Si do të jetë harta e Ballkanit për brezat e ardhshëm? Projekti i
Shqipërisë së Madhe është vetëm një fantazi, pa asnjë bazë të shteteve
të rajonit, apo ekzistojnë vërtetë mundësitë që në të ardhmen të kemi
një shtet të madh shqiptar? Janë këto pyetjet që shtron autorja Radeta
Xhorxheviç në artikullin me titull “Shqipëria e Madhe po troket”, të
publikuar dje në median serbe “Veçernje Novosti”. Në artikull autorja
shpalosh opinionet e tre studiuesve, Dimitris Panatojakis, Dragan
Petroviç dhe Jadranka Poloviç sipas të cilëve, Shqipëria e Madhe
praktikisht po funksionon. Pyetja që shtron autorja është nëse do të
njihet formalisht ekzistenca e saj. I pari është i mendimit se Shqipëria
e madhe mund të bëhet realitet pa konflikte të mëdha, teksa shtetet e
rajonit varen në masë të madhe prej ndihmave nga jashtë, gjë që mund t’i
detyrojë të japin konsensusin për ekzistencën e saj. I dyti është i
mendimit se suksesi i faktorit shqiptar varet nga sa do të ndihen të
kërcënuara dhe mënyra si do reagojnë shtetet e tjera ndaj këtij
projekti: nëse Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia bashkëpunojnë dhe
përballen me këtë problem seriozisht me një qëndrim të përbashkët.Dragan Petroviç
Në opinionin e Doktor Dragan Petroviç, historian dhe politolog, i cili
sapo ka promovuar librin “Gjeopolitika e Mesdheut”, ideja e Shqipërisë
së Madhe nuk do të qe asgjë më tepër se një tendencë ekstremiste në rast
se pas saj të mos shtrihej mbështetja politike e Shteteve të Bashkuara
të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe e një pjese të mirë të Gjermanisë.
Ndërkohë që përmend edhe mbështetjen e qarqeve islamike botërore.
“Faktori shqiptar nuk do të kishte asnjë shans suksesi, në rast se
Beogradi, Podgorica bashkë me Shkupin e Athinën do të bashkëpunonin
strategjikisht përpara kësaj çështjeje, duke u mbështetur te fuqitë e
mëdha, të cilat nuk e pranojnë një veprim të tillë: Gjithë bashkësinë e
shteteve Bric, ashtu si dhe ato shtete të Bashkimit Evropian, të cilat
nuk i mbështesin koncepte kaq ekstremiste, siç janë Franca, Spanja,
Italia, Sllovakia, Rumania. Politika amerikane, sponsorizuesja kryesore e
revizionizmit shqiptar ka ndikim të fortë në vendet ballkanike dhe disa
prej qeverive po veprojnë drejtpërsëdrejti kundër interesave të veta
afatgjata”, nënvizon në artikull Petroviç. A nuk qenë qeveritë e
Podgoricës e të Shkupit ato që e njohën shtetin fantazmë të Kosovës,
ashtu si dhe zyrtarët e Beogradit në vitin 2008 bënë një seri gabimesh
të papranueshme në raport me Kosovën e Metohinë, madje duke vepruar
ndesh me Kushtetutën e tyre shton. – Më tej studiuesi shton se – nëse
nuk respekton Kushtetutën e vendit, mos prit respekt nga të tjerët”.
Dimitris Panatojakis
“Shqiptarët shpresojnë që ëndrra për Shqipërinë e Madhe të realizohet në
të ardhmen e afërt, në vitin 2016″, thotë Dimitris Panatojakis, analist
politik i “News”. Më tej nënvizon se Uashingtoni e Brukseli kanë
shpenzuar tashmë shuma të konsiderueshme parash për këtë qëllim dhe
s’kanë ndër mend që këto para t’u shkojnë dëm. Sipas analistit grek, pas
njohjes së Kosovës, projekti për Shqipërinë e Madhe është mbase edhe më
i realizueshëm se në fillim të Luftës së Dytë Botërore. “I
ashtuquajturi shteti kosovar e deklaroi pavarësinë nën kushtin se nuk i
njihet e drejta e bashkimit me një shtet tjetër. Gjithsesi është mëse e
qartë që bashkimi i provincës jugore të Serbisë me Shqipërinë është veç
çështje kohe. Kështu, kemi një komb të ndarë në dy shtete fqinje dhe
fuqitë e mëdha që kërkojnë unifikimin e tyre”, thotë Panatojakis.
Analisti grek shton se pas bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, skenari i
ngjarjeve pasuese është mëse i qartë: së pari, do të ngrihet çështja e
Perëndimit të Maqedonisë (FYROM) dhe pas saj, të rajoneve të tjera të
populluara nga shqiptarët. “Shqipëria e Madhe mund të mos jetë
zyrtarizuar ende, por praktikisht po funksionon, pasi kufijtë mes
Kosovës dhe Shqipërisë nuk ekzistojnë, ndërsa ai mes Kosovës dhe
ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë është më shumë imagjinar se sa
real”, thotë Panatojakis.
