Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të mbajtur të hënën,
ka vendosur që këtë të enjte të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit, ku,
pas shtrimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta: koha për
deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare,
deputetët në këtë seancë do të ratifikojnë edhe dy marrëveshje
ndërkombëtare.
“Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për
Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së
Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë
qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive, si
dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua dhe financim
ndërmjet KFW Frankfurt Am Main, Republikës së Kosovës dhe Operatorit të
Sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSST, për përmirësimin e rrjetit të
transmisionit”, bën me dije Kryesia e Kuvendit përmes një komunikate për
media.
Në të njëjtën seancë, Kryesia njofton se deputetët do të
shqyrtojnë për herë të parë shtatë projektligje të tjera: Projektligjin
për shërbimin gjeologjik të Kosovës, Projektligjin për masat antidamping
dhe masat kundërbalancuese, Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma,
Projektligjin për Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij,
Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me
armë dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara
shtetërore për siguri, Projektligjin për armë, si dhe Projektligjin për
Inspektoratin e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.
“Duke e shqyrtuar kërkesën e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave
Publike për auditimin e raporteve financiare dhe raportit të deklarimit
financiar të fushatës të cilat dorëzohen nga subjektet politike në KQZ,
Kryesia e ka ngarkuar Administratën e Kuvendit të ndërmarrë veprimet e
nevojshme për të bërë thirrje të hapur për aplikim, për përzgjedhjen e
së paku 10 auditorëve të licencuar, të cilët do të auditojnë raportet
vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës së
subjekteve politike”, u tha në mbledhjen e Kryesisë.
Ndërkaq, në
bazë të njoftimit që ka marrë Kryesia për dorëheqjen e katër anëtarëve
nga Grupi Parlamentar “Ardhmëria e Përbashkët”, Kryesia ka konkluduar se
praktikisht nuk ekziston më ky grup parlamentar.
No comments:
Post a Comment