Ambicia e Islandës
The Economist
Islanda ultraliberale dëshiron të ndalojë pornografinë e shpërndarë
përmes internetit. Ky është vetëm hapi i fundit në një listë të gjatë
masash që synojnë të eliminojnë përfundimisht industrinë e seksit.
Në vitin 2009, ky vend vendosi dënime me gjobë dhe burg për njerëzit që
përdorin shërbimet e prostitutave, (prostitutat konsiderohen viktima).Në vitin 2010, ishulli ndaloi klubet e striptizës. Në shkurt, qeveria
vendosi të hyjë në pisllëkun e internetit dhe publikoi idenë e ndalimit
të pornografisë së dhunshme apo degraduese, një togfjalësh që për disa
islandezë përfshin praktikisht shumicën e pornografisë.
Asnjë vend nuk ia ka dalë deri më sot të kontrollojë seksin komercial,
pavarësisht se disa vende kanë ndjekur rrugën e legalizimit dhe disa
vende të tjera, atë të kriminalizimit. Por nëpër të gjithë botën,
veçanërisht në demokracitë e pasura, politikbërësit po ndjekin me
vëmendje nëse Islanda do t’ia dalë në këto masa dhe mund të ndjekin
shembullin e saj në rast se eksperimenti del me sukses.
Propozimi i Islandës është në hapat e parë dhe mund të humbasë vëmendjen
pas zgjedhjeve që po zhvillohen sot (27 prill), zgjedhje ku qeveria
pritet të humbasë. Por planet e Islandës e fusin këtë vend në një
shoqëri të çuditshme. Në mënyrë të ngjashme, Arabia Saudite ndalon
klubet e striptizës, prostitucionin dhe pornografinë. Por ky vend ndalon
gjithashtu gratë që t’i japin makinës, i ndalon ato të udhëtojnë pa
lejen e mashkullit dhe kufizon të drejtën e tyre të votës. Në raportin e
vitit 2012 të Forumit Ekonomik Botëror “Hendeku Gjinor Global”, ku
krahasohet progresi drejt barazisë gjinore në 135 vende, Arabia Saudite u
rendit në vend të 131.
Islanda, gjithsesi është e vendosur pro grave. Gjysma e qeverisë dhe 25
nga 63 anëtarët e Parlamentit janë femra. Vendi drejtohet nga
Kryeministrja e parë publikisht lesbike e botës. Islanda është
gjithashtu pro seksit.
Supermarketet e saj shesin prezervativë dhe minivibratorë ngjitur me
kasat. Një film i ri për edukimin seksual informon adoleshentët se seksi
duhet të jetë diçka që ata duhet ta kërkojnë sërish. Rreth 65 për qind e
fëmijëve të Islandës kanë lindur jashtë martese, më shumë se në çdo
vend tjetër të OECD-së.
Martesa e seksit
të njëjtë ka qenë e ligjshme që nga viti 2010 dhe gejtë dhe lesbiket
mund të adoptojnë fëmijë. Kompania e fluturimeve “Icelandair” ka një
fushatë reklamash me sloganin “A doni një fundjavë të pistë në Islandë?”
Iniciativat e vendit kundër industrisë së seksit
kanë marrë hov nga një lëvizje e fuqishme feministe. “Lufta kundër
pornografisë në internet, veçanërisht ajo e llojit të dhunshëm, është
pjesë e një seti më të gjerë politikash për të mbrojtur fëmijët dhe për
të reduktuar dhunën seksuale”,
thotë Halla Gunnarsdottir, një këshilltare politike për ministrin e
Brendshëm, i cili propozoi ligjin. Por sa më shumë rritet ambicia e
Islandës në luftën e vet kundër industrisë së seksit, aq më pak sukses arrin të realizojë.
