Në një ndeshje mjaft interesante, ku u shënuan pak pikë, kryeqytetasit e menaxhuan mjaft mirë lojën, duke shënuar fitore me meritë.
Çereku i parë i ka takuar ekipit verdh e zi, të cilin e mbylli me tri pikë përpara, 23:20.
Ndërkaq, në periudhën e dytë më të mirë ishin prishtinasit, të cilët shkuan në pushim prej 15 minutash me epërsi 4 pikëshe, 38:34.
Ekipi i trajnerit Kandemir e ruajti me kujdes epërsinë edhe në 10 minutëshin e tretë, pas të cilit rezultati në semafor shënonte 51:47.
Periudha e katërt ishte mjaft dramatike. Edmond Azemi me shokë e arritën avantazhin maksimal prej 8 pikësh, 55:47, por më pas hasën në një seri të pejanëve prej 7:0, duke u ngushtuar rezultati në vetëm një pikë, 55:54. Në vazhdim, të dyja palët tentuan të shënonin, por ishin të pasakta, kështu që fitorja u takoi prishtinasve.
Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, trofeu i Kupës së Kosovës i takoi Penzës nga Peja, e cila e mundi Sigal Prishtinën me rezultat 73:61.

No comments:
Post a Comment