Serbët e veriut tash e disa ditë kanë shtuar, siç thuhet, masat e
një kujdesi të posaçëm në lokacionet me rrezik potencial, duke bërë
kujdestari, sidomos në ato pika ku dikur patën vendosur barrikadat dhe
bllokuar rrugët. Këtë e konfirmojnë edhe liderët e serbëve të veriut, të
cilët kanë theksuar se masat e tilla i kanë ndërmarrë të ashtuquajturat
Shtabe të Krizave të katër komunave serbe në veri të Kosovës, pas
deklaratave të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës se me ndihmën e
partnerëve ndërkombëtarë do ta vendosin pushtetin edhe në veriun e
vendit.Lideri i serbëve të veriut Marko Jaksic i ka thënë Radios Evropa e
Lirë se kujdestari janë duke bërë qytetarët serbë të punësuar në
institucionet serbe, por edhe studentët, nxënësit si dhe qytetarët e
thjeshtë.
"Ajo që di unë është se pjesa më e madhe e atyre kujdestarive, para
së gjithash është përforcuar për shkak të deklaratave të kryeministrit
të Kosovës, Hashim Thaçi, që në veri të instalohet ligji dhe rendi".
"Në anën tjetër, rreth hapësirave ku përfundojnë kufijtë e komunave,
serbët kanë hetuar një numër të pjesëtarëve të njësitit ROSU, të cilët
megjithatë nuk kanë ardhur në veri të Kosovës, por janë duke qarkulluar
ngadalë rreth kufijve të komunave. Mendoj se këto janë arsyet pse serbët
më shumë se më parë kanë shtuar masat e kujdesit”, tha Jaksic.
Por, njohësi i rrethanave dhe zhvillimeve politike në veri të
Kosovës, Dragisa Kërstovic nga Leposaviqi, vlerëson se është e
pakuptueshme arsyeja e vendimit të liderëve serb të veriut që të ngritin
masat e kujdesit tek qytetarët.
Sipas tij, asgjë nuk ka ndodhur në veri më shumë se sa që ka qenë më
parë dhe nuk sheh arsye për ngritje të shqetësimeve nga ana e liderëve
serb të veriut.
Megjithatë, e gjithë kjo situatë, sipas tij, mund të komplikohet.
“Në çfarëdo rasti, situata mund të komplikohet, pavarësisht se nga
cila anë apo nga masat preventive të cilësdo anë. Nuk e di nëse një gjë e
tillë mund të jetë fare e mirë. më duket se një gjë e tillë nuk është
në përputhje me atë që po e bën Beogradi zyrtarë, përveç në qoftë se
ekziston ndonjë pajtim i heshtur, për të cilin opinioni nuk ka dijeni”,
tha Kërstovic.
Ndryshe, liderët e serbëve të veriut kanë bërë të ditur se lidhur me
drojën e tyre nuk i janë drejtuar pjesëtarëve të KFOR-it dhe as
EULEX-it, për shkak se, siç kanë thënë ata, serbët e veriut e kanë
humbur besimin në ta, duke pasur parasysh situatat nëpër të cilat kanë
kaluar gjatë 14 vjetët e fundit.
Jakshiq theksoi se serbët e veriut kanë vendosur, sipas tij, ta mbrojnë veten dhe pasurinë e tyre.
“Mendoj se serbët, me trupat e tyre, pa armë, do t’i mbrojnë shtëpitë
dhe familjet e tyre. Me siguri kjo kohë do të jetë edhe një testim edhe
për KFOR-in. me siguri se ky do të jetë edhe një test për qeverinë në
Beograd".
"Ajo për të cilën serbët e veriut kanë vërejtje është para së
gjithash, një numër i madh dhe i ndryshëm i deklaratave agresive të
kryeministrit të Kosovës se do të ballafaqohen me serbët dhunshëm, por
përgjigje adekuate nga Beogradi nuk ka”, tha Jaksic.
Ndryshe, Kërstovic, vlerëson se e gjithë kjo situatë në veri, ka ngjallur frikën e njerëzve atje.
“Në çfarëdo rasti, po ndodhë diçka që po nxitë brengosje tek
qytetarët dhe kjo e bën situatën e tensionuar që tek njerëzit krijon
frikë nga ndonjë konflikt i mundshëm, i cili do të ishte krejtësisht i
padëshirueshëm”, ka theksuar Kërstovic.
Sidoqoftë, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, kanë
theksuar se serbët e pranishëm në, si i quajnë ata, pikat e vrojtimit,
nuk do ta pengojnë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve, përveç në
rast se njësitet speciale të Policisë së Kosovës tentojnë të futen në
atë pjesë të vendit.

No comments:
Post a Comment