kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

Saturday, January 11, 2014

Pacolli: Qeveria m’i ka borxh 850.000 euro, Çeku oportunist

Në përpjekje për të treguar se bizneset që bën në Kosovë nuk i bën për të përfituar, zv/kryeministri Behgjet Pacolli ka thënë se Qeveria pjesë e së cilës është i ka borxh.

Në një intervistë për emisionin Interaktiv të KTV-së, Pacolli ka thënë se Qeveria e Kosovës ia ka borxh atij dhe kompanisë së tij 850.000 euro nga tenderi i renovimit të Rilindjes, ku është e vendosur tani një pjesë e ekzekutivit.
Ai ka thënë se do t’i duhen edhe 30 vjet që ta kthejë investimin që ka bërë në hotelin privat në qendër të Prishtinës. Pacolli sërish ka insistuar se ish-zv/ministri Astrit Haraqija ia kishte kërkuar milionat për t’ia kthyer AKP-ja Grandin. “E urrej AKP-në. Gjithmonë e kam urrejtur. Haraqija m’i ka kërkuar ato para, por Ukë Rugova nuk ka qenë pjesë e takimit. Ai priste jashtë”, ka thënë Pacolli.
Kryetari i AKR-së ka thënë se partia e tij do të garojë e vetme në zgjedhje, dhe se do ta ketë vështirë të bashkëpunojë me LDK-në e Mustafës, të cilën nuk e ka ndihmuar në Prishtinë.
Pacolli tha se i kishte mbetur fort hatri kur Agim Çeku kaloi në PDK, porse kjo i shërbeu që ta kuptojë se ai ishte një oportunist.
Zv/kryeministri vazhdon të besojë që Mali e ka njohur Kosovën, sikurse edhe Nigeria e Uganda, njohje që nuk ekzistojnë sipas MPJ-së. Numri dy i kabinetit qeveritar ka lënë të kuptohet se nuk do të ishte asnjë problem që kryetarët serbë të betoheshin pa flamurin e Kosovës, sepse me rëndësi sipas tij është puna që do të bëjnë më pas për qytetarët.

Nënshkruhet Deklarata për partneritet strategjik Kosovë-Shqipëri

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nënshkruan Deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Deklarata u bë e ditur se përbëhet nga katër shtylla kryesore: bashkëpunimi në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, bashkëpunim në çështjet e brendshme, bashkëpunim në fushën ekonomike si de bashkëpunim në fushën e arsimit dhe kulturës, transmeton Telegrafi.
Po ashtu marrëveshje u nënshkrua në fushën e transportit dhe infrastrukturës si dhe për bashkëpunim tregtar nga dy ministritë relevante.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se të dy qeveritë do të angazhohen për mbështetjen e projekteve të përbashkëta në të gjitha fushat.
Ai tha se ministritë përkatëse do të marrin përsipër angazhimet për zbatimin e projekteve të dala nga mbledhja e përbashkëta e dy qeverive.
Po ashtu u bë e ditur se do të ketë edhe konsullata të përbashkëta, dhe si fillim do të jenë dy. Po ashtu kanë rënë dakord për një fond zhvillimor, në funksion të lehtësimit të kushteve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se shprehin përjetësisht mirënjohje për ata që dhanë dhe jetën që rruga e shqiptarëve të mbërrinte edhe te ky stacion, ku janë mbledhur në Prizren, në qytetin simbol shqiptarë dhe evropian.
“Simbol shqiptar i bashkimit, simbol evropian i bashkëjetesës”, u shpreh Rama.
Ai tha se kjo mbledhje ishte një mbledhje pune dhe një mbledhje që vuri një gur themeltar, duke çelur një rrugë të re për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, social e kulturor të dy shteteve tona.
Sipas Ramës, të gjitha këto politika janë në funksion të jetës së përditshme të qytetarëve dhe në përputhej me objektivin e përbashkët për tu bërë pjesë e BE.
Ai paralajmëroi mbledhjen tjetër të radhës të dy qeverive në fund të majit ose në fillim të qershorit.

Bahtiri mbajti takim publik me qytetarë

Kryetarit i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mbajtur të shtunën një takim publik me qytetarë. Ai është zotuar edhe një herë para tyre se do t’i mbaj premtimet që ka dhënë gjatë fushatës për hapjen e vendeve të reja të punës dhe për zhvillim ekonomik.

