Prishtinë, 30 dhjetor - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha në
një intervistë për Zërin e Amerikës se bisedimet me Serbinë hapën rrugën
për të tejkaluar gjendjen e konfliktit të ngrirë në veriun e Kosovës.
Në intervistën dhënë korrespondentit të Zërit të Amerikës në Prishtinë,
Besim Abazi, presidentja Jahjaga flet edhe për sfidat tjera të Kosovës,
përfshirë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, Kosova po mbyll një vit që u
karakterizua nga bisedimet me Serbinë dhe zgjedhjet e para lokale që u
mbajtën në tërë Kosovën. Çfarë i sollën Kosovës këto dy procese?
Atifete Jahjaga: Kosova po e përmbyllë një vit dinamik në planin e
brendshëm dhe atë ndërkombëtar të zhvillimit të saj. Angazhimi ynë i
përbashkët këtë vit ishte të forcojmë më tutje subjektivitetin
ndërkombëtar të Kosovës në aspektin bilateral përmes njohjes së
pavarësisë së saj, dhe aspektin multilateral, duke synuar anëtarësimin e
Kosovës në organizata dhe mekanizma ndërkombëtar. Një energji e madhe u
kanalizua në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me
shtetin fqinj të Serbisë dhe në arritjen e zbatimin e marrëveshjes së 19
prillit që synon të rregullojë marrëdhëniet e komplikuara mes dy
shteteve tona, që është pengesë e dukshme edhe në rrugën individuale të
shteteve tona drejt anëtarësimit në BE, por edhe ushqen skepticizmin e
disa shteteve ndaj Republikës së Kosovës. Këtë vit, ne po ashtu bëmë
përparim sa i përket krijimit të kushteve për organizimin e zgjedhjeve
të para në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, zgjedhjeve
lokale, përmes të cilave krijuam kushtet për integrimin e komunitetit
serb në strukturat tona institucionale dhe shoqërore. Dhe përmes këtij
procesi arritëm të ruajmë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial
dhe arritëm të krijojmë kushtet për të hapur një dialog të mirëfilltë
brenda Kosovës me komunitetin serb që jeton në katër komunat veriore të
Kosovës duke ju ofruar mundësinë që të jenë pjesëmarrës në ndërtimin dhe
forcimin e shtetësisë tonë. Duhet të jemi pragmatik. Beogradi, përmes
strukturave ilegale në komunat veriore të Kosovës, ka mbajtur peng që
një dekadë e gjysmë qytetarët serbë dhe zhvillimin në atë pjesë të
vendit. Veprimet e Beogradit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm
stabilitetit të Kosovës duke e mbajtur në gjendje tensioni.
No comments:
Post a Comment