Monday, December 30, 2013

Vitin tjetër, ndoshta me helikopterë?!

Kosova ende nuk ka helikopterë, të cilët do të ndihmonin në situata emergjente, kontroll kufitar e çështje të tjera të nevojshme.

Përfaqësues të institucioneve shtetërore, përgjegjëse për një situatë të tillë thonë se Kosova deri tani nuk ka pasur mundësi financiare, por që kanë krijuar bazën ligjore të nevojshme dhe infrastrukturën që kjo Njësi të ketë vendstacionimin.
Ata vlerësojnë se me asnjë mjet të menaxhimit të situatave emergjente nuk mund të reagohet sikur me helikopterë që mund të shpëtohen jetët e njerëzve, kontrollohet kufiri, kontrollohet komunikacioni, veprohet ditën dhe natën, dhe në kërkim-shpëtim të jetëve të njerëzve, të furnizohen njerëzit atje ku nuk ka asnjë lloj mënyre të furnizohen me medikamente dhe ushqim në rast se izolohen nga bora e madhe, vërshimet, rrëshqitjet, dëmtimi i rrugëve etj, shkruan “KosovaPress”.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se për formimin e Njësisë së Helikopterëve në kuadër të Policisë së Kosovës janë 62 ekspertë të kësaj fushe që nga pilotët, teknikët, inxhinierët, dhe ekipe të tjera mbështetëse të nevojshme për të jetësuar këtë Njësi.
Inxhinieri i aviacionit, njëherësh edhe zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, thotë për Kosovapress, se para dy vjetëve ka nisur angazhimin për formimin e kësaj Njësie, duke punuar me ekspertë për procedurat paraprake, duke e cilësuar si jashtëzakonisht të nevojshme.
Ibishi deklaron se i ka dhënë shumë rëndësi kësaj çështje dhe shpreson që Qeveria e Kosovës të jetësoj Njësinë për helikopterë gjatë vitit të ardhshëm, duke e funksionalizuar në kuadër të Policisë së Kosovës.
Kjo Njësi do t’i ketë tre helikopterë, të cilët, sipas Ibishit, dy prej tyre duhet të jenë dy motorësh, duke treguar se është si kriter dhe nuk tolerohen më në vend të urbanizuar të operojnë helikopter tjerë, dhe një i mesëm për reagim në situata emergjente.
Ai shprehet i bindur se disa shtete donatore i kanë treguar gatishmërinë për të dhënë donacion, dhe për të ndihmuar Kosovën sa i përket fushës së aviacionit.
Zëvendësministri Ibishi tregon se deri tash transporti i doganierëve në veri është bërë me helikopter të EULEX-it, kurse për situata emergjente nuk kanë pas asnjë mbështetje, por që pret të nënshkruajnë një marrëveshje më Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë për menaxhim të situatës nga ajri me ndihmën e helikopterëve të Shqipërisë, si zgjidhje e përkohshme.
“Problemi mesa kuptoj unë është në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, nuk shoh tjetër arsye ose problem të mundshëm. Po mendoj që, edhe shpresoj që Qeveria në krye me kryeministrin në vitin që vjen, jam i sigurt t'u ja ditë rëndësinë të gjithë, se sa do të thotë për Kosovën, sa është e rëndësishme kjo Njësi, besoj edhe jam i sigurt që Qeveria e din dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të gjejë mënyrë për të jetësu këtë Njësi. Me donacione, me një pjesë të buxhetit, me mënyrat të cilat ekspertët, gjegjësisht njerëzit autoritativ që kanë të bëjnë me buxhetin, të gjejnë mënyrë që të jetësojnë këtë Njësi. Sepse, për shtetin është mbi të gjitha prioritet dhe unë shpresoj që kjo të ndodhë vitin e ardhshëm”, thotë ai.
Edhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, vlerëson se Njësia e Helikopterëve, aktualisht, mund të funksionojë në kuadër të Policisë.
“Kosova, në përgjithësi, nuk i ka kapacitetet e aviacionit të ngritura. Ne si grup drejtues për rishikimin e sektorit të sigurisë, kemi aprovuar, si prioritet i kemi dhënë MPB-së dhe Policisë për arsye se ato kanë nevojë me tepër. Mirëpo, edhe ne, në të ardhmen, në strukturën e ardhshme e kemi në plan që duhet të ngrisim kapacitetet e aviacionit apo helikopterëve, në rend të parë të kërkim-shpëtimit, që shumëherë është shfaqur nevoja për dislokim të shpejtë, qoftë ajo për borë apo vërshime, apo çështje tjera që kanë ndodhur”, thotë Kastrati për Kosovapress.
Sa i përket shëndetësisë në situatat kur është dashur të bëhet ndonjë ndërhyrje me helikopterë ju ka ardhur në ndihmë KFOR-i, thotë drejtori në Qendrën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani.
Që nga viti 2007 janë munduar t'i bindin institucionet relevante në nivel të shtetit për aero-ambulancë, por ende nuk kanë marrë përgjigje, dhe se duhet të krijohen kushtet për sigurimin e helikopterëve.
“Kosova duhet patjetër ta ketë një ose dy helikopterë për nevojat e Republikës së Kosovës, të cilën e parasheh Ligji për Shërbime Emergjente, që të paktën, domethënë, në qoftë se Qendrës Klinike Universitare i paraqitet nevoja për evakuim të shpejtë, e vetmja mënyrë me qëllim të shpëtimit të jetëve është sigurimi i një aero-ambulance”, thotë Lenjani për Kosovapress.Në kuadër të Qendrës Klinike Universitare, Klinika Emergjente që nga viti 2007 ka rritë aktivitetet për avancimin dhe fuqizimin e shërbimeve emergjente, duke bërë planin ideor, gjegjësisht për dizajnimin e ndërtesës së re për Klinikën Emergjente, dhe në kuadër të kësaj si aneks projekt kanë bërë propozimin për ambulancë ajrore.

0 comments:

Post a Comment