Bahtiri ka thënë para më se 100 qytetarëve të pranishëm në sallën e Kuvendit të Komunës, se do të bëj revolucion sa i përket zhvillimit ekonomik në Mitrovicë.
“Jemi duke punuar ditë e natë që të përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë, të cilët janë duke jetuar në gjendje të mjerueshme”, tha ai.
Në fjalën e tij, Bahtiri, është ndalur edhe te funksionimi i rendit dhe ligjit. Ai tha se askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe të gjithë qytetarët do të jenë të barabartë.
“Ju jeni punëdhënës, ne jemi punëmarrës dhe ne do të punojmë për ju ashtu siç doni ju”, tha ai.
Në anën tjetër, qytetarët, një pjesë e madhe të cilëve ishte nga veriu i qytetit, u ankuan kryesisht për gjendje të rëndë ekonomike, për papunësi dhe probleme me strehim.
Ata shfaqën shpresën se kryetari Bahtiri do të përmirësoj gjendjen në Mitrovicë.
Elmaze Hasani, banore e veriut, u ankua se prej pasluftës bashkë me familjen jeton në gjendje të rëndë dhe pa mbështetje.
“Prej pasluftës jetojmë me qira dhe askush nuk ka na ndihmuar në këtë drejtim”, tha ajo, duke kërkuar që tash e tutje të trajtohen më mirë.

Viti 2013 me 52 fëmijë të braktisur

Në Kosovë në vitin 2013 kanë qenë gjithsej 52 fëmijë të braktisur nga prindërit.

Zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se 40 prej tyre, gjatë vitit kanë gjetur përkujdesje familjare, pra janë adoptuar, derisa 14 fëmijë të braktisur, Qendra për Punë Sociale ka arritur t’i bashkojë me prindërit biologjikë.
Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në repartin përkatës tashmë janë duke qëndruar 3 fëmijë pa përkujdesje prindërore, shkruan “Evropa e Lirë”.
Behxhet Gaxhiqi, zyrtar për informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Qendra për Punë Sociale, angazhohet së pari të bëjë realizimin e bashkimit familjar, pra të bashkojë fëmijën me familjen biologjike, gjë që është edhe roli i kësaj qendre.
“Mbrojtja e fëmijëve pa përkujdesje prindërore është mandat ligjor i Qendrës për Punë Sociale. Duke iu referuar kësaj, gjatë vitit 2013, nga kjo qendër janë referuar gjithsej 52 raste të fëmijëve të braktisur. Qendra për Punë Sociale angazhohet së pari të bëjë realizimin e bashkimit familjar me familjen biologjike, gjë që është edhe roli i kësaj qendre. Dhe, gjatë këtij viti janë realizuar 14 raste të bashkimit familjar të fëmijëve me familjarët e tyre”, ka bërë të ditur Gaxhiqi.
Ndërkaq, Gladiola Struga, nga koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, ka thënë se fenomeni i braktisjes së fëmijëve, është mjaft shqetësues dhe negativ, por nuk është term i panjohur, pasi që kjo, sipas saj, ndodh në gjithë botën.
“Mund të themi se, si në çdo vend tjetër të botës, edhe në Kosovë ka braktisje të fëmijëve derisa braktisja mund të jetë në momentin e lindjes apo edhe në mosha të tjera. Fenomeni i braktisjes është shqetësues, sepse është fenomen negativ, por në Kosovë nuk është nivel i lartë. Shqetësuese ka qenë periudha pasluftës”, është shprehur Struga.
Por, sipas saj, shqetësues mbetet fakti që disa fëmijë qëndrojnë në spital, pa u adoptuar për një kohë.
“Ajo që ngelet më shqetësuese është ajo e qëndrimit të gjatë në spital dhe vonesat në zgjidhjen e statusit. Kushtet janë ato të një spitali, dhe askush nuk i vë në dyshim që ato janë në maksimumin e mundshëm të mirë, por që janë kushte të një institucioni dhe kushte të një spitali, e që nuk ofrojnë aspak një ambient që muajt e parë të jetës, fëmijët t’i kalojnë shëndetshëm, ashtu sikur në një ambient familjar”, ka theksuar Struga.
Behxhet Gaxhiqi ka thënë se tashmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjithsej janë tre fëmijë që po presin të merren në adoptim.
“Në bazë të raportit të punëtores sociale aty, janë gjithsej tri raste të fëmijëve që janë të vendosur në bazë të marrëveshjes që ka Ministria e Shëndetësisë me atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, ata qëndrojnë deri në 21 ditë, varësisht nga gjendja shëndetësore dhe më pastaj këto raste referohen në strehim familjar të përkohshëm ose në SOS Fshatin e Fëmijëve”, ka theksuar Gaxhiqi.Që të adoptohet një fëmijë, janë të paraparë procedura dhe afate ligjore. Ndryshe, psikologët në vend thonë se rëndësia e birësimit deri në moshën njëvjeçare, është shumë e madhe.
Sipas statistikave botërore, është evidente që edhe vdekshmëria foshnjave është më e madhe nëse nuk gjendet një nënë që do t’i ofrojë përkujdesje fëmijës.

Wednesday, January 8, 2014

Kërkojnë para për gjoja qëllime bamirësie

Dy të rinj në Ferizaj, duke shfrytëzuar foton e kryetarit të Shoqatës Humanitare Bamirëse "Feniks" Milaim Jashari, kanë filluar kërkimin e mjeteve materiale nëpër shtëpi, në emër të shoqatës, për gjoja qëllime bamirësie.

