Ndonëse një vend i vogël me një sipërfaqe prej 10. 908
kilometrash katrorë, Kosova është vend, i cili mund të jetë një
destinacion turistik që ofron turizëm veror dhe dimëror. Rajoni qendror
turistik i Prishtinës, ai i Alpeve Shqiptare, rajoni turistik i
Sharrit, i Mitrovicës dhe ai i Anamoravës, konsiderohen si pesë rajonet
kryesore turistike në Kosovë.
Por, pavarësisht të gjitha këtyre resurseve të mjaftueshme turistike,
sipas njohësve të fushës së turizmit, ky potencial nuk ka arritur të
promovohet për faktin se institucionet e Kosovës nuk janë treguar të
organizuara karshi këtij sektori dhe shumë vende turistike kanë probleme
me infrastrukturë rrugore.
Investimet në shumë vende, ku konsiderohet se mund të zhvillohet turizmi, thonë ata, kanë munguar nga institucionet e Kosovës.
Zekë Çeku, ekspert i fushës së turizmit, është udhëheqës i Shoqatës
së Turizmit në Kosovë. Ai tregon se Kosova, ashtu si është, ofron vende
të jashtëzakonshme turistike, por këto vende duhet të promovohen.
“Kosova ka potenciale të mrekullueshme në të gjitha aspektet edhe
natyrore edhe kulturore, turizëm ka gjithandej Kosovës. Kemi turistë që
vijnë vazhdimisht, por problemi është se ne nuk jemi të organizuar si
duhet dhe bëjmë farë pak me prezantimin e Kosovës si destinacion
turistik në botë”, thotë Çeku.
Kosovën, thekson Çeku, krahasuar me vendet tjera të rajonit e dallon
mikpritja dhe shërbimi i mirë që iu bëhet turistëve. Brenda këtyre tre
vjetëve, sipas Çekut, ka pasur rritje të numrit të turistëve. Turistët
që vijnë në Kosovë janë më së shumti nga Britania e Madhe, Danimarka,
Japonia po ashtu edhe Kanadaja dhe Amerika. “Gjithashtu, është
trashëgimia kulturore që është në listën e organizatës botërore të
trashëgimisë botore, ka edhe objekte të tjera që meritojnë të jenë në
atë listë, por për fat të keq askush nuk interesohet që t’i përgatisë
ato, t’i prezantojë dhe të kërkojë pranimin që të hyjnë në atë listë të
trashëgimisë botërore”, thekson Çeku.
Përveç pesë rajoneve për turizmin malor, Kosova është e pasur dhe e
njohur edhe me atraksione të tjera turistike, siç janë: Gryka e Rugovës,
Burimi i Drinit të Bardhë, Ujëvara e Mirushës, një numër i
konsiderueshëm shpellash, duke veçuar Shpellën e Gadimes dhe
bifurkacionin e Lumit Nerodime.
Një vend mjaft atraktiv dhe i përshtatshëm për turizëm dimëror, është
kompleksi turistik Brezovica. Për këtë kompleks kanë filluar të
përshpejtohen procedurat për dhënien në shfrytëzim të autorizuar për 99
vjet me kontratë të koncesionit.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë hapjen e kërkesave për
shprehje të interesit dhe ka pranuar ofertat nga 5 kompani të
interesuara për këtë projekt.
Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi,
thotë se kjo ministri ka një plan strategjik për promovimin e turizmit,
por që deri tani nuk është bërë sa duhet për të promovuar këtë sektor.
“Nëse themi se është bërë mjaft në promovimin e turizmit, atëherë nuk
kemi të drejtë, mirëpo ka filluar dhe po vazhdon me një ritëm shumë më
të lartë të promovimit të Kosovës me potencialet e veta. Vetëm në vitin e
kaluar janë organizuar 13 konferenca për promovimin e investimeve në
Kosovë, duke përfshirë këtu edhe promovimin e turizmit”, deklaron
Istrefi.
Javë më parë, projekti “Majat e Ballkanit”, që përfshin organizata
lokale turistike në Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi në Abu Dhabi të
Emirateve të Bashkuara ka marrë çmimin ndërkombëtar, “Tourism for
Tomorrow”.
Pasuritë natyrore të Pejës në Kosovë, Plavës e Gucisë në Mal të Zi, të
Thethit e Valbonës në Shqipëri, me këtë çmim futen në hartën botërore të
turizmit. Prezantimi i këtyre aseteve natyrore kishte bindur jurinë
profesionale të forumit të kompanive lidere të turizmit, që vendi i parë
t’i takojë këtij projekti.
Zëdhënësi i komunës së Pejës, Arianit Demaj, thotë se marrja e këtij
çmimi tregon se Peja është një vend atraktiv për turizëm. “Ne besojmë se
ky projekt do të shërbejë si një bazë dhe udhërrëfyes për të gjithë
turistët që duan të vizitojnë Pejën, Rugovën dhe të gjitha bukuritë
tona, dhe atëherë me siguri në bazë të këtyre vizitave, do të tërheqin
investime të huaja", shprehet Demaj.

No comments:
Post a Comment