Friday, June 14, 2013

Live nga Taksimi: Protestat vazhdojnë, Erdogani nuk shet shumë trimëri, por i dënon mediat! (Video)

Protestuesit në Taksim - përkundër premtimeve dhe “paralajmërimit të fundit” të kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan - nuk do të dorëzohen lehtë. Ndërkohë, mediat që raportojnë nga vendi i ngjarjes, çdo herë e më shumë po gjobiten. 


Në Sheshin Taksim të Stambollit, edhe sot u mblodhën protestuesit. Përleshje me policinë - e cila është ende e pranishme në rrugët katrore dhe përreth - nuk ka.
Erdogan tha të premten se shpreson që “sonte” protestuesit do të largohen nga Gezi Parku, pas premtimit se do të pezullojë planifikimin e projektit në park që kanë shkaktuar valë të protestave në tërë vendin.
"Shpresoj se gjithçka do të përfundojë deri në fund të ditës”, tha Erdogan në një fjalim në Ankara, duke u bërë thirrje edhe një herë protestuesve që të largohen nga parku. "Për dy ditë flas me përfaqësuesit (e protestuesve) dhe shpresoj që çdo gjë do të jetë mirë.
“Të rinj, mjaft keni mbetur (në park) dhe e keni dërguar mesazhin tuaj. Nëse mesazhi i përket Gezi Parkut, ajo u pranua ", tha kryeministri, duke pyetur se “pse janë aty, përderisa punimet nuk po kryhen”.
Ashtu siç bëri gjatë natës së kaluar, duke iu adresuar zëdhënësit të protestuesve, Erdogani përsëriti premtimin se në park nuk do të bëhet asgjë derisa gjykata nuk e merr vendimin për fatin e tij.
"Ne presim një vendim përfundimtar të gjykatës, pas së cilës do të organizojmë referendum dhe do të pranojmë rezultatin e tij. Çfarë tjetër mund të them?”, tha ai.
Platforma Solidariteti për Taksim, grupi kryesor koordinues për protestat në park, ka thënë se të premten në mbrëmje do të dalin me një deklaratë zyrtare për premtimet e fundit te Kryeministrit.
Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Turqisë për Radio dhe Televizione, ka imponuar dënime financiare për disa stacioneve televizive që kanë transmetuar direkt demonstratat. Në vendim thuhet se ato kanë “shkatërruar zhvillim fizik, moral dhe mental të të rinjve dhe fëmijëve”!
Siç raporton Hurriyet Daily News, në mesin e të ndëshkuarve janë kryesisht stacionet më të vogla, por të cilat kishin guxim t’ju kushtojnë vëmendje më të madhe ngjarjeve në Stamboll.
Mungesa e lirisë së shtypit është një prej shumë akuzave që protestuesit ia drejtojnë Erdoganit. Kjo ilustrohet më së miri me faktin se dega e CNN-it në Turqi, e cila njihet për transmetimet direkte nga vatrat e luftës, është detyruar që gjatë përleshjeve me policinë të japë një dokumentar rreth pinguinëve. -->

0 comments:

Post a Comment