Mitrovicë, 27 janar(E plotësuar)Misioni Evropian për
Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, ka bërë me dije se të hënën gjatë
ditës, Oliver Ivanoviq është paraqitur vullnetarisht në Stacionin
Policor në Mitrovicën e Veriut, me marrëveshje paraprake në mes të një
prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) dhe
përfaqësuesit ligjor i Oliver Ivanoviqit.
“Prokurori pastaj ka zhvilluar një intervistë me Oliver Ivanoviqin, si i
dyshuar në një hetim për krime të luftës, së bashku me akuzat për
vrasje të rëndë të kryer pas konfliktit. Intervista ka përfunduar dhe
prokurori ka ekzekutuar urdhrin për arrestim, dhe është duke kërkuar nga
gjykata që të marrin në konsideratë kërkesën për paraburgim”, bën me
dije EULEX përmes një njoftimi për media, raporton Koha.net.
Aktualisht, siç njofton EULEX, kërkesa për paraburgim i është paraqitur
gjykatës “dhe kjo është e gjitha që mund të themi për momentin”.
SDP: Ivanoviq s’është arrestuar, i është përgjigjur ftesës së EULEX-it
Mitrovicë, 27 janar – (E plotësuar) Nga selia e
Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia’ (SDP) pohohet se
lideri i saj, “Oliver Ivanoviq nuk është arrestuar, por si një qytetar i
përgjegjshëm i është përgjigjur ftesës së EULEX-it për të dhënë
deklaratë”, thuhet në kumtesën për medie, transmetojnë mediet e
Beogradit.“Kjo ftesë absolutisht ka prapavijë politik e me qëllim të
krijimit të baraspeshës me arrestimet nga radhët e shqiptarëve”, vazhdon
komunikata, sipas të cilës kjo pa dyshim synon edhe krijimin e frikës
dhe të destabilitetit në gjithë komunitetin serb në Mitrovicë.
Është arrestuar Oliver Ivanoviq
Mitrovicë, 27 janar – Siç merr vesh korrespondenti i
“Kohës Ditore” në Mitrovicë, Policia e EULEX-it ka arrestuar sot Oliver
Ivanoviqin, kandidat për kryetar të Mitrovicës së veriut. Arrestimi,
siç konfirmojnë burime brenda partisë së tij, ai është arrestuar me
dyshime për vrasjet që ndodhën nga viti 1999-2000. Ai edhe më herët
ishte përmendur si një nga organizatorët ose pjesëmarrësit në këto
vrasje. Ndërkohë, agjencia serbe e lajmeve, Tanjug, por edhe media të
tjera serbe të Beogradit, raportojnë se Policia e EULEX-it e ka
arrestuar sot Oliver Ivanoviqin. Sipas këtyre burimi ai është arrestuar
në pjesën veriore të Mitrovicës.
Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, ia ka konfirmuar agjencisë serbe
të lajmeve, Tanjug, se është në zhvillim e sipër një aksion në pjesën
veriore të Mitrovicës, por nuk ka dhënë asnjë hollësi dhe as ka
përmendur ndonjë emër. Për këtë ajo ka paralajmëruar se do të ketë më
vonë një komunikatë, përmes të cilës do të jepen hollësitë se për çka
është fjala.
Oliver Ivanoviq është kryetar i Iniciativës Qytetare SDP (Slloboda,
Demokracija, Pravda – Liria, Demokracia, Drejtësia) dhe kandidat për
kryetar të Mitrovicës.
Siç bëhet e ditur jozyrtarisht, ai momentalisht është duke u marrë në
pyetje në bazën e EULEX-it në pjesën jugore të Mitrovicës.
No comments:
Post a Comment