Në Maqedoni gjatë këtij viti do të mbahen zgjedhjet e rregullta
parlamentare, ndërsa debatet politike janë ndezur edhe për zgjedhje të
parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e rregullta presidenciale do të
mbahen gjatë muajit mars të këtij viti, kur edhe skadon mandati
pesëvjeçar i presidentit të deritanishëm Gjorgje Ivanov. Partitë
politike po zhvillojnë debatet e brendshme politike për kandidaturat
presidenciale. Deri tani asnjë nga partitë politike nuk ka bërë publike
emrin e kandidatit presidencial, edhe pse kanë mbetur edhe pak muaj para
zgjedhjeve.
Sipas INA-s, e cituar nga Time.al, partia maqedonase në pushtet
VMRO-DPMNE akoma nuk ka zbardhur emrin e kandidatit të mundshëm për
president, ndërsa janë pak gjasat për rikandidimin e presidentit aktual
Gjorgje Ivanov për një mandat të dytë. Kjo parti akoma nuk ka dhënë
ndonjë kandidaturë serioze.
Edhe partia opozitare LSDM nuk ka finalizuar emrin e kandidatit,
derisa në garën për të fituar nominimin brenda opozitës maqedonase kanë
qenë disa kandidatura, që janë matur përmes një sondazhi brendapartiak.
Në mesin e kandidatëve më të preferuar dhe votuar është Stevo
Pendarovski, profesor universitar dhe ish-këshilltar i lartë i
presidentit Boris Trajkovski dhe më pas Branko Cërvenkovski. Në garë
është edhe Denko Maleski, ish-ministri i jashtëm dhe profesor
universitar, i cili është i njohur edhe për origjinën e tij shqiptare.
Nga partitë shqiptare deri tani nuk ka asnjë kandidatë të shpallur.
BDI përmes liderit të saj ka kërkuar që të zgjedhjet një kandidat
koncensual mes partive shqiptare dhe maqedonase, duke qenë një figurë e
njohur dhe e pranueshme për të dyja komunitetet më të mëdha. Ahmeti nuk
ka bërë të ditur se kush mund të jetë një kandidat koncensual që do të
garojë për të fituar votën e maqedonasve dhe shqiptarëve.
Në PDSH gjithashtu nuk bëjnë të ditur për emrin e kandidatit, derisa
kjo parti jozyrtarisht ka disa kandidatura në radhët e kreut partiak dhe
profesorëve universitar që po shqyrton si opsion për të garuar në
zgjedhjet presidenciale. Me kandidatin e saj, kjo parti synon që të
peshojë votën e saj në radhët e elektoratit shqiptar.
RDK një parti e tretë pritet që të mos nxjerrë ndonjë emër për
kandidat presidencial, mirëpo kjo parti ka kërkuar që partitë shqiptare
të nxjerrin një kandidat të përbashkët në garën presidenciale.
Në kuadër të debateve politike janë aktuale edhe ato për zgjedhjet e
parakohshme parlamentare. Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla
Gruevski theksoi se nuk është i interesuar për zgjedhje të parakohshme,
por sipas tij, në rast se dikush i dëshiron ato, partia që drejton ai do
t`i hyjë kësaj gare.
Por nga ana tjetër, LSDM ka nënvizuar gatishmërinë për zgjedhje të
parakohshme, por duke kërkuar kushtet për pastrimin dhe verifikimin e
listave të votuesve, për shkak të dyshimeve për falsifikimin dhe
manipulimin e zgjedhjeve. Partitë shqiptare deri tani janë të rezervuara
për zgjedhje të parakohshme, mirëpo në anën tjetër ato po vazhdojnë
fushatën brenda anëtarësisë së saj për përgaditjet për këto zgjedhje të
mundshme
No comments:
Post a Comment