BBC ka siguruar xhirimin dhe deklaratat e dëshmitarëve që kanë
të bëjnë me pohimet se ushtria siriane, gjatë bombardimit të qytetit
Saraqeb, ka përdorur armët kimike.
Siç raporton BBC, helikopterët më 29 prill kanë hedhur së paku dy
pajisje me gaz helmues në Saraqeb, në veriperëndim të vendit, gjatë
zjarrit artilerik nga pozicionet qeveritare.
Mjekët e spitalit lokal kanë thënë për BBC se kanë pranuar tetë
persona me probleme me frymëmarrje. Disa prej tyre vollën, ndërsa të
tjerët kishin bebëzat e ngushtuara.
Një nga gratë e helmuara, Maryam Khatib, më vonë vdiq. Djali i gruas
së vdekur, Mohammed, u mundua ta ndihmojë nënën, por u lëndua gjatë
sulmit.
“Ishte një erë e tmerrshme, na ngufaste. Nuk kemi mundur fare të
marrim frymë. Sikur donit të jeni të vdekur. Nuk keni mund as të shihni.
Nuk kam parë 3-4 ditë”, thotë ai për BBC.
Mjeku i cili e trajtoi nënën e tij tha se simptomat që ajo kishte,
ngjanin me helmimin organofosfatik, dhe se mostrat janë dërguar për
testim.
Video-pamjet e siguruara nga BBC paraqesin deklaratat e të
mbijetuarve të sulmit, por ky rrjet britanik nuk ka mundur ende të
konfirmojë vërtetësinë e tyre. Mostrat e mbledhura nga toka dhe të
viktimave të supozuara janë dërguar për analiza në Britani, Francë,
Turqi dhe Shtetet e Bashkuara.
Nëse deklaratat dhe incizimi dalin të sakta, kjo do të vërtetojë
raportimet e mëparshme se muajin e kaluar janë përdorur armët kimike në
Siri.
Qeveria siriane ka hedhur poshtë pretendimet se ka përdorur substanca
kimike, ndërsa Washingtoni ka kërcënuar se një zhvillim i tillë paraqet
tejkalim të "vijës së kuqe", që nënkupton fillimin e intervenimit të
jashtëm në Siri. Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, megjithatë ka thënë
se të dhënat e zbulimit amerikan për përdorimin e armëve kimike, nuk
ofrojnë prova të mjaftueshme se ato vërtet janë përdorur.
Për ta parë videon, klikoni këtu

No comments:
Post a Comment