Saturday, January 11, 2014
Pacolli: Qeveria m’i ka borxh 850.000 euro, Çeku oportunist
7:02 AM
No comments
Në përpjekje për të treguar se bizneset që bën në Kosovë nuk i bën për të përfituar, zv/kryeministri Behgjet Pacolli ka thënë se Qeveria pjesë e së cilës është i ka borxh.
Në një intervistë për emisionin Interaktiv të KTV-së, Pacolli ka thënë se Qeveria e Kosovës ia ka borxh atij dhe kompanisë së tij 850.000 euro nga tenderi i renovimit të Rilindjes, ku është e vendosur tani një pjesë e ekzekutivit.Ai ka thënë se do t’i duhen edhe 30 vjet që ta kthejë investimin që ka bërë në hotelin privat në qendër të Prishtinës. Pacolli sërish ka insistuar se ish-zv/ministri Astrit Haraqija ia kishte kërkuar milionat për t’ia kthyer AKP-ja Grandin. “E urrej AKP-në. Gjithmonë e kam urrejtur. Haraqija m’i ka kërkuar ato para, por Ukë Rugova nuk ka qenë pjesë e takimit. Ai priste jashtë”, ka thënë Pacolli.
Kryetari i AKR-së ka thënë se partia e tij do të garojë e vetme në zgjedhje, dhe se do ta ketë vështirë të bashkëpunojë me LDK-në e Mustafës, të cilën nuk e ka ndihmuar në Prishtinë.
Pacolli tha se i kishte mbetur fort hatri kur Agim Çeku kaloi në PDK, porse kjo i shërbeu që ta kuptojë se ai ishte një oportunist.
Zv/kryeministri vazhdon të besojë që Mali e ka njohur Kosovën, sikurse edhe Nigeria e Uganda, njohje që nuk ekzistojnë sipas MPJ-së. Numri dy i kabinetit qeveritar ka lënë të kuptohet se nuk do të ishte asnjë problem që kryetarët serbë të betoheshin pa flamurin e Kosovës, sepse me rëndësi sipas tij është puna që do të bëjnë më pas për qytetarët.
Nënshkruhet Deklarata për partneritet strategjik Kosovë-Shqipëri
7:00 AM
No comments
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nënshkruan Deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Deklarata u bë e ditur se përbëhet nga katër shtylla kryesore: bashkëpunimi në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, bashkëpunim në çështjet e brendshme, bashkëpunim në fushën ekonomike si de bashkëpunim në fushën e arsimit dhe kulturës, transmeton Telegrafi.Po ashtu marrëveshje u nënshkrua në fushën e transportit dhe infrastrukturës si dhe për bashkëpunim tregtar nga dy ministritë relevante.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se të dy qeveritë do të angazhohen për mbështetjen e projekteve të përbashkëta në të gjitha fushat.
Ai tha se ministritë përkatëse do të marrin përsipër angazhimet për zbatimin e projekteve të dala nga mbledhja e përbashkëta e dy qeverive.
Po ashtu u bë e ditur se do të ketë edhe konsullata të përbashkëta, dhe si fillim do të jenë dy. Po ashtu kanë rënë dakord për një fond zhvillimor, në funksion të lehtësimit të kushteve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se shprehin përjetësisht mirënjohje për ata që dhanë dhe jetën që rruga e shqiptarëve të mbërrinte edhe te ky stacion, ku janë mbledhur në Prizren, në qytetin simbol shqiptarë dhe evropian.
“Simbol shqiptar i bashkimit, simbol evropian i bashkëjetesës”, u shpreh Rama.
Ai tha se kjo mbledhje ishte një mbledhje pune dhe një mbledhje që vuri një gur themeltar, duke çelur një rrugë të re për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, social e kulturor të dy shteteve tona.
Sipas Ramës, të gjitha këto politika janë në funksion të jetës së përditshme të qytetarëve dhe në përputhej me objektivin e përbashkët për tu bërë pjesë e BE.
Ai paralajmëroi mbledhjen tjetër të radhës të dy qeverive në fund të majit ose në fillim të qershorit.
Bahtiri mbajti takim publik me qytetarë
6:57 AM
No comments
Kryetarit i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mbajtur të shtunën një takim publik me qytetarë. Ai është zotuar edhe një herë para tyre se do t’i mbaj premtimet që ka dhënë gjatë fushatës për hapjen e vendeve të reja të punës dhe për zhvillim ekonomik.
