Monday, April 15, 2013

Përkujtohen 23 qytetarët e vrarë në Lagjen e Boshnjakëve

Zyrtarë të Komunës së Mitrovicës, përfaqësues të institucioneve familjarë dhe qytetarë të veriut morën pjesë të hënën në shënimin e 14-vjetori të masakrës në Lagjen e Boshnjakëve, ku forcat serbe patën vrarë 23 qytetarë.
Tubimi u mbajt në shtëpinë e Mustafë Sahitit, e cila tashmë është shndërruar në Shtëpi Muze.
Aktivisti i Lagjes së Boshnjakëve, Emir Azemi, tha se pronari i shtëpisë ka bërë një punë të madhe meqë nuk e ka shitur këtë objekt për të cilin kishte oferta të mëdha nga strukturat ilegale serbe. “Për këtë shtëpi ka investuar Komuna e Mitrovicës që të konservohet dhe të ruhet si një dëshmi e barbarisë serbe në këtë vend”.
Duke folur për masakrën që ka ndodhur më 15 prill të vitit 1999, Azemi tha se pasi i kishin mbledhur rreth 80 persona në shtëpinë e Mustafë Sahitit në Lagjen e Boshnjakëve, forcat serbe kishin nisur torturimin e tyre. “Brenda një kohe të shkurtër i kishin vrarë 11 prej vetëm në atë vend, ndërsa 23 në gjithë lagjen”.
Ndërsa, ideatori i shndërrimit të këtij objekti në një Shtëpi Muze, Fevzi Beqiri, kërkoi nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare që të punohet në zbardhjen e këtij rasti në mënyrë që autorët të dalin para drejtësisë. “Akterët e këtij rasti janë në veri dhe ata lëvizin të lirë”, tha ai.
Të pranishmëve iu drejtua edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i cili tha se Komuna e Mitrovicës në kuadër të mundësive që ka do të investoj për ruajtjen e këtyre vende që dëshmojnë dhe ruajnë kujtesën historike.
“Ky është një vend që flet për një të kaluar dhe për një krim barbar të regjimit serb mbi shqiptarët e veriut”.
Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, ju drejtua të pranishmëve në emër të grupit parlamentar të PDK-së. “Ky muze i vogël këtu është dëshmi e një masakre të madhe të forcave serbe. Është simbolika e realiteti për gjithë Kosovën e asaj kohe. Respekti ndaj të rënëve është një hap të cilin duhet të bëjmë duke menduar në të ardhmen tonë”, tha ai. 
-->

0 comments:

Post a Comment