mijë euro, si dhe nuk i ka paguar shumën e plotë të TVSH-së, e cila në vlerë e përmendur të punëve të kryera është 302.456 euro. “Shpenzimet e përgjithshme bruto të këtij projekti për Zagorje Tehno Beton janë 3.1 milionë euro, kurse deri më tani punëkryerësi kryesor na ka paguar 1.450.000 euro”, bëhej e ditur mes tjerash në këtë reagim të ZTB.
Mirëpo, Markoviq thotë se drejtues të kompanisë ZTB nuk është pajtuar me vendimin për ndërprerje të kontratës, me ç’rast këtë çështje e adresuan në Gjykatë, e cila është deklaruar jo kompetente dhe anuloi procedurën ligjore.
“Deri më sot, ne nuk jemi informuar zyrtarisht nëse nënkontraktori ka iniciuar procedurën kontestimore para institucionit të autorizuar, ose dorëzuar një padi, duke pasur parasysh natyrën dhe madhësinë e punëve të papërfunduara dhe punët me defekte që duhet të riparohen, si dhe dëmet e vonesës dhe fakti që pjesa më e madhe e vlerës së kontraktuar, i është paguar nënkontraktorit, ne nuk presim një ankesë të tillë në të ardhmen”.
Fabrika e gatshme në gjysmën e dytë të 2014
Në anën tjetër, në përgjigjet e dërguara nga Zyra për informim e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, thuhet se në këtë kontratë janë
ballafaquar me disa vështirësi të paparashikuara gjatë implementimit si: Riparimi i rrjedhjeve në kanalin e ujit të “Iber Lepencit”, i cili gjithashtu shërben si ujë hyrës për fabrikën e ujit. Përveç kësaj, sipas Zyrës Ndërlidhëse të KE-së, më kërkesë të përfituesit, që është Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica, janë bërë ndryshimet për të mundësuar më tepër një metodë më efikase të përpunimit të ujit që do të inkorporoheshin në një fazë më të vonshme.
Pavarësisht këtyre vonesave në projekt, financuesit e këtij projekti thonë se janë të kënaqshëm me punën e nënkotraktorit, ndërsa nuk komentojnë pse është angazhuar kompania kroate, e cila ka dështuar t’i kryejë me kohë punimet edhe në projektet tjera të financuara nga fondet evropiane.
“ Konsorciumi "Culligan Italiana S.p.A. & Lad Group Doo" është i vetmi partner kontraktual për KE, i cili mbetet tërësisht përgjegjës për projektin. Nuk i takon Zyrës së BE-së të komentoj për palët e treta, me të cilat ata kanë vendosur të punojnë”, ka deklauar zyrtarët e KE-së në Prishtinë.
Drejtuesit e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë kanë shtuar se fabrika e ujit është aktualisht funksionale dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, kapaciteti shtesë i fabrikës pritet të jetë i gatshëm në gjysmën e dytë të vitit 2014.
Drejtori i Ujësjellësit: S’ka arsye për vonesa
Faruk Hajrizi, drejtor i Kompanisë Ujësjellësi Rajonal Mitrovica, ka konfirmuar për gazetën se kanë bërë kërkesë për punë shtesë në projekt, përkatësisht ndërtimin e Njësisë së Ozonit (O3) për luftimin e baktereve me ozon.
Sipas tij, ndërtimi i kësaj njësie nuk ka zgjatur më shumë se 15 ditë dhe ky sigurisht, siç ka thënë ai, nuk ka qenë arsye për t’u vonuar një vit lëshimi i fabrikës së re të ujit në Shipol.
“As puna tjetër, apo vështirësitë që kanë dalë gjatë implementimit të projektit, siç është riparimi i rrjedhjeve në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, që shërben si ujë hyrës për fabrikën e ujit nuk ka marrë shumë kohë për t’u vonuar një vit, pasi që është riparuar vetëm një pjesë e kanalit”, ka pohuar Hajrizi, duke potencuar se tani kur janë siguruar edhe pajisjet e nevojshme, afati i fundit për t’u lëshuar Fabrika për përpunimin e ujit në Shipol është 12 prilli i këtij viti.
Drejtori i Ujësjellësit të Mitrovicës sqaron se fabrika e Ujit në Shipol një vit do të mbikëqyret nga Komisioni Evropian,ndërsa pas një viti fabrika do t’i dorëzohet Kompanisë Ujësjellësi Rajonal Mitrovica.
“Fabrikën, e cila ka kapacitetin prej 700 litra në sekondë do ta pranojmë vetëm nëse është konform standardeve evropiane”, shprehet ai.
Tenderët milionësh të kompanisë kroate në Kosovë
Përndryshe, gazeta “Zëri” në dhjetor 2013 ka publikuar një tekst në dy vazhdime, ku jepeshin fakte se si fondi prej 7 milionë euro i Komisionit Evropian po keqpërdoret nga kompania kroate “Zagroje Tehnobeton”(ZTB).
Kjo e fundit në vitin 2010 kishte fituar tenderin për ndërtimin e shkollave dhe hallave sportive në komuna të ndryshme të Kosovës, pas zotimeve të ofruara për realizimin e punimeve sipas dinamikës së paraparë dhe cilësisë sipas standardeve evropiane.
Mirëpo, tre vjet pas përfitimit të njërit nga projektet më të mëdha evropiane në vend, as zotimi i parë e as i dyti nuk janë përmbushur nga kontraktori kroat, duke e nxjerrë kështu në pah keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e fondeve të taksapaguesve evropianë.
Nxënësit në këto rajone vazhdojnë të mësojnë nëpër “shkolla gërmadha”, të cilat nuk i plotësojnë as kushtet minimale për zhvillimin e procesit arsimor, derisa shkollat e reja vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, ndonëse për to shiriti ishte dashur të pritej para një viti e gjysmë.
Punimet e kryera në objektet e reja shkollore janë të një cilësie të ultë, ku në ditët me shi ato shndërrohen në “pishina”, pasi që uji depërton brenda.
Ish-drejtori i “Zagorje Tehnobeton”, Miroslav Buniq, ishte arrestuar muaj më parë nga autoritetet policore kroate në aferën HAC (autostradave kroate) nën dyshimin se ka marrë pjesë në nënshkrimin e kontratave fiktive.
Hetuesit pretendonin se kompanitë nënkontraktuese i kanë paguar rreth 4 milionë euro në llogari të një kompanie çeke, në mënyrë që HAC t’i angazhojë në kryerjen e punimeve dhe t’i privilegjojë në pagesën e borxheve.
Gazeta kroate “Jutarnji List” në edicionin e 13 nëntorit të 2013 shkruante se pas qëndrimit përreth një muaj në paraburgim, Buniq dhe pesë të dyshuar të tjerë në këtë aferë u liruan nga paraburgimi me vendim të Gjykatës së Qarkut në Zagreb.Ai më 14 nëntor 2013 ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i kompanisë “Zagorje Tehnobeton”.

0 comments:

Post a Comment