Bahtiri ka thënë para më se 100 qytetarëve të pranishëm në sallën e Kuvendit të Komunës, se do të bëj revolucion sa i përket zhvillimit ekonomik në Mitrovicë.“Jemi duke punuar ditë e natë që të përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë, të cilët janë duke jetuar në gjendje të mjerueshme”, tha ai.
Në fjalën e tij, Bahtiri, është ndalur edhe te funksionimi i rendit dhe ligjit. Ai tha se askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe të gjithë qytetarët do të jenë të barabartë.
“Ju jeni punëdhënës, ne jemi punëmarrës dhe ne do të punojmë për ju ashtu siç doni ju”, tha ai.
Në anën tjetër, qytetarët, një pjesë e madhe të cilëve ishte nga veriu i qytetit, u ankuan kryesisht për gjendje të rëndë ekonomike, për papunësi dhe probleme me strehim.
Ata shfaqën shpresën se kryetari Bahtiri do të përmirësoj gjendjen në Mitrovicë.
Elmaze Hasani, banore e veriut, u ankua se prej pasluftës bashkë me familjen jeton në gjendje të rëndë dhe pa mbështetje.
“Prej pasluftës jetojmë me qira dhe askush nuk ka na ndihmuar në këtë drejtim”, tha ajo, duke kërkuar që tash e tutje të trajtohen më mirë.
Viti 2013 me 52 fëmijë të braktisur
6:55 AM
No comments
Në Kosovë në vitin 2013 kanë qenë gjithsej 52 fëmijë të braktisur nga prindërit.
Zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se 40 prej tyre, gjatë vitit kanë gjetur përkujdesje familjare, pra janë adoptuar, derisa 14 fëmijë të braktisur, Qendra për Punë Sociale ka arritur t’i bashkojë me prindërit biologjikë.Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në repartin përkatës tashmë janë duke qëndruar 3 fëmijë pa përkujdesje prindërore, shkruan “Evropa e Lirë”.
Behxhet Gaxhiqi, zyrtar për informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Qendra për Punë Sociale, angazhohet së pari të bëjë realizimin e bashkimit familjar, pra të bashkojë fëmijën me familjen biologjike, gjë që është edhe roli i kësaj qendre.
“Mbrojtja e fëmijëve pa përkujdesje prindërore është mandat ligjor i Qendrës për Punë Sociale. Duke iu referuar kësaj, gjatë vitit 2013, nga kjo qendër janë referuar gjithsej 52 raste të fëmijëve të braktisur. Qendra për Punë Sociale angazhohet së pari të bëjë realizimin e bashkimit familjar me familjen biologjike, gjë që është edhe roli i kësaj qendre. Dhe, gjatë këtij viti janë realizuar 14 raste të bashkimit familjar të fëmijëve me familjarët e tyre”, ka bërë të ditur Gaxhiqi.
Ndërkaq, Gladiola Struga, nga koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, ka thënë se fenomeni i braktisjes së fëmijëve, është mjaft shqetësues dhe negativ, por nuk është term i panjohur, pasi që kjo, sipas saj, ndodh në gjithë botën.
“Mund të themi se, si në çdo vend tjetër të botës, edhe në Kosovë ka braktisje të fëmijëve derisa braktisja mund të jetë në momentin e lindjes apo edhe në mosha të tjera. Fenomeni i braktisjes është shqetësues, sepse është fenomen negativ, por në Kosovë nuk është nivel i lartë. Shqetësuese ka qenë periudha pasluftës”, është shprehur Struga.
Por, sipas saj, shqetësues mbetet fakti që disa fëmijë qëndrojnë në spital, pa u adoptuar për një kohë.
“Ajo që ngelet më shqetësuese është ajo e qëndrimit të gjatë në spital dhe vonesat në zgjidhjen e statusit. Kushtet janë ato të një spitali, dhe askush nuk i vë në dyshim që ato janë në maksimumin e mundshëm të mirë, por që janë kushte të një institucioni dhe kushte të një spitali, e që nuk ofrojnë aspak një ambient që muajt e parë të jetës, fëmijët t’i kalojnë shëndetshëm, ashtu sikur në një ambient familjar”, ka theksuar Struga.
Behxhet Gaxhiqi ka thënë se tashmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjithsej janë tre fëmijë që po presin të merren në adoptim.
