Saturday, May 4, 2013

Përurohet xhamia më e bukur në Evropë

Kroaci
 
Në Rijekë të Kroacisë, sot në mesditë solemnisht do të hapet Qendra Islamike, ndërtimi i së cilës ka zgjatur më shumë se tre vjet, e ku janë investuar mbi 10 milionë euro.
Xhamia, respektivisht Qendra Islamike është konceptuar dhe projektuar nga akademiku Dusan Dzamonja, ndërsa për shkak të vlerave të veçanta të saja arkitektonike, kjo Qendër tashmë ka marrë epitetin e “Xhamisë më të bukur në Evropë”.
Aty do të tubohen besimtarët mysliman nga Rijeka dhe rajoni i gjerë në Istër. Në hapjen solemne praninë e kanë konfirmuar edhe presidenti kroat Ivo Josipovic, dhe kryetari i Parlamentit kroat Josip Leko.
Në hapje pritet të marrin pjesë mbi 20.000 njerëz nga mbarë bota, e ndër ta edhe shumë liderë fetarë, që do tu prijë Reis Ul-Ulema, Husein ef. Kavaz, kryetar i Meshihatit të Bashkësisë Islame në Kroaci, i shoqëruar nga Myftiu Aziz ef. Hasanovic dhe kardinali i Zagrebit, Josip Bozanic, transmeton INA.
Ndër të ftuarit e posaçëm janë ministri i Vakufit të shtetit të Katarit, dr. Gajs b. Mubarek el-Kuwari, që do të jetë i pranishëm në emër të shtetit të Katarit dhe donatorit më të madh nga ky shtet, emirit të Hamed bin Khalif et-Thani.
Gurëthemeli i Qendrës Islamike në Rijekë është vënë më 3 tetor 2009, ndërsa ndërtimi ka filluar në mars të vitit 2010. Qendra është ndërtuar në pjesën veriperëndimore të Rijekës, në afërsi të autostradës anësore. Autor i projektit ideor është Dusan Dzamonja, ndërsa idenë e tij e kanë jetësuar arkitektët Darko Vlaovic dhe Branko Vuçcnovic.
Qendra Islamike kap një sipërfaqe prej 5.300 metra katrorë.

0 comments:

Post a Comment