Pjesa më efektive e kësaj lufte ka qenë ndalimi i lokaleve të
striptizës. Vonë në vitet 1990 dhe në fillim të viteve 2000, rreth 15
klube të tilla qenë në punë, më së shumti rreth kryeqytetit Reikjavik,
ku dy të tretat e 322 mijë banorëve jetojnë. Striptiza qe një biznes
shumëmilionë dollarësh, thotë Helgi Gunlaugsson, një kriminolog në
Universitetin e Islandës. I shqetësuar mbi lidhjet me drogën dhe
prostitucionin dhe i bindur se një aktivitet i tillë dhunon të drejtat e
grave, Kolbrun Halldorsdottir, në atë kohë, anëtare e parlamentit,
propozoi ndalimin.
Vetëm dy klube vijojnë punën sot. Dhe asnjë prej tyre nuk mund të
cilësohet si një vend zhveshjeje. Në qendër të Reikjavikut,
“Luleshtrydhet” është sot një klub shampanje që u ofron zotërinjve një
botë fantazie me kërcimtare dhe qejf të nxehtë. Por një natë të enjteje
në mars, gjithsesi, vendi qe i boshatisur. Një vajzë që dukej e mërzitur
me reçipeta pink dhe me minifund e çizme argjendi qe ulur vetëm në një
cep. Të tjerat bënin thashetheme apo luanin me celularët. Kërcimet
private janë ende në ofertë, fillojnë nga 17 mijë krona të Islandës (144
dollarë) për 12 minuta dhe bashkë me verën dhe një orë spektakël çmimi
shkon në 70 mijë krona.
Pavarësisht çmimeve, gratë theksojnë se vetëm kërcimi është në ofertë.
Klubet operojnë nga ndërtesa me adresa të sakta dhe me tabela të
shndritshme, gjë që ndihmon policinë t’i gjejë më lehtë dhe t’i
kontrollojë më mirë.
Turpëroji
Prostitucioni ka rezultuar më i vështirë për policinë për t’u ndaluar.
Disa prostituta kërkojnë klientë nëpër kryqëzime. Shumë bëjnë reklamë
përmes faqeve të internetit të njohjeve të reja. Këto faqe interneti
këmbëngulin se i heqin përdoruesit e dyshimtë, por një ish-prostitutë e
Islandës thotë se sërish ky shërbim gjenden në internet. Eva (nuk është
emri i saj i vërtetë) thotë se punëtoret e seksit
i gjejnë klientët edhe përmes njohjeve personale. Në një vend të vogël
si Islanda, kjo mund të sjellë probleme më vete: një herë ajo mori një
kërkesë nga një burrë që për nga zëri ajo e njohu si xhaxhai i vet.
Deri më tani, gjykatat në Islandë kanë parë vetëm njëzet raste të
akuzave për prostitucion. Shumica u mbyllën me dënim. Por emrat e disave
prej atyre të gjetur fajtorë mbahen anonimë. Penalitetet janë të lehta,
kështu që poshtërimi i publikimit mund të shërbejë si një pengesë
shtesë, veçanërisht në Islandën e vogël. Sipas Evës, ligji mund të bëjë
punë vetëm në rast se meshkujt kuptojnë se emrat e tyre do të bëhen
publikë.
Edhe policia pranon se ligji mund të zbatohet më mirë. Por ata nuk kanë
para dhe staf të mjaftueshëm, thotë Sigridur Hjaltested, një
ndihmësprokurore në njësinë për krimet e seksit
në policinë e Reikjavikut. Për këtë arsye ata përqendrohen në hetimin e
rasteve të përdhunimit dhe të abuzimit seksual me fëmijët.
Gudron Jonsdottir, kreu i qendrës që ofron mbështetje për viktimat e dhunës seksuale,
është skeptike. Ajo argumenton se policia vendos se ku t’i drejtojë
burimet dhe mendon se mungesa e zbatimit të ligjit është vetëm çështje
zgjedhjeje.
Përkufizoje
Rregullimi i pornografisë është më i vështiri nga të gjitha, Shpërndarja
dhe shitja e tij ka qenë ilegal në Islandë që nga viti 1869. Thyerja e
ligjit është teorikisht e dënueshme me gjobë deri në gjashtë muaj burg.
