Sunday, June 9, 2013

Rikthehen rrugët ilegale të ikjes në Perëndim

Nuk është vetëm komuna e Vitisë epiqendër e ikjes masive të shtetasve kosovarë në Perëndim. Problemi i shfaqur i “arratisjes” nga Vitia tashmë ka ditë që është bërë publik. Koha.net mëson se ikja masive dhe tentime për t’ia mësyrë Perëndimit me çdo kusht, para se gjithash nëpërmjet rrugëve ilegale, ka ditë që po ndodhin edhe në disa qendra të tjera të Kosovës.


Me qindra shtetas kosovarë këto ditë kanë lëshuar Kosovën duke u nisur nga Podujeva, Skënderaj, Drenasi, Ferizaj dhe Prishtina, për të udhëtuar nëpër Serbi në drejtim të Hungarisë, prej nga nëse kanë fat, ilegalisht udhëtojnë për ndonjërin shtet më të afërt të perëndimit.
Sipas një burimi të sigurt nga Stacioni i Autobusëve të Prishtinës, ka ditë që ka nisur “lëvizje” e madhe e udhëtarëve me autobusët e linjave të rregullta në drejtim të kryeqytetit serb.
Fillimisht mbushej përplot për çdo natë autobusi që niset nga Prishtina në drejtim të Beogradit në orën 22.00, më pastaj për shkak të numrit të madh të udhëtarëve në këtë linjë janë nisur gjatë ditëve të fundit po të njëjtën kohë edhe nga dy e më shumë autobusë. Të gjithë këta të mbushur me shtetas të Kosovës, prej tyre shumica absolute qytetarë të moshës së re, e jo rrallë minorenë fare.
Në Podujevë, sipas burimeve flitet se në këto kohët e fundit, që kur ka filluar ikja ilegale për në Hungari, nga ky qytet janë larguar së paku 1.000 qytetarë, ndërsa nga Skenderaj dhe Drenasi madje edhe më shumë se kaq. Po kështu, sipas burimeve, edhe nga Ferizaj në të njëjtën mënyrë, me qindra të rinj farizajas janë nisur në këtë rrugë.
Burimi i Koha.net shpjegon se udhëtarët e “zorit” nisen vetëm me letërnjoftime, për çka tashmë Serbia në rastet më të shumta nuk bën problem, ndërsa me zbritjen nga autobusi në Beograd bien në duart e “sekserëve” shqiptarë dhe serbë të cilët kundrejt një çmimi prej 250-500 euro i dërgojë deri në kufirin serbo-hungarez, të cilin e kalojnë ilegalisht për t’u dorëzuar te policia hungareze, e cila i dërgon në qendrat e përkohshme të azilit.
Pastaj, kush ka fatin që të lejohet për të ikur në Perëndim vazhdon rrugën, të tjerët kthehen për në vendlindje të zhgënjyer, pas shpenzimeve jo të vogla dhe peripecive jo të pakta të përjetuara gjatë “aventurës” për të ikur në Perëndim.
-->

0 comments:

Post a Comment