Wednesday, January 1, 2014

Zyrtarët vendorë: Serbia e ka keqpërdor disa herë dialogun

Përfaqësues të partive politike të Kosovës, janë pro idesë që Qeveria e Kosovës të zhvillojë dialog me serbët e veriut, përveç Vetëvendosjes. Megjithatë, ata shprehin shqetësim për këtë, duke thënë se shteti serb e ka keqpërdorur disa herë dialogun me Kosovën.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi konsideron se Qeveria e Kosovës, duhet të angazhohet për integrimin e pakicave brenda Kosovës, por sipas tij, dialog duhet të ketë me të gjitha minoritetet në vend.

“Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të punojnë, të bisedojnë me të gjithë qytetarët e vendit dhe duhet të angazhohen për një integrim të të gjithëve në rrugëtimin e Kosovës, jo vetëm me një komunitet por me të gjithë , si me shumicën ashtu edhe me pakicat”, tha ai, raporton RTK.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thotë se në Kosovë asnjëherë nuk ka munguar vullneti për dialog. Por që më pas dialogu është keqpërdorur nga qytetarët serb të Kosovës, por edhe nga Serbia.

“Ata në vend që të punojnë që t’i integrojnë ose mos të ndikojnë në ‘dezintegrimin’ e vendit tonë, Serbia vazhdon ta bëjë të njëjtën gjë, nëpërmjet strukturave që tashmë kanë dal nga zgjedhjet. Dhe, ne besojmë që duhet fuqishëm të mbrohen dokumentet tona, në këtë rast akti më i lartë në këtë rast, Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Edhe AAK e mbështet dialogun mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve serb në Kosovë. Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini thotë se nuk ka asgjë të keqe nga dialogu, por që çështje më rëndësi mbetet implementimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo që do të jetë tepër e rëndësishme në këtë fillim vit është implementimi i marrëveshjes së 19 prillit. Nuk le shije të mirë as ndjenjë të mirë që një vit pas marrëveshjes të kemi barrikadë në lumin Ibër, këtë si shembull po e marr. Nuk mund të themi se patëm sukses nëse një kamion zall nuk kemi mundur ta heqim mbi urën në lumin Ibër”.

Shumë më ndryshe e shohin integrimin e veriut në Kosovë, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Visar Ymeri thotë se para së gjithash serbët e veriut duhet të njohin shtetësinë e Kosovës.

“Të gjitha proceset negociatore që janë zhvilluar deri tash me Serbinë për qëllim e kanë pasur, të paktën na është thënë integrimin e veriut në Kosovë. Dhe, tash pas të gjitha këtyre sërish po kërkohet që Kosova të nis një proces të ri të dialogut në mënyrë që ta integroi veriun. Po integrimi i veriut është bërë si një lloj arsyetimi kujdestar për çfarëdo procesi të negociatave e koncesioneve në Kosovë”.

Ymeri konsideron se të gjithë ata të cilët kanë fituar në zgjedhjet e fundit për të qeverisur komunat e caktuara të Kosovës, duhet që ta pranojnë, formalisht dhe realisht Republikën e Kosovës.

0 comments:

Post a Comment