Në realitet, tri minuta në këmbë larg stacionit kryesor të policisë së
Reikjavikut, dy dyqane seksi shesin një pafundësi filmash dhe revistash,
nga “Spanish Schoolgirls 2” te “Tranny-Condas”. Asnjë nga dyqanet nuk
ka hasur asnjë problem. Njësoj si me prostitutat, mungesa e zbatimit
është pjesë e mungesës së parave dhe se burimet janë të kufizuara.
Shumica e kapacitetit përdoret për të hetuar pornografinë e fëmijëve.
Ndalimi i materialeve të paturpshme në internet, thonë mbështetësit,
është një zgjatim natyror i legjislacionit aktual. Pak njerëz blejnë
materiale agresive në dorë. Shqetësimi kryesor i qeverisë është pornografia
e dhunshme, thotë Gunnarsdottir, dhe dëshiron që ligji ta reflektojë
këtë shqetësim. Për këtë, gjithsesi, një përkufizim i qartë i
pornografisë është i nevojshëm.
Ky përkufizim duhet të përfshijë përshkrimin e akteve seksuale
të dhunshme apo degraduese, thotë Robert Spano, dekan i fakultetit të
Drejtësisë në Universitetin e Islandës. Ai drejton gjithashtu komitetin
për ligjin penal të Ministrisë së Brendshme të Islandës, institucioni që
punon për ridefinimin e konceptit të pornografisë me synimin e mendimit
të kodit penal. Ai citon Norvegjinë, e cila ndalon seksin që përfshin
dhunë, si një model i mundshëm.
Cilido qoftë përkufizimi, një ndalim do të jetë ligjërisht i dyshimtë,
teknikisht i pamundur dhe infektiv, argumenton Smari McCarthy, drejtor
ekzekutiv i Institutit Ndërkombëtar të Medias Moderne, një grup lobues.
Në një letër të hapur për Ogmundur Jonasson, ministri i Brendshëm, ai
dhe kundërshtarë të tjerë krahasuan ndalimin e pornografisë në internet
me represionin në Kinë, Iran dhe në Korenë e Veriut. Kushtetuta e
Islandës e ndalon censurën, argumenton McCarthy. Spano kundërpërgjigjet
duke thënë se Kushtetuta lejon nga ana tjetër qeverinë të “ruajë moralin
publik”. Mbështetësit argumentojnë se aktualisht ka limite për lirinë e
fjalës kur vjen puna te pornografia e fëmijëve apo gjuha e urrejtjes. E pse, thonë ato, nuk mundemi të ndalojmë pornografinë e dhunshme?
Një ndalim do të jetë i vështirë si nga pikëpamja filozofike ashtu edhe
nga pikëpamja praktike. A mundet që dhuna t’i referohet vetëm asaj që
ndodh gjatë filmimit apo vetëm asaj që audienca sheh më pas?, pyet
Hildur Sverrisdottir, një anëtare e këshillit të qytetit të Reikjavikut
dhe autor i një libri mbi fantazitë seksuale të grave. Çfarë është më keq, pyet ajo: pornoja jo e dhunshme që paraqet një grua të droguar apo të trafikuar apo pornografia
sadiste agresive e performuar me vullnet të lirë? Qeveria do të duhet
të vendosë nëse është më shumë e shqetësuar për të drejtat e aktoreve
porno, apo ato të grave të tjera, të cilat kanë nevojë për mbrojtje nga
burrat që përdorin pornografinë.
Krijimi i një liste të zezë për faqet e internetit porno, siç kanë
vepruar Danimarka dhe Australia, rrezikon ndalimin e faqeve të
internetit të pafajshme. Lista e Danimarkës, e cila u publikua më 2008
nga organizata “Wikileaks”, përfshinte faqe interneti jopornografike që
qenë ndaluar gabimisht. Një listë kombëtare e bardhë ku të përfshihen
vetëm faqet e lejuara, ka gjithashtu pak gjasa të funksionojë në
realitet. Dhe ndalimi i blerjes së pornografisë në internet duke
kufizuar përdorimin e kartave të kreditit në faqe të caktuara duket se
nuk funksionon. Shumë pornografi është e disponueshme falas.
