Në veri të Londrës është një nga lagjet më të varfra në vend, banorët e së cilës varen nga ndihma e ofruar nga Haringey Food Bank - organizatës bamirësie për shpërndarje të ushqimit për nevojtarët. Kjo organizatë tërheq vërejtjen se të varfrit dhe të uriturit po shtohen.
Kjo organizatë u dëbua nga zyrat e saj në një depo të cilën e ka marrë një kontraktor i ndërtimit, ndërsa tani shpërndan ushqim në vetëm dy vende për ata që janë buzë mbijetesës, e numri i të cilëve është dyfishuar në 12 muajt e fundit. Kështu, organizata mezi po mbijeton, për çka ua kanë ndërprerë telefonin fiks, ndërsa është pushuar nga puna personeli administrativ.
Pritet që më shumë njerëz do të bien nën kufirin e varfërisë, përfshirë urinë e plotë, pasi po ndihen pasojat e reformave të fundit sociale të qeverisë së David Cameronit. Për rezultatet negative të deritanishme të këtyre masave dëshmon fakti se në dy fitet e fundit është shtuar numri i të ashtuquajturave Banka të Ushqimit, e mbi të gjitha i atyre që kanë nevojë për ushqim.
Siç shkruan Guardian, kjo është "një shenjë e qartë e varfërisë në rritje në shoqëri", ndaj është ironike se si politikanët lëvdojnë këto Banka, derisa ata në pushtet refuzojnë ndonjë ndërlidhje të veprimtarisë së tyre me rritjen e varfërisë, gjë të cilën e ka përmendi edhe ministri i Mjedisit - Ed Davey.
Aktivistët humanitarë thonë se deklaratat e tilla janë “të patolerueshme” dhe se Britania e Madhe po shkon drejt modelit amerikan të ndihmës sociale: pra, që personat e rrezikuar socialë do të varen nga mëshira e të pasurve e jo institucionet shtetërore.
Vullnetarët në Bankat e Ushqimit janë ballafaquar me rritjen e kërkesës, kështu që përparësi kanë familjet me fëmijë dhe ata me moshën mbi 65 vjet. Kjo ka shkaktuar frustrime në mesin e të uriturve dhe tek ata që ndihmojnë, sepse shteti i la në mëshirën e fatit.
Vullnetarët, ndërkohë, shpenzojnë edhe paratë e tyre për të siguruar një sasi minimale të ushqimit për të varfrit, në rendet e gjata para Bankave të Ushqimit. Këto organizata humanitare janë ballafaquar edhe me probleme të mëdha logjistike, e më së shumti me çështjen nëse puna e tyre po zgjidhë problemet e mëdha sociale që kanë ndodhur gjatë viteve të krizës ekonomike, të rënduar edhe nga politika e kursimit nga e cila nuk heq dorë ministri i Financave George Osborne, edhe pse Britania ka përjetuar të ashtuquajturën krizë me fund të trefishtë. -->

No comments:
Post a Comment