Sunday, April 28, 2013

Prishtina më e forta, e fiton Kupën e Kosovës

Sigal Prishtina është fituese e Kupës së Kosovës në basketboll. Bardh e kaltrit ia dolën ta mposhtin Pejën me rezultat 55:54 në finalen e madhe, që u zhvillua sonte në palestrën e sporteve ‘Sezai Surroi’ në Prizren, në një atmosferë të jashtëzakonshme, të krijuar nga tifozeritë e të dyja skuadrave, ‘Plisat’ dhe ‘Shqiponjat’.
Në një ndeshje mjaft interesante, ku u shënuan pak pikë, kryeqytetasit e menaxhuan mjaft mirë lojën, duke shënuar fitore me meritë.
Çereku i parë i ka takuar ekipit verdh e zi, të cilin e mbylli me tri pikë përpara, 23:20.
Ndërkaq, në periudhën e dytë më të mirë ishin prishtinasit, të cilët shkuan në pushim prej 15 minutash me epërsi 4 pikëshe, 38:34.
Ekipi i trajnerit Kandemir e ruajti me kujdes epërsinë edhe në 10 minutëshin e tretë, pas të cilit rezultati në semafor shënonte 51:47.
Periudha e katërt ishte mjaft dramatike. Edmond Azemi me shokë e arritën avantazhin maksimal prej 8 pikësh, 55:47, por më pas hasën në një seri të pejanëve prej 7:0, duke u ngushtuar rezultati në vetëm një pikë, 55:54. Në vazhdim, të dyja palët tentuan të shënonin, por ishin të pasakta, kështu që fitorja u takoi prishtinasve.
Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, trofeu i Kupës së Kosovës i takoi Penzës nga Peja, e cila e mundi Sigal Prishtinën me rezultat 73:61.

0 comments:

Post a Comment