Eksperti grek sjell në vëmendje se territorit shqiptar, në Shqipërinë e
Madhe do t’i shtohet Kosova e Metohija, Lugina e Preshevës në jug të
Serbisë, pjesa perëndimore e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë,
pjesa jugore e lindore i Malit të Zi me Ulqinin si dhe territore të
tjera, si dhe Epiri i Jugut në Greqi, në një kohë që grekët nga ana e
tyre luajnë kartën e Epirit të Veriut, që ka një popullsi të dominuar
nga minoriteti grek. Shqiptarët thonë se gjithçka do japë rezultate
pozitive me kalimin e kohës.
Poloviç
“Vizita e Hilari Klinton në rajon vitin që shkoi (Bosnjë Hercegovinë,
Serbi, Kosovë, Shqipëri e Kroaci), përgjatë së cilës nuk kreu udhëtimin
në drejtim të Maqedonisë, për mendimin tim ishte një ‘dënim me vdekje’
për këtë shtet, të cilët më parë ushqenin ndjenja pozitive ndaj
Amerikës. Shqipëria e Madhe do ta nisë shtrirjen nga Maqedonia”, thotë
Jadranka Poloviç, politologe kroate, e cila ka mbrojtur doktoraturën me
një punë shkencore mbi ndikimin amerikan në rajon. Edhe Poloviç
konstaton gjithashtu se, kufiri mes Shqipërisë e Kosovës nuk ekziston,
ndërkohë që thotë se u beson krerëve të Lëvizjes Nacionaliste Shqiptare
sipas të cilëve, fuqitë e mëdha kanë rënë dakord për një hartë të re
gjeopolitike të Evropës, ku përfshihet Shqipëria e Madhe. “Mendoj se në
të ardhmen me shumë gjasa Serbia e Kroacia do ndajnë mes tyre Bonjë
Hercegovinën, por gjithsesi do të mbeten shtete të vogla krahasuar me
Shqipërinë e Madhe, e cila do të jetë nën ombrellën e Bashkimit
Evropian”, vazhdon Poloviç.
Studiuesja e sheh këtë rikonfigurim të Ballkanit të ndodhë pa
konflikte të mëdha (mbase pak rezistencë do të bëjnë Maqedonia e Greqia)
ndërkohë që shpjegon se Mali i Zi, Kosova e Maqedonia varen së tepërmi
nga ndihma dhe influenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas saj,
Beogradi, Shkupi, Podgorica e Athina do të japin konsensus të detyruar.
“Një rezultat i tillë nuk është aspak i papritur në një rajon ku
mbizotëron mentaliteti i të qënit nën mbrojtjen e fuqive të mëdha. Të
mëdhenjtë arrijnë të merrem vesh më së miri me njëri-tjetrin, ndërkohë
që ne të vegjëlve na mbeten mëritë e motivuara prej nacionalizmit”,
thotë Poloviç.
Paqësisht apo luftë?
Ndërkohë që nga ana e tij, Panatojakis është i mendimit se Shqipëria e
Madhe nuk mund të bëhet realitet përmes rrugëve demokratike. “Në Kosovë e
arritën qëllimin e tyre me luftë, ndërkohë që në FYROM mund ta arrijnë
përmes konflikteve të vogla. Por kur vjen fjala te Greqia, gjerat
ndryshojnë, pasi pavarësisht problemeve ekonomike, mbetet gjithnjë shtet
serioz e i fortë”, thotë Panatojakis. Analisti grek shprehet se lëvizja
për Shqipërinë Natyrale kërkon të lërë të kuptohet se rrugëtimi drejt
qëllimit përfundimtar do të bëhet përmes mjeteve demokratike, duke
shmangur termin “Shqipëria e Madhe”, që do të sillte për pasojë që
projekti i tyre të mos asocioohet me idenë fashiste të “Shqipërisë së
Madhe” të Luftës së Dytë Botërore. Por nga ana tjetër Panatojakis vëren
se u referohen gjithnjë e më shumë ushtarëve çlirimtarë si në Maqedoni,
ashtu edhe në Luginën e Preshevës. I pyetur nëse është i mundur bashkimi
paqësor i shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë, Kosovës e
jugut të Serbisë, Petroviç thotë: “Në rast se këto vende, viktima të
Shqipërisë së Madhe, të përgjumura e në disa raste, kukulla të
politikave amerikanë, pranojnë që kjo të ndodhë, do të thotë vetëvrasje.
Për këtë duhen shfrytëzuar zhvillimet multipolarëshe botërore, për të
dobësuar impaktin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe fuqive të
tjera, që mbështesin idenë e Shqipërisë së Madhe”.

No comments:
Post a Comment