Friday, May 17, 2013

Rrihet për vdekje polici në Prekaz

Sulmohet nga katër persona
 Një pjesëtar i policisë së Kosovës, është sulmuar fizikisht nga një grup i së paku katër personave, ndërsa ka pranuar lëndime të rënda trupore.
Sipas Policisë, rasti është raportuar të ketë ndodhur dje rreth orës 13:30min, në fshatin Prekaz i Epërm, të Skenderajt, derisa polici ishte duke dalë nga një shitore,transmeton indeksonline.
“Pjesëtari i Policisë së Kosovës, i cili në kohën e incidentit ishte duke shkuar në punë, ishte ndalur në një shitore në fshat, për furnizim, ndërsa veturën e tij private e kishte parkuar para dyqanit. Me të dalë jashtë lokalit, viktima është sulmuar fizikisht, me mjete të forta, nga grupi i së paku katër personave, të njohur për viktimën”, bënë të ditur Zyrtar për informim publik e policisë për rajonin e Mitrovicës.
Goditjet më të renda, ai i ka marrë në pjesë të kokës ndërsa më pas, i është dëmtuar edhe automjetin e tij privat.
Sulmi fizik ndaj pjesëtarit të policisë së Kosovës, konsiderohet të ketë qenë i planifikuar nga personat e dyshuar, të cilët besohet se kanë kryer aktin e sulmit fizik, për motive të hakmarrjes.
“Palët në konflikt kanë të regjistruara raste të problemeve të mëhershme ndër familjare të cilat kanë mbetur të pazgjidhura”, bën të ditur tutje policia.
I rrahuri, fillimisht është dërguar në qendrën e mjekësisë familjare në Skenderaj, për tu transferuar në QKUK Prishtinë për trajtim të mëtejmë. Sipas raportit mjekësor, konsiderohet lëndimet e pranuara në këtë rast i përkasin natyrës së lëndimeve të rënda trupore.
Hetuesit policor nga drejtoria rajonale në Mitrovicë, janë duke ndjekur hetimet e këtij rasti ndërsa shtëpitë e të dyshuarve janë bastisur në kërkim të sulmuesve.
Deri më tani nuk është arrestuar askush lidhur me rastin, mirëpo hetuesit policor janë në kërkim të dyshuarve, identiteti i të cilëve është i njohur për Policinë e Kosovës.

0 comments:

Post a Comment