Gratë në Kosovë përballen me barriera nga më të ndryshmet, duke
filluar nga dhuna fizike, e deri te pozita jo e kënaqshme në
vendimmarrje, si në nivelin qendror, po ashtu edhe atë lokal, thonë
përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të
drejtave të grave. Barrierat në këtë fushë, sipas tyre, burojnë nga
mentaliteti patriarkal.
Sfidë në ngecjen edhe gjatë këtij viti, përmendet moszbatimi i ligjeve
për këtë çështje, të miratuara vite më parë në Kuvendin e Kosovës.
Viti 2013 ka sjellë disa përparime, por ka pasur shumë sfida në
përparimin dhe ngritjen e pozitës së gruas, konsideron Arieta Rexhaj,
nga Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore
Rexhaj thotë se që nga krijimi i institucioneve të Kosovës, janë
miratuar shumë ligje që kanë të bëjnë me barazi gjinore, por që nuk
zbatohen, e shqetësim, sipas saj, mbetet se nuk ka mekanizma që
monitorojnë këto shkelje.
“Duke filluar nga aspekti shoqëror, social, kulturor e deri te
pozitat vendimmarrëse, me të cilat jemi përballur gjatë gjithë kohës, me
atë pak numër të grave që kemi në pozita vendimmarrëse. Kjo, ngase
fuqizimi i gruas në politikë, ose në pozitat vendimmarrëse, është
parakusht për fuqizimin e gruas në të gjitha sferat e jetës”, thotë
Rexhaj.
Sidoqoftë, në Kosovë, ekziston Ligji për barazi gjinore, ligj ky i
cili obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në proceset
vendimmarrëse, por ato thonë se ky ligj nuk zbatohet ashtu siç
parashihet.
Në pozita vendimmarrëse në Kosovë është presidentja, një
zëvendëskryeministre, një ministre dhe tashmë së fundmi një kryetare
komune.
Luljeta Vuniqi, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për
Studime Gjinore, përveç se nuk është e kënaqur me pozitën e grave në
vendimmarrje në nivel qendror, ajo konsideron se zhgënjim i radhës kanë
qenë zgjedhjet komunale ku një numër i vogël i grave janë kandiduar nga
partitë politike.
“E qartë është se ne duhet të kemi vetëm një kryetar-e, mirëpo mund
të kemi më shumë ministre, kryetare të komunave. Faktikisht, zhgënjim i
radhës ka qenë në zgjedhjet e kaluara lokale, ku vetëm një numër i vogël
i grave u kandiduan nga partitë politike. Dhe, si rezultat, kemi një
kryetare të komunës”.
“Gjithsesi, është e rëndësishme që të kemi një kryetare e komunës dhe
të thyhet ajo barriera që ka mundësi që gratë të jenë udhëheqëse në
nivel komunal”, thekson Vuniqi.
Por, Arieta Rexhaj thotë se pozita e gruas është në nivel të duhur
vetëm ku ekzistojnë kuotat e obligueshme, siç është kuota prej 30 për
qind të grave në Kuvendin e Kosovës.
Kurse, në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, thotë ajo, nuk plotësohet 40 përqindëshi ashtu siç kërkohet me ligj.
“Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore do të vazhdojë edhe në vitin
2014, që të punojë konkretisht në rritjen dhe avancimin e barazisë
gjinore, në zbatimin e ligjit për barazi gjinore që të kemi gra, jo
vetëm të mbështetura në kuota, siç është kuota e 30 për qindëshit, por
të kemi kuotën dhe kualitetin në të gjitha institucionet dhe instancat e
Qeverisë së Kosovës”, shprehet Rexhaj.
Përveç moszbatimit të ligjeve, Luljeta Vuniqi përmend disa probleme që rëndojnë jetën e të qenët femër në Kosovë.
“Vazhdon dhuna ndaj gruas, vazhdon të jetë çështje dhe sfidë shumë e
madhe. Heqja dorë nga trashëgimia e vetë grave, si rezultat i normës
tradicionale, ku trashëgimtarë janë vetëm djemtë në familje".
"Gjithashtu, një sfidë shumë e madhe në nivel vendi, është niveli i
lartë i papunësisë. Gratë janë më të papuna dhe të më të paarsimuara në
Kosovë. Vazhdon ky trend negativ që shumëfish e rëndon jetën e grave dhe
vajzave të reja në Kosovë”, shton Vuniqi.
Dramatike sa i përket dhunës në familje, sipas Arjeta Rexhaj, janë
rastet e humbjes së jetës së grave nga dhuna që është ushtruar nga
bashkëshortët e tyre
No comments:
Post a Comment