Zyrtarët policor të Kosovës të sektorit të hetimeve kundër
krimit në Mitrovicë, si rezultat i mbledhjes së informatave operative
dhe zhvillimit të hetimeve intensive për persona të dyshuar të përfshirë
në vjedhje të rënda, kanë zbuluar llap-top dhe një televizor të
vjedhur.
Në kumtesën për media thuhet se hetuesit policor të stacionit jugu në
Mitrovicë, me sukses realizuan veprimet e tyre në kuadër të planit
“parandalimi i krimit”, duke siguruar të dhëna të mjaftueshme në
identifikimin e tre të dyshuarve të mundshëm, të përfshirë në kryerjen e
akteve të vjedhjeve të rënda në disa lokale, ndërsa ishin vjedhur, së
paku gjashtë llap-top kompjuter dhe pajisje tjera teknologjike.
“Të dyshuarit e identifikuar, janë treguar bashkëpunues me hetuesit
policor, ndërsa kanë pranuar aktet e kryerjes së vjedhjeve të rënda, në
disa lokale. Pajisjet e vjedhura janë shitur nga të dyshuarit në vende
të ndryshme”, thuhet në komunikatë.
Në procesin e vazhdueshëm të hetimeve, hetuesit policor kanë arritur
që të identifikojnë dhe sekuestrojnë: katër llap-top kompjuter të
vjedhura në dyqanin e pajisjeve elektronike në sheshin “Isa Boletini”,
dy javë më parë, si dhe një televizor plazma, të vjedhur në lokalet e TV
Mitrovica. Pajisjet e identifikuara janë gjetur dhe sekuestruar në
lokacione të ndryshme.
Provat materiale të gjetura dhe sekuestruara në këtë rast, janë
evidentuar nga hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës dhe të
njëjtat me autorizim të prokurorit, u janë dorëzuar pronarëve të
dëmtuar.

No comments:
Post a Comment