Drejtues të shoqatës këtë e kanë vlerësuar të jetë një veprim jo i mirë nga ana e tyre, duke u bërë thirrje atyre që të lënë anash këtë metodë përvetësimi të parave në emër të shoqatës.
“Dy të rinj kanë kërkuar mjete nëpër shtëpi, për siç kanë thënë ndërtimin e një shtëpie në fshatin Komogllavë. Kanë qenë në shtëpinë e mikut tonë, i cili u ka thënë se shoqata nuk tubon para, duke e ditur misionin tonë. Unë lus këta të rinj që të gjejnë një rrugë tjetër të përfitimit, sepse kjo rrugë e tyre, nuk është e drejtë. Ndoshta kanë pasur nevojë për para, por kërkimi në emër të shoqatës është i papranueshëm", ka thënë Jashari.
Ndryshe drejtues të kësaj shoqate kanë thënë se të autorizuar për kërkimin e donacioneve nga donatorët, janë 5 anëtarë të kryesisë së kësaj shoqate.
Sipas Jasharit rasti është raportuar në policinë e Ferizajt, e cila ka filluar hetimet për kapjen e personave të dyshuar.

Bahtiri premton përmirësimin e kushteve të punës në shkolla

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari, Safet Kamberi dhe drejtoresha e Arsimit, Ajmane Barani, ka vizituar të mërkurën disa shkolla fillore dhe te mesme me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë shkollor.

Ai u njoftua se gjysmëvjetori i dytë ka filluar në të gjitha shkollat e komunës pa probleme.
Gjatë këtyre vizitave Bahitiri, premtoi mbështetje për përmirësimin e kushteve të punës nëpër shkolla. Gjatë takimit me nxënësit dhe mësimdhënësit e gjimnazit “Frang Bardhi” dhe me ata të shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina”, kryetari Bahtiri, kërkoi nga nxënësit që të mësojnë për t’u përgatitur për të ardhmen e Kosovës.
“Ne si autoritete komunale do të punojmë ditë e natë që të rritet cilësia e arsimit në Mitrovicë në mënyrë që ju ta keni të ardhmen e sigurt”.
Ai u premtoi nxënësve që pasi ata të përgatiten profesionalisht do t’i kenë të sigurta vendet e punës.
“Obligimi juaj është që të mësoni dhe të përgatiteni profesionalisht për tregun e punës, ndërsa ne do të ndihmojnë duke ju përmirësuar kushtet”, tha ai.
Në takim me mësimdhënësit e gjimnazit “Frang Bardhi”, Bahtiri dëgjoi për problemet me të cilat përballen ata, si mungesa e kabineteve dhe e pajisjeve për punë praktike, për të cilat premtoi se do të rregullohen brenda një afati të shkurtër kohor.
Ndërsa në shkollën e mesme ekonomike, kryetari Bahtiri, vizitoi nxënësit që ishin duke ndjekur orët profesionale.
Në ndërkohë drejtoresha e Arsimit, Ajmane Barani, ka vizituar disa shkolla fillore në rajonin e Shalës së Bajgores, ku është njoftuar me gjendjen e objekteve shkollore dhe fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.Me këtë rast, ajo ka shpërndarë dhurata simbolike për nxënësit e shkollave fillore të dhuruara nga kompania “Vipa-chips”.

Kosova nuk ka nevojë për OBT?

Autoritetet kompetente kanë bërë të gjithë përgatitjet për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë, (OBT), por deri më tani nuk është aplikuar, thonë zyrtarë qeveritarë.