Zbatimi i një ndalimi mund të jetë i vështirë në vetvete, por pyetja
është nëse ia vlen një masë e tillë. Anekdotat janë të bollshme mbi
dëmin që mund të shkaktojë pornografia.
Thorbjorg Sveinsdottir nga shtëpia e fëmijëve, qendra e Islandës për
fëmijët e abuzuar seksualisht, thotë se fëmijët që kanë parë pornografi
kanë simptoma të ngjashme me ato që janë sulmuar.
Sigthrudur Gudmundsdottir, menaxhere e strehës për gratë e abuzuara në
Reikjavik vëren se gratë gjithnjë e më shumë akuzojnë si përgjegjëse për
dhunën ndaj së cilës i janë nënshtruar, përdorimit të pornografisë nga
bashkëshortët e tyre. Hjaltested, ndihmësprokurorja, thotë se policia po
sheh gjithnjë e më shumë përdhunime që duket se janë frymëzuar nga pornografia: “Është një imitim pikë për pikë nga pornot agresive”.
Provat, gjithsesi mungojnë. Kërkimet e kryera nga Neil Malamuth, një
profesor i psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos,
tregojnë se shikimi i pornografisë kontribuon për rritjen e rrezikut të
sjelljes së dhunshme, por vetëm mes burrave që sakaq kanë predispozim
drejt agresionit seksual dhe kur shohin porno me tepri. Me fjalë të
tjera, pornografia nuk i kthen njerëzit e zakonshëm në përdhunues.
Studime në Amerikë, Danimarkë, Gjermani dhe Suedi në vitet 1970 dhe 1980
dhe më vonë, në Kinë, Finlandë dhe Japoni, tregojnë se ndërsa pornografia bëhet gjithnjë e më lehtësisht e gjetshme, numri i përdhunimeve qëndron stabël apo ulet.
Megjithatë është e vështirë të nxjerrësh konkluzione përfundimtare mbi
efektin e pornografisë në vende të ndryshme, thotë Malamuth, për shkak
se ka shumë variabla. Simon Louis Lajeunesse nga Universiteti i
Montrealit studion rolin e pornografisë në jetët e meshkujve dhe se si
ndikon pornografia në përqasjet e tyre ndaj seksit.
Ai thotë se gjysma e studimeve që ai ka analizuar dalin në konkluzionin
se këndvështrimet e meshkujve ndryshojnë pasi shohin pornografi, ndërsa
gjysma tjetër thonë se nuk ndryshojnë. Ndërsa hartonte kërkimin e tij,
ai u përpoq të gjente se sa i gjithëpërhapur qe pornografia dhe pyeti në universitet për vullnetarë meshkuj, të cilët duhej të kishin parë ndonjëherë. Dhe ai nuk gjeti asnjë.
Dëmi i pornografisë agresive
Askush nuk mund të provojë se pornografia e dhunshme sjell dhunë seksuale,
pranon zonja Gunnarsdottir. “Por ne nuk mund të provojmë as të
kundërtën”, shton ajo. Nëse policia dhe ata që punojnë me viktimat e
dhunës seksuale janë të bindur për lidhjen, thotë ajo, “kjo është e mjaftueshme për të bindur qeverinë të veprojë”.
Kundërshtarët thonë se qeveria mund të bëjë më mirë po të fokusohet në përmirësimin e edukatës seksuale.
Islanda është një ishull i vogël dhe i nënshtruar ndaj ligjit. Është e
vështirë të mendosh se në një demokraci liberale ndalimi i industrisë së
seksit mund
të jetë më i lehtë se këtu. Megjithatë, ndalimi me sukses mund të vijë
me kosto të stërmëdha përkundrejt një përfitimi të pasigurt.
Asnjë vend nuk ia ka