Prishtinë, 5 janar - Ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar
hapjen e dy konsullatave të reja të Kosovës, një në Milano dhe një në
Munih.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka
thënë se gjatë këtij viti do të ketë zgjerim të rrjetit diplomatik dhe
konsullor.
“Ne do të hapim Konsullatën në Munih të Gjermanisë
dhe një në Milano të Italisë. Kështu ne do të ofrojmë shërbime
konsullore në dy qendra shumë të mëdha, ku deri më sot ka munguar ofrimi
i shërbimeve konsullore. Po ashtu, këto dy qendra janë ndër më të
zhvilluarat në Gjermani dhe në Itali”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se
këto konsullata do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në nxitjen e
bashkëpunimit ekonomik.
Ministri po ashtu ka thënë se në vitin
që lamë pas, Kosova ka vazhduar forcimin dhe shtrirjen e shërbimit të
jashtëm dhe se tashmë janë 22 misione diplomatike, 14 misione konsullore
dhe katër konsullata të përgjithshme, tri prej të cilave janë
funksionalizuar në vitin 2013: ajo në Strasburg, Stamboll dhe Gjenevë.
“Këto
misione do të jenë në shërbim të mbrojtjes dhe të promovimit të
interesave të qytetarëve të Kosovës. Brenda vitit 2013, në këto misione
janë pajisur më shumë se 25 mijë shtetas të Kosovës me pasaportë, derisa
rreth 15 mijë me letërnjoftim. Pas fillimit të aplikimit të regjimit të
vizave, misioni ynë në Stamboll ka pajisur 620 shtetas të huaj me viza
të Republikës së Kosovës. Të gjitha këto flasin për një punë të madhe që
është bërë nga stafi i misioneve diplomatike dhe konsullore të
Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
No comments:
Post a Comment