Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, as sivjet për Vit të Ri, nuk
do ta falë apo t’ia zbresë vitet e vuajtjes së dënimit ndonjë të
burgosuri. Jahjaga nuk e ka shfrytëzuar as sivjet mandatin e saj në
pajtim me nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës i cili jep të drejtë të
shpallë falje individuale në pajtim me ligjin. Por këtë të drejtë ajo do
ta bëjë në përvjetorin e gjashtë të Pavarësisë së Kosovës, siç ka bërë
edhe në dy vitet e kaluara.
“Presidentja e Republikës së Kosovës që prej dy vitesh ka vendosur
praktikën e faljes në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt. Kjo
praktikë do të të zbatohet edhe në vitin 2014, pasi të jenë kryer të
gjitha procedurat e parapara edhe me ligj edhe me akte të tjera
nënligjore që e rregullojnë institutin e faljes, si një e drejtë
ekskluzive e Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Arbër Vllahiu,
këshilltar për media i presidentes Jahjaga, shkruan Tribuna.
Si duket edhe të burgosurit tash janë mësuar me këtë traditë të
Presidentes. Shemsi Hajrizi, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit
Korrektues të Kosovës thotë se nuk kanë kërkuar që të përpilojnë ndonjë
listë për këtë qëllim pasi Presidentja Jahjaga nuk ka shpallur ndonjë
dekret për falje.
No comments:
Post a Comment