Saturday, May 11, 2013

Raporti i SHBA, mediat kosovare: Haradinaj lidhje me Kelmendin.



PRISHTINE- Mediat e Kosovës, duke iu referuar raportit të Departamentit Amerikan të Thesarit, të datës 4 qershor 2012, shkruajnë se ish-kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj ka mbajtur lidhje të afërta me të dyshuarin për kontrabandë ndërkombëtare të drogës, Naser Kelmendin.
Sipas gazetës “Express”, bazuar në një fletëarrest ndërkombëtar, Kelmendi u arrestua ditë më parë në lagjen Mat, të kryeqytetit të Kosovës. Naser Kelmendi dyshohet për vrasje, por edhe për atë se, në bashkëpunim me personat e tjerë që përmenden në raport, organizoi blerjen, transportin dhe shitjen e drogës nga Amerika Jugore dhe Turqia në Kosovë, Serbi,Bosnje e Hercegovinë (BeH), Kroaci dhe nëpër vendet e ndryshme të Europës.
Në raportin zyrtar të Departamentit amerikan të Thesarit, mes tjerash, thuhet se: “Presidenti amerikan, Barack Obama, ka njoftuar Kongresin për sanksionimin e Naser Kelmendit, sipas ligjit Kingpin, i cili implementohet nga Zyra për Kontrollin e Aseteve të Jashtme të Departamentit amerikan të Thesarit”.
Sipas po këtij raporti, Naser Klemendi, bijtë e tij, Elvisi, Liridoni dhe Besniku, dhe i vëllai, Beqiri, posedojnë disa biznese në BeH, Mal të Zi , Serbi dhe Kosovë, në mesin e të cilëve edhe hotele dhe kompani për transportin e natës. Veç kësaj, Kelmendi kishte kontrata edhe me disa biznesmenë të mëdhenj boshnjakë, si ajo me biznesmenin me patundshmëri, Fahrudin Radoncic – i cili aktualisht është pronar i gazetës më të madhe ditore në BeH, ‘Dnevni Avaz’, dhe ministër i Sigurisë në BeH. Veç kësaj, Departamenti i Thesarit në raport përmend edhe “lidhjet e Kelmendit me dy liderët e njohur ushtarakë boshnjakë të kohës së luftës, ish-komandantin e mbrojtjes së Srebrenicës, Naser Oric, dhe kolonelin e ushtrisë së BeH, Nihad Bojagic”.
“Njeriu më i besueshëm i tij është Muhamet Ali Gashi, i dyshuar si ‘shef i mafias shqiptare në Bosnje e Hercegovinë’. Ai raportohet se ka lidhje me edhe me biznesmenin kosovar, Ekrem Lluka, me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe me malazezët, Rok Stanaj dhe Safet Kalic”, – nënvizohet më tej në raportin e presidentit amerikan.
Nga ana tjetër, lideri i AAK-së, ka mohuar kategorikisht çfarëdo lidhje me Kelmendin. Nëpërmjet këshilltarit të tij, Avni Arifi, ish-kryeministri Haradinaj ka hedhur poshtë çfarëdo lidhje me Kelmendin.
“Kurrë në jetë nuk e kam njohur. Kurrë në jetë nuk e kam takuar. Kurrë në jetë nuk kam folur me të. Për herë të parë kamë dëgjuar për të kur kohëve të fundit, ka dalë në media”,- citoi Arifi fjalët e Haradinajt.
Ndërkohë, Naser Kelmendi duket se ka jetuar për muaj të tërë në lagjen Mat, konkretisht në të njëjtin bllok të banesave ku jeton edhe ministri aktual i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi. Banesa e Kelmendit me atë të Rexhepit janë rreth 100 metra larg njëra-tjetrës. Sipas banorëve Kelmendi kishte hyrë e dalë lirshëm nga atje, ishte vizituar nga shumë miq e partnerë – zakonisht me vetura me targa të Malit të Zi, të cilat parkoheshin para eskortës së përditshme të ministrit Rexhepi.

0 comments:

Post a Comment