Egot e mëdha, kërkesat e pamundura, droga dhe alkooli, vardisjet
në prapaskenë që Freddie Mercury ia bëri Bono Voxit, dhe shumë gjëra që
nuk i keni ditur për Live Aid, zbulohen në librin “The Eighties: One
Day, One Decade” (Të tetëdhjetat: Një ditë, një dekadë”), të Dylan
Jonesit.
Më 13 korrik 1985, gati dy miliardë njerëz (një e treta e
njerëzimit), e përcollën transmetimin direkt të koncertit Live Aid, për
mbledhjen e fondeve për të uriturit në Afrikë. “Vetëm” 72 mijë fatlumë
patën fatin të jenë në stadiumin Wembley. Jones ishte njëri nga ta...
Daily Mail ka publikuar pjesë të librit të tij të ri, në të
cilin ai kujton çmendurinë prapa skenave: nga promotorët të cilët
dëshironin ta detyrojnë NASA-n që Mick Jagger të lansohet në hapësirë, e
deri te Stevie Wonder, i cili refuzonte të jetë artisti “reprezentativ”
i zi.
“Atë të shtunë, më 13 korrik 1985, gjithkush u zgjua me të njëjtin
qëllim në mendje. Për disa muaj kemi biseduar për këtë. Ne ishim pjesë e
koncert më të madh të bamirësisë në botë, nën organizimin e Bob
Geldofit, rock-yllit në muzgun e karrierës së tij, i cili ishte i
tmerruar nga uria në Etiopi dhe i vendosur të bënte diçka për këtë”,
kujton Jones.
“Geldof u zgjua në shtatë të mëngjesit, me trazim në stomak. Mbrëmjen
e mëparshme (ai u shtri në ora dy të mëngjesit) kishte dy telefonata të
pakëndshme. Menaxheri i një grupi të madh amerikan kishte kërcënuar të
tërhiqej nëse performanca e tyre nuk do të merrte më shumë kohë në
skenë, ndërsa nga zyra e U2-së u tha se ky grup do të tërhiqej, sepse
nuk u ishte mundësuar prova e zërit. Përgjigja e Geldofit ishte: ‘Kush
ua...’”!
Para se të ngjitej në skenë, Bono kishte një ditë shumë emocionuese, për shkak të takimit me Freddie Mercuryn.
“Freddie më thirri mënjanë dhe tha: ‘O, Bono... A është Bo-No apo
Bon-O’? I thash ‘Bon-O’. Qëndroja me shpinë për muri e ai fliste me mua
sikur i vardisej një femre. Thash: ‘Ueh, ky tip është i dyshimtë’! Kur u
thash të tjerëve për takimin, ata më thanë: ‘Si nuk kupton, quhen Queen
(Mbretëresha)’. Por, në asnjë moment nuk më binte në mend se Freddie
është homoseksual”, kujton Bono.
Live Aid u organizua 19 javë rresht, ndërsa një nga arsyet që ka
shkaktuar aq shumë tronditje është... koha! Teorikisht, një koncert
bamirësie me Bon Dylanin, Elton Johnin, “Rolling Stones” dhe një nga
“The Beatles” është dashur të mbahet në vitet ’70-ta, e jo në vitet
egoiste të ’80-tave. Ishte kjo epoka e Ronald Reaganit dhe Margaret
Thatcheres (presidenti amerikan dhe kryeministrja britanike - v.j.), kur
forcat e marketingut vendosnin për gjithçka. Në këtë kontekst, Live Aid
ishte një kontrast pozitiv dhe një arsye të jetë therë në sy.
Ishte ditë e numrave. Koncerti në Londër u ndoq nga 72 mijë persona,
në Filadelfia nga 90 mijë persona. Dy miliardë të tjerë e ndiqnin
drejtpërdrejtë nga 500 milionë televizorë, përmes 14 satelitëve.
Atë ditë në Britani u mblodhën 11 milionë funte, në SHBA 54 milionë
dollarë. Pesëdhjetëmijë programe dhe 10 mijë posterë janë shitur para se
“Status Quo” të dilte në skenë. Totali i të ardhurave ka tejkaluar 50
milionë funte.
Çdo interpretues kishte pikërisht 18 minuta për interpretim. Në skenë
ka qenë një semafor, dhe kur ndizej drita e verdhë kjo paralajmëronte
se po kalon minuta e fundit. E kuqja nënkuptonte ndërprerjen e rrymës.
Në ora 11 arritën Princi Charles dhe Princesha Diana.
“Mendoj se Charles nuk donte të merrte pjesë në këtë ngjarje. Diana i
donte pop-yjet dhe gjithmonë flirtonte me ta. E kishit aty një
galaktikë të yjeve të rockut dhe Dianan si gruan më të njohur në planet.
Posa kuptova se po vjen, e dija se amerikanët do ta ndiqnin
transmetimin”, thotë Jones.
David Bailey ishte fotograf prapa skenave, një nga katër të tillë me lejekalimin magjik.
“Diana ishte e rafinuar, por larg një bukurosheje. Edhe për Charlesin
thuhej se ishte i pashëm, por edhe kjo teprohej”, thotë Bailey. “Diana,
pos kësaj, kishte flokë të tmerrshme që dukeshin si paruke dhe një
qëndrim të keq”.
David Bowie kishte planifikuar një duet tejoqeanik me Mick Jaggerin,
megjithatë nuk mund të përshtateshin në transmetimin e caktuar për
gjysmë sekonde. Atëherë Bowie donte ta bënte duetin ashtu që njëri të
jetë në Tokë e tjetri në anije kozmike.
“E thirra NASA-n. I pyeta nëse e kanë një raketë të lirë me të cilën
mund ta lansojmë Mick Jaggerin. Mbase kanë thënë. ‘Kush është ky i
çmendur’", thotë organizatori Harvey Goldsmith.
Për këtë ngjarje ishte vendimtare që në stadiumin Wembley të dilte së
paku një anëtar i “The Beatles”, ndërsa Paul McCartney ishte zgjedhja e
duhur. Ndonëse nuk kishte interpretuar live që nga vrasja e John
Lennonit pesë vite më parë, gjëja e vetme që mund ta kthente në skenë
ishte ky koncert.
“I shkrova McCartneyt në adresën e shtëpisë dhe e luta të këndojë
‘Let it Be’. ‘Nëse e bën këtë, tërë bota do të qajë’, i shkrova”, thotë
Geldof.
Por, Sting mendonte se zgjedhja e McCartneyt për këngë ishte e pazakontë.
“Ai këndoi ‘Let it Be’ (Le të jetë...), ndërsa esenca e koncertit
ishte të bëhet diçka, që gjërat të ndryshohen e jo të mbesin ashtu si
janë”, shpjegon Sting.

No comments:
Post a Comment