Friday, June 7, 2013

Serbët e Kosovës martohen me vajza nga Shqipëria

Të rinjtë nga komuna e Rahovecit kanë pasur probleme me martesa, në veçanti pas vitit 1999. Vajzat kanë ikur në Serbi, ndërsa meshkujt nuk janë martuar, madje deri në moshën 50 vjeç. “Duket se është gjetur një zgjidhje”, shkruan Deutsche Welle.


“Quhem Trëndafile Kishi, nga rrethi i Krujës, në Shqipërinë Qendrore. Në Hoçë të Madhe jam martuar me Slavisa Pavlovicin dhe para gjashtë muajsh na ka lindur djali Nebojsha. Jam shumë e kënaqur me jetën time këtu. Vjehrra më ka pritur shumë mirë, ndërsa me burrin kuptohem mirë edhe pse ai nuk di shumë shqip e unë di pak serbisht."
Kështu flet kjo grua e re e cila ka ardhur nga Shqipëria në Kosovë dhe është martuar me një serb. Martesat me femra nga Shqipëria nuk janë të rralla, sepse ajo është vetëm një nga dhjetë shqiptaret e Shqipërisë, të cilat së fundi janë martuar këtu me serbë të komunës së Rahovecit. Djalin e saj të vogël në krah, përpiqet ta qetësojë duke i folur në gjuhën serbe.
Vjehrra e saj Zivana nuk e fsheh kënaqësinë me martesën e djalit të saj, sepse ai këto ditë i ka mbushur 40 vjet. Për të renë 26 vjeçare thotë: "Zoti më ka uruar me këtë të re(nuse). Ajo më respekton, më pyet nëse jam mirë dhe nëse më duhet diçka. Vajzat tona me siguri që nuk do të më pyesnin. Një herë kam qenë edhe në Shqipëri dhe ata njerëz më kanë lënë përshtypjen e njerëzve shumë të mirë. Nuk mund ta marrësh me mend sa të mirë janë. Jam shumë e kënaqur. Më ka lindur edhe një nip, të cilit ia kam vënë emrin e djalit, Nebojsa, të vrarë në vitin 1999. Këtu ka mjaft gra shqiptare të ardhura nga Shqipëria, por kjo e jona është më e mira“, thotë Zivana.
Të gjitha gratë nga Hoqa e Madhe, pra edhe ato që kanë ardhur këtu nga Shqipëria, shkojnë për t’i lindur fëmijët në Serbi. Por Trëndafilja ma lindi këtu në spitalin e Rahovecit.
"Më kanë pritur shumë mirë. Ne nuk i paguajmë kontrollet për fëmijë dhe shpresojmë se do të jetojnë mirë“.
Slavisa Pavlovic shpjegon se si e ka njohur gruan e tij në Shqipëri.
“Sa i përket njohjes, mua më ka njoftuar me të ndrikulla jonë, po ashtu nga Shqipëria. E kemi pëlqyer njëri-tjetrin dhe kemi rënë dakord. Kam pritur një javë dhe më pas i kam blerë një unazë, një orë... por nuk kam paguar asgjë për martesë, si disa të tjerë të cilët përmes agjencive kanë paguar nga 500 apo 1000 euro. Unë s\'kam dhënë asnjë cent”.
Slavisa thotë se është tepër i lumtur. Ka pritur gjatë për martesë, por tani është shumë i lumtur.
"Tani për tani gjendja është super. Sinqerisht, këto gra janë shumë të vyeshme dhe të ndershme. Ato t\'i respektojnë edhe prindërit, fëmijët, janë të pastra. S\'ka shanse që ajo të shkojë diku pa të pyetur. Janë shumë të ndershme“, pohon Slavisa.
Burrat e martuar me shqiptare nga Shqipëria në këtë fshat janë shumë të kënaqur. Hoça ka 500 banorë, shumë prej tyre të pamartuar. Vajzat zakonisht martohen me ndonjë jashtë Rahovecit, ndërsa burrat gjenden para një problemi të pazgjidhshëm. Ndaj Slavisa sugjeron: "Ata duhet të martohen me femra nga Shqipëria. Çka na mungon neve? Djali po më rritet. Ndryshe me siguri që ende do të isha i pamartuar". -->

0 comments:

Post a Comment