“Në bazë të raportit të punëtores sociale aty, janë gjithsej tri raste të fëmijëve që janë të vendosur në bazë të marrëveshjes që ka Ministria e Shëndetësisë me atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, ata qëndrojnë deri në 21 ditë, varësisht nga gjendja shëndetësore dhe më pastaj këto raste referohen në strehim familjar të përkohshëm ose në SOS Fshatin e Fëmijëve”, ka theksuar Gaxhiqi.Që të adoptohet një fëmijë, janë të paraparë procedura dhe afate ligjore. Ndryshe, psikologët në vend thonë se rëndësia e birësimit deri në moshën njëvjeçare, është shumë e madhe.
Sipas statistikave botërore, është evidente që edhe vdekshmëria foshnjave është më e madhe nëse nuk gjendet një nënë që do t’i ofrojë përkujdesje fëmijës.
Wednesday, January 8, 2014
Kërkojnë para për gjoja qëllime bamirësie
8:02 AM
No comments
Dy të rinj në Ferizaj, duke shfrytëzuar foton e kryetarit të Shoqatës Humanitare Bamirëse "Feniks" Milaim Jashari, kanë filluar kërkimin e mjeteve materiale nëpër shtëpi, në emër të shoqatës, për gjoja qëllime bamirësie.
Drejtues të shoqatës këtë e kanë vlerësuar të jetë një veprim jo i mirë nga ana e tyre, duke u bërë thirrje atyre që të lënë anash këtë metodë përvetësimi të parave në emër të shoqatës.“Dy të rinj kanë kërkuar mjete nëpër shtëpi, për siç kanë thënë ndërtimin e një shtëpie në fshatin Komogllavë. Kanë qenë në shtëpinë e mikut tonë, i cili u ka thënë se shoqata nuk tubon para, duke e ditur misionin tonë. Unë lus këta të rinj që të gjejnë një rrugë tjetër të përfitimit, sepse kjo rrugë e tyre, nuk është e drejtë. Ndoshta kanë pasur nevojë për para, por kërkimi në emër të shoqatës është i papranueshëm", ka thënë Jashari.
Ndryshe drejtues të kësaj shoqate kanë thënë se të autorizuar për kërkimin e donacioneve nga donatorët, janë 5 anëtarë të kryesisë së kësaj shoqate.
Sipas Jasharit rasti është raportuar në policinë e Ferizajt, e cila ka filluar hetimet për kapjen e personave të dyshuar.
Bahtiri premton përmirësimin e kushteve të punës në shkolla
8:00 AM
No comments
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari, Safet Kamberi dhe drejtoresha e Arsimit, Ajmane Barani, ka vizituar të mërkurën disa shkolla fillore dhe te mesme me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë shkollor.
Ai u njoftua se gjysmëvjetori i dytë ka filluar në të gjitha shkollat e komunës pa probleme.Gjatë këtyre vizitave Bahitiri, premtoi mbështetje për përmirësimin e kushteve të punës nëpër shkolla. Gjatë takimit me nxënësit dhe mësimdhënësit e gjimnazit “Frang Bardhi” dhe me ata të shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina”, kryetari Bahtiri, kërkoi nga nxënësit që të mësojnë për t’u përgatitur për të ardhmen e Kosovës.
“Ne si autoritete komunale do të punojmë ditë e natë që të rritet cilësia e arsimit në Mitrovicë në mënyrë që ju ta keni të ardhmen e sigurt”.
Ai u premtoi nxënësve që pasi ata të përgatiten profesionalisht do t’i kenë të sigurta vendet e punës.
“Obligimi juaj është që të mësoni dhe të përgatiteni profesionalisht për tregun e punës, ndërsa ne do të ndihmojnë duke ju përmirësuar kushtet”, tha ai.
Në takim me mësimdhënësit e gjimnazit “Frang Bardhi”, Bahtiri dëgjoi për problemet me të cilat përballen ata, si mungesa e kabineteve dhe e pajisjeve për punë praktike, për të cilat premtoi se do të rregullohen brenda një afati të shkurtër kohor.
Ndërsa në shkollën e mesme ekonomike, kryetari Bahtiri, vizitoi nxënësit që ishin duke ndjekur orët profesionale.
Në ndërkohë drejtoresha e Arsimit, Ajmane Barani, ka vizituar disa shkolla fillore në rajonin e Shalës së Bajgores, ku është njoftuar me gjendjen e objekteve shkollore dhe fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.Me këtë rast, ajo ka shpërndarë dhurata simbolike për nxënësit e shkollave fillore të dhuruara nga kompania “Vipa-chips”.
Subscribe to:
Posts (Atom)










