Sunday, January 5, 2014

Hoxhaj: Sivjet konsullatat në Munih dhe në Milano

Prishtinë, 5 janar - Ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar hapjen e dy konsullatave të reja të Kosovës, një në Milano dhe një në Munih.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka thënë se gjatë këtij viti do të ketë zgjerim të rrjetit diplomatik dhe konsullor.

“Ne do të hapim Konsullatën në Munih të Gjermanisë dhe një në Milano të Italisë. Kështu ne do të ofrojmë shërbime konsullore në dy qendra shumë të mëdha, ku deri më sot ka munguar ofrimi i shërbimeve konsullore. Po ashtu, këto dy qendra janë ndër më të zhvilluarat në Gjermani dhe në Itali”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se këto konsullata do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik.

Ministri po ashtu ka thënë se në vitin që lamë pas, Kosova ka vazhduar forcimin dhe shtrirjen e shërbimit të jashtëm dhe se tashmë janë 22 misione diplomatike, 14 misione konsullore dhe katër konsullata të përgjithshme, tri prej të cilave janë funksionalizuar në vitin 2013: ajo në Strasburg, Stamboll dhe Gjenevë.

“Këto misione do të jenë në shërbim të mbrojtjes dhe të promovimit të interesave të qytetarëve të Kosovës. Brenda vitit 2013, në këto misione janë pajisur më shumë se 25 mijë shtetas të Kosovës me pasaportë, derisa rreth 15 mijë me letërnjoftim. Pas fillimit të aplikimit të regjimit të vizave, misioni ynë në Stamboll ka pajisur 620 shtetas të huaj me viza të Republikës së Kosovës. Të gjitha këto flasin për një punë të madhe që është bërë nga stafi i misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

0 comments:

Post a Comment