Blerim Ahmeti, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se janë të gatshëm për aplikim, por anëtarësimi në këtë organizatë, është vullnetar dhe jo i obligueshëm. Në fazën aktuale të zhvillimit ekonomik, sipas tij, nuk është i leverdishëm anëtarësimi në OBT.
Sipas Ahmetit, duke marrë parasysh fuqinë prodhuese të Kosovës, ky anëtarësim nuk është urgjent, por në të ardhmen edhe Republika e Kosovës duhet të bëhet pjesë e OBT-së.
“Ne nuk kemi asnjë nevojë të ngutemi në këtë proces, për arsye se nuk është e obligueshme të jesh anëtar i OBT-së. Në njëfarë mënyre, edhe në fazën që jemi duke kaluar, kur një pjesë e madhe e buxhetit të Kosovës mblidhet në kufi, Kosovës nuk i konvenon që të zvogëlohen të hyrat. Kjo sepse kur e lidh marrëveshjen me OBT-në dhe bëhesh anëtar i përhershëm, atëherë duhet të hyhet në marrëveshje bilaterale me të gjitha vendet anëtare dhe në një mënyrë ndikon që edhe tregtia me vendet tjera të moderohet”, thotë Ahmeti.
Edhe ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se autoritetet kompetente nuk duhet të nguten që të aplikojnë në këtë organizatë.
Gazmend Qorraj, profesor në Fakultetin Ekonomik, i cili ka specializuar për integrimet evropiane, thotë se Kosova nuk duhet të rrezikojë të krijojë marrëveshje të reja, ose të hyjë në organizata botërore, të cilat kërkojnë ekspertiza, mbështetje politike dhe çështje tjera.
Ai konsideron se ky proces nuk është i domosdoshëm dhe kjo mund të paraqesë rrezik.
“Kosova edhe ashtu është duke u ballafaquar me negociata politike, me negociata për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit dhe duke i njohur mirë ato procese, konsideroj se për momentin, Kosova nuk ka kapacitete institucionale. Dhe, duke ditur se çfarë sfidash do të ketë në ato negociata, konsideroj se për momentin do të jetë gati i pamundur anëtarësimi i Kosovës në OBT”, thekson Qorraj për Radion Evropa e Lirë.
Kosova praktikisht nuk është e gatshme të jetë pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë, edhe nëse plotësohen të gjitha procedurat legale, thotë drejtori ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, Agron Demi, duke shtuar se Kosova ende ka një deficit të lartë tregtar.
“Anëtarësimi në OBT, vetëm sa do ta rëndojë gjendjen nëse situata brenda nuk përmirësohet, për shkak se OBT nënkupton se të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate do të eksportojnë lirshëm, pa barriera doganore në Kosovë, e Kosova në këtë afat zhvillimi ka nevojë për barriera doganore. Prandaj, është mirë që Kosova formalisht edhe për një kohë mos të kandidojë zyrtarisht për anëtarësim në OBT”, vlerëson Demi.
Sidoqoftë, në fund të vitit të kaluar, përfaqësuesit e 159 vendeve anëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) kanë arritur pajtueshmëri për marrëveshjen, me të cilën synohet nxitja e tregtisë globale.
Në marrëveshje përfshihen edhe përkushtimet e vendeve anëtare për lehtësimin e tregtisë duke i thjeshtësuar procedurat doganore

Sejdiu: Jam institucionalist, jo puçist

Kryetari i nderit i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka komentuar deklaratat e krerëve të LDK-së, të cilët e quajtën Sejdiun puçist dhe shantazhues.

Sejdiu në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se nuk dëshiron që të merret me Haki Rugovën, por tha se puçin e kanë bërë ata.
“Veç një gjë duhet ta dimë që puçin e kanë bërë ata dhe se unë çdo herë kam qenë institucionalist dhe i kam ndjekur rrugët institucionale”, ka thënë Sejdiu.
Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka thënë për mediat se praktikat e Sejdiut janë shantazhuese, jo bashkëpunuese dhe si të tilla të papranueshme për atë

Tuesday, January 7, 2014

Të premten konstituimi i seancave në veri

Refuzimi i strukturave të reja udhëheqëse në veri që të betohen sipas ligjeve të Kosovës ka shtyrë konstituimin e katër komunave veriore të vendit, e që është dashur të mbahen më 24 dhjetor të vitit të kaluar

Këshilltari i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës nga Partia Demokratike e Kosovës, Emir Azemi, ka thënë për Kosovapress se të hënën është ftuar gojarisht përmes një “postieri” jo serb nga kryetari i sapo zgjedhur Kërstimir Pantic, për të marrë pjesë në seancën inauguruese që do të mbahet të premten.
“Pres që deri të mërkurën të marrim edhe ftesat të cilat sipas të gjitha gjasave do të jenë ndryshe nga ato që kemi marrë herën e parë. Mirëpo, nëse këto ftesa do të jenë në përputhje me ligjet e Kosovës ne do t’i pranojmë ato, ndryshe, nuk do t’i pranojmë dhe as që do të marrim pjesë në atë seancë”, ka thënë Azemi.
Ndërkaq, Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, shpreson se më në fund të premten do të mbahet seanca inauguruese në veri të Mitrovicës, por edhe në komunat tjera veriore.
“Mendoj se ligjet e Kosovës do të respektohen kësaj radhe, pikërisht sipas marrëveshjes së Brukselit, dhe seanca do të mbahet të premten”, ka thënë për Kosovapress, Hoxhiq.
Kosovapress ka provuar për dy ditë me radhë të marrë deklaratë rreth kësaj çështje nga ndonjëri prej liderëve serbë në veri, por nuk ka arritur të kontaktojë me asnjërin prej tyre.
Në anën tjetër, burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se liderët serbë të veriut janë nën presion të jashtëzakonshëm nga Beogradi, i cili po ashtu po “shtrëngohet” nga BE-ja, që të respektohet Ligji i Republikës së Kosovës për pushtetin lokal, i cili përcakton qartë se inaugurimi i kuvendeve të komunave dhe betimi i kryetarëve duhet të bëhet duke respektuar simbolet dhe ligjet e Kosovës.
Sipas këtyre burimeve, edhe vizitat e personaliteteve të larta nga Beogradi gjatë Krishtlindjeve në Kosovë, janë në funksion të një presioni të tillë ndaj liderëve serbë të veriut.
“Gjithçka po bëhet që të respektohet afati kohor me ligj, dhe të mos ketë nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat veriore, duke ruajtur kështu në të njëjtën kohë edhe investimet e mëdha të BE-së për zgjedhjet e organizuara në atë pjesë të Kosovës”, kanë thënë burimet.
Ndryshe, afati i fundit ligjor për konstituimin e organeve lokale pas zgjedhjeve të 3 nëntorit është e premte, 10 janari.

Vulin: Gjakovarët nuk janë njerëz

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin pas dështimit që të hyjë në Kishën Ortodokse në Gjakovë, ka mbetur shumë i inatosur sa që ka fyer nënat, baballarët dhe familjarët e viktimave të luftës dhe të zhdukurve në Kosovë, të cilët protestuan para Kishës.

Ai ka thënë se ata “nuk janë njerëz”. “Ndoshta kanë qenë shqiptarë, nuk e di, por njerëz ju siguroj se nuk kanë qenë”, ka thënë Vulin për Radio Televizionin e Serbisë.
Vulin po ashtu ka bërë thirrje te komuniteti ndërkombëtarë që të punojnë më shumë për sigurimin e të drejtave të serbëve në Kosovë,<

Më 10 janar, takimi i radhës në Bruksel

Ndonëse nesër hyn në fuqi vendimi për pagesën e polisave të sigurimit në dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës Jarinje dhe Bërnjak, ende nuk dihet se kur do të fillojë zbatimi në praktikë i këtij vendimi.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë për RTK-në se më 10 janar në Bruksel zhvillohet takimi i radhës së Grupeve punuese për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo ka bërë me dije se aty do të caktohet data për zbatimin e këtij vendimi.

Mustafa, Sejdiut: LDK, partia e vetme që shënoi rritje të votës

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë të martën se LDK është partia e vetme që ka shënuar rritje të votave

Ai këto komente i bëri në rrjetin social “Facebook”, një ditë pasi ish lideri i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka thënë se nuk fitohet Prishtina  me duar në xhepa dhe mallkime.
“Pas fitoreve shumë të rëndësishme, që Lidhja Demokratike e Kosovës i arriti në zgjedhjet lokale, po vërehet një interesim i rritur që LDK-së t’i bashkëngjiten në forma të ndryshme njerëz, të cilët kanë treguar vlera dhe kanë dhënë kontribut në faza të ndryshme të zhvillimit tonë. Në këto zgjedhje, LDK ishte e vetmja parti e cila shënoi rritje të votës”, u shpreh Mustafa.
Ai më tej tha se zhvillimi i formave të ndryshme të bashkëpunimit me njerëz të rinj, qoftë për nga mosha qoftë për nga fakti se ata po i parapëlqejnë politikat, sjelljen dhe kulturën demokratike të LDK-së, dhe ardhja e tyre është në dobi të zhvillimit demokratik të vendit dhe të arritjes së synimeve tona qeverisëse.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e madhe, parti e shumë gjeneratave dhe përvojat e deritanishme të zhvillimit të reformave kanë treguar se diversiteti ka qenë një prej faktorëve kyç të kthesave pozitive. Vlerësime të tilla ka dhënë edhe Komisioni Verifikues i Partive Popullore Evropiane, i cili para dy viteve konstatoi reformat domethënëse në Lidhjen Demokratike të Kosovës, hapjen e saj ndaj të rinjve dhe femrave dhe qëndrueshmërinë dhe stabilitetin partiak, që rezultoi me pranimin e LDK-së në familjen e këtyre partive. Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur të punojë shumë që të fitojë në zgjedhjet nacionale, të cilat janë në prag, prandaj do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që reflektojnë frymë pozitive, që ofrojnë zgjidhje për zhvillimin e vendit tonë dhe i kontribuojnë kohezionit dhe mirëbesimit”, është shprehur Mustafa.

Monday, January 6, 2014

Lazio nënshtron Interin

Lazio ka arritur të fitojë tri pikë shumë të rëndësishme pas triumfit prej 1-0 kundër Interit në Stadio Olimpico.

Mysafirët e kontrolluan më shumë lojën në fraksionin e parë, por vendasit ishin më të rrezikshëm. Sidoqoftë, rrjetat heshtën.
Nerazzurrët vazhduan ta kenë posedimin edhe në gjysmën e dytë, ndërsa Biancocelestët mundoheshin me topa të gjatë apo me kundërsulme që të shënonin.
Pas një angazhimi të Cavandas, topi arriti te Antonio Candreva, i cili krosoi te Miroslav Klose dhe gjermani nuk fal (81’).
Zikaltrit vazhduan tentativat për të nxjerrë rezultat pozitiv nga kjo sfidë, por pa sukses.
Në portën e Lazios nga minuta e parë u angazhua portieri shqiptar, Etrit Berisha, i cili arriti ta mbajë të paprekur portën.
Interi mbetet në pozitën e gjashtë në tabelë me 31 pikë, tetë më pak se pozita e tretë që mbahet nga Napoli. Ndërkohë, Lazio është në vend të dhjetë me 23 pikë.

45 ish-ushtarë të UÇK-së kanë kryer vetëvrasje

Bashkohen dy qeveritë shqiptare

Kusari-Lila: Kam garanci nga qeveria se Vulin nuk do të vijë në Gjakovë

Kreu i Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, i ka thënë Kohës Ditore sot se ka marrë garanci nga qeveria e Kosovës se ministri serb nuk do të vijë në Gjakovë.Mbrëmë me të marrë lajmin, kam kontaktuar me zv. kryeministrin Hajredin Kuqi, të cilit i kam dërguar një letër, një porosi me kërkesën që Vulin të mos lejohet të vijë në Gjakovë. Gjithashtu, sot në mëngjes kam biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepin dhe kam informacion nga ana e tij, se Vulin nuk është lejuar të vijë në Gjakovë. Ai do të bëj vizitë në Kosovë, por nuk do të vizitojë Komunën e Gjakovës”, tha Kusari Lila.

Kusari Lila, të hënën në mëngjes, ka qëndruar edhe para Kishës ortodokse serbe në rrugën “Mbretëresha Teuta”, rreth së cilës janë stacionuar forca të policisë lokale dhe ato speciale.
Në këtë vend është paralajmëruar se do të mblidhen edhe qytetarë, të cilët që nga e diela në mbrëmje kur është dhënë informacioni për vizitën e ministrit serb kanë reaguar duke e kundërshtuar atë.
Vulin nuk heq dorë nga vizita në Gjakovë
E plotësuar: Ndonëse nga kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, është paralajmëruar se nuk do të kalojë mirë në vizitën që po pretendon t’ia bëjë Gjakovës sot, pa një kërkim-falje zyrtare për krimet e bëra gjatë luftës, ministri serb pa portofol në Qeverinë e Serbisë për Kosovën, Aleksandër Vulin, sipas medieve serbe, është i vendosur që të marrë pjesë në Krishtlindjet ortodokse në Manastirin e Bogodoricës në Gjakovë. /Koha/

Rrezikohet pakti për dialog

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me dialogun që po zhvillojnë Prishtina dhe Beogradi më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Nga AAK-ja, procesi i dialogut dhe negociatave tashmë po konsiderohet i degraduar dhe në dëm të Kosovës.
Ky subjekt politik, ende e ka nënkryetarin e parë të partisë, Blerim Shala, në postin e koordinatorit politik të këtij dialogu, shkruan “Tribuna”.
Megjithatë, përbrenda AAK-së që nga fillimi kishte disa mospajtime rreth pozicionit që ky subjekt politik ka mbajtur në raport me bisedimet dhe marrëveshjet. Së fundit, nënkryetari i saj, Ahmet Isufi, konfirmon se AAK nuk mund të mbështes tutje një proces po degradon dita- ditës.
“Dialogu ka devijuar dhe ka degraduar në dëm të Kosovës”, ka thënë Isufi. Sipas tij, ka një kohë të gjatë që palët në bisedime po harxhojnë kohë duke i rikthyer në rinegocim çështjet për të cilat tashmë ka marrëveshje dhe është dashur që moti të zbatohen. /Tribuna/
 

Sunday, January 5, 2014

Hoxhaj: Sivjet konsullatat në Munih dhe në Milano

Prishtinë, 5 janar - Ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar hapjen e dy konsullatave të reja të Kosovës, një në Milano dhe një në Munih.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka thënë se gjatë këtij viti do të ketë zgjerim të rrjetit diplomatik dhe konsullor.

“Ne do të hapim Konsullatën në Munih të Gjermanisë dhe një në Milano të Italisë. Kështu ne do të ofrojmë shërbime konsullore në dy qendra shumë të mëdha, ku deri më sot ka munguar ofrimi i shërbimeve konsullore. Po ashtu, këto dy qendra janë ndër më të zhvilluarat në Gjermani dhe në Itali”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se këto konsullata do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik.

Ministri po ashtu ka thënë se në vitin që lamë pas, Kosova ka vazhduar forcimin dhe shtrirjen e shërbimit të jashtëm dhe se tashmë janë 22 misione diplomatike, 14 misione konsullore dhe katër konsullata të përgjithshme, tri prej të cilave janë funksionalizuar në vitin 2013: ajo në Strasburg, Stamboll dhe Gjenevë.

“Këto misione do të jenë në shërbim të mbrojtjes dhe të promovimit të interesave të qytetarëve të Kosovës. Brenda vitit 2013, në këto misione janë pajisur më shumë se 25 mijë shtetas të Kosovës me pasaportë, derisa rreth 15 mijë me letërnjoftim. Pas fillimit të aplikimit të regjimit të vizave, misioni ynë në Stamboll ka pajisur 620 shtetas të huaj me viza të Republikës së Kosovës. Të gjitha këto flasin për një punë të madhe që është bërë nga stafi i misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:15 Best of Talk *** 18:00 Nëpër film (filmi gjatë vitit 2013) ® *** 18:50 Marketing *** 19:00 Lajmet e mbrëmjes *** 19:35 Filma Vizatimor: Pokoyo epis 21 dhe 22 *** 20:05 Serial: ”Transporter” epis. 4 *** 21:05 Vizion *** 22:00 Sporti Total *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ... Thaçi beson se PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet nacionale

Prishtinë, 5 janar - Hashim Thaçi, kryeministër aktual i Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, ka shfaqur shpresën se PDK-ja do t’I fitojë zgjedhjet nacionale që pritet të mbahen këtë vit. Ai në profilin e tij në Facebook, të dielën, ka shkruar se 2014-a do jetë edhe vit elektoral i zgjedhjeve nacionale.

“Partia Demokratike e Kosovës vazhdon e sigurt me besimin e qytetarëve, të jetë partia e parë në nivel vendit”, ka shkruar ai. Sipas tij, PDK duke qenë partia më e madhe e qendrës së djathtë në Kosovë, do t’i kultivojë vlerat tradicionale dhe vlerat themelore të së djathtës evropiane “si familja, shteti i së drejtës, tregu i lirë dhe orientimi i paluhatshëm Euro-Atlantik”.


Haradinaj: Ideali i Zahirit i jep kuptim lirisë sonë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga zyrtarë tjerë të partisë, vizitoi të dielën memorialin kombëtar të UÇK-së, “Zahir Pajaziti”, në Orllan të Podujevës.

Haradinaj u prit edhe nga familjarë të heroit Zahir Pajaziti dhe nga bashkëvendës të tij, me të cilët bëri homazhe dhe vendosi lule mbi varrin e heroit.

“Pavarësisht preokupimeve të përditshme të kohës në të cilën jetojmë, kujtimi për idealet dhe sakrificën e dëshmorëve të kombit i jep kuptim lirisë që ne gëzojmë sot. Ideali i Zahirit dhe dëshmorëve të kombit do të jetë përherë pjesë e vizionit tonë për Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

Kolonat e gjata, Policia bën thirrje që të përdoren edhe pikëkalimet tjera

Prishtinë, 5 janar (E plotësuar) - Lidhur me krijimin kolonave dhe pritjeve të gjata të krijuara në dalje të pikëkalimeve kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës njofton se është duke vazhduar punën me intensitet të shtuar, duke shtuar edhe korsi shtesë të kontrollit kufitar me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata për qytetarët.

“Edhe përkundër angazhimeve të pandërprera të zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, në pikëkalimet kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë vazhdojnë ende pritjet e gjata, edhe pse tani në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, pritjet janë shkurtuar deri në gjysmë ore pritje”, njofton Policia e Kosovës.

Deri të krijimi i kolonave, sipas PK-së, ka ardhur si rezultat i fluksit të madh të automjeteve, por edhe i problemeve, procedurave që aplikon pala serbe me plotësimin e formularëve hyrje- dalje gjatë kalimit kufitar.

Policia e Kosovës me zyrtarët e saj kufitarë mbetet e përkushtuar në angazhimet e pandërprera dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për të ju mundësuar qytetarëve kalim me të shpejtë me qellim të zvogëlimit të pritjeve.“Njëkohësisht PK apelon tek qytetarët që mundësisht të shfrytëzojnë edhe pikëkalimet tjera kufitare, si atë në Mutivodë dhe Muqibabë pasi që atje kohëzgjatja e kontrollit kufitar është normale. Edhe në këto pikëkalime kufitare aplikohen-kalohet me dokumentacionet e njëjta si në pikat tjera kufitare”, bën me dije Policia e Kosovës.

 Kolona automjetesh në kufi me Serbinë
Prishtinë, 5 janar – Janë shtuar pritjet në kufirin Kosovë-Serbi, njoftoi të dielën policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate.

Departamenti i Policisë kufitare, saktësisht zyrtarët policorë të pikëkalimeve kufitare, Merdare, Dheu i Bardhë dhe Mutivodë, informojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë krijuar kolona dhe pritje të gjata në dalje nga e Kosova në drejtim të Serbisë.

“Pritjet më të theksuara janë kryesisht në  dalje të pikëkalimeve kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë, ku kolonat janë të gjata diku nga 1-2 kilometra dhe që zgjasin 2 deri në  4 orë”, njofton PK-ja.

Sa i përket pikëkalimit kufitar, në Mutivodë,  në dalje  pritjet janë të shkurtra në kohëzgjatje normale, prej 10-20 minuta.

Kohëzgjatja e pritjeve në pikëkalime kufitare po ndryshon varësisht prej frekuentimit të automjeteve.

Policia e Kosovës ka shtuar policë nëpër këto pikëkalime kufitare, kurse është duke punuar me intensitet të shtuar. PK-ja tregon se ka shtuar edhe shirita shtesë të kontrollit kufitar, ndërsa sugjeron qytetarët që mundësisht të shfrytëzojnë pikëkalimet e tjera kufitare, ku ka më pak pritje, me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata në kolona të krijuara në këto pikëkalime.

Këto ditë kurbetçinjtë kosovarë që punojnë në Perëndim, pas pushimit në vendlindje kthehen në vendet e tyre të punës.

Medvegja po braktiset, kthehuni!

Nëse vazhdon trendi i shpërnguljes, brenda pak viteve Medvegja do të mbetet vetëm ëndërr e shqiptarëve. Atje tashmë kanë mbet vetëm disa shqiptarë, të cilët po mundohen ta ruajnë trungun që të mos thahet. Të mbeturit bëjnë thirrje: ...kthehuni!

Nëntë dekadat e jetës së tij, Ahmet Salihu nga Medvegja i kishte kaluar si Prometheu, duke u përball me tortura dhe vuajtjet serbe, shkruan Zëri.
Megjithëse krejt këto të këqija, duhet se e kanë forcuar plakun, 92 vjeçar. Ai është i vendosur që të mos e lëshojë Medvegjën.
Por pavarësisht shpërnguljeve, banorët e mbetur në qytetin që është veç 60 kilometra larg Prishtinës, të mbeturit në Medvegje e vazhdojnë jetën.
Numri i vogël i banorëve, bën që ata të gjithë ta njohin njëri-tjetrin.
Teksa kryetari është serb, nënkryetari i tyre është shqiptar. Por ikja nga Medvegja po paraqet rrezik për institucionet arsimore. Shkollat atje, janë drejt mbylljes.
Është kjo arsyeja që banorët e mbetur dhe komuna po kërkon që të gjithë të shpërngulurit nga Medvegja, të kthehen atje

Kandic: EULEX gaboi që e liroi Lushtakun për betim

Drejtuesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandic, ka vlerësuar se bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë mund të japin rezultat për fatin e 1700 personave të pagjetur.

Në një intervistë për “Koha Ditore” ajo ka vlerësuar se kjo çështje e cila po del se është diskutuar veç një herë në Bruksel, duhet të merret më seriozisht nga të dyja palët Kosova dhe Serbia.
Madje ajo ka vlerësuar se nuk ka pasur asnjë arsye që të ndërpriten gërmimet në Rashkë, ky dyshohet se janë rreth 250 viktima të luftës në Kosovë.
Ndërkohë është e pakënaqur me epilogun e proceseve gjyqësore që janë zhvilluar në Beograd për krime të luftës që janë bërë në Kosovë.
Gjithashtu ka thënë se EULEX veproi gabimisht kur e liroi kryetarin e Skenderajt Sami Lushtakun për ta bërë betimin. /Koha Ditore/
 

Zgjerohet debati për fenë

Në Kosovë çdo ditë e më shumë po hapen diskutime e debate për fenë, ndërsa kontribut të madh në këtë drejtim po japin edhe rrjetet sociale ku më së miri klerikë fetarë, persona të ndryshëm, por edhe personalitet publike po japin përshtypjet e tyre që shume shpesh po nxisin debate të ashpra mes grupacioneve ekstreme, e të cilët kur reagojnë nuk zgjedhin fjalët për ta sulmuar individin që kritikojnë qasjen e tyre.

Debati i fundit është hapur nga deklaratat e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Nuk i respektoj flliqtanat me mjekra”, ka thënë Haradinaj gjatë një interviste televizive për të shtuar se i respekton të gjitha besimet fetare në Kosovë, por qytetarët e këtij vendi sipas tij janë shqiptarë.
Por, debatet të tilla kanë filluar të marrin zjarr edhe nga prijësit fetarë dhe intelektualë të shquar në vend, të cilët kanë filluar të lëshojnë “shkëndija”, se çka është feja myslimane, ajo katolike, cila është feja më e vjetër e çështje të tilla

Kultura e shtetit në eskorta

Bregdeti shqiptar dhe ai malazez nuk pretendohet të ketë arsye të vizitohet ndonjëherë zyrtarisht nga autoritet shtetërore të Kosovës. Por, atje shpesh ka ndodhur që të parkohen vetura zyrtare të shtetit.

Resurset që ndërton shteti nuk pretendohet që të shfrytëzohen nga partitë politike, por në të gjitha zgjedhjet e deritanishme, liderët e partive në pushtet kanë udhëtuar cep më cep të Kosovës me vetura zyrtare.
Presidentja, kryeparlamentari, kryeministri edhe në udhëtimin më të shkurtër të tyre përcillen nga tre e më shumë vetura.
Njëjtë ndodh edhe me ministrat, duke trefishuar shpenzimin edhe për udhëtimin më të shkurtër. Njëjtë përcillen edhe të gjithë ministrat e zëvendësministrat që Qeveria i aktuale i ka më dhjetëra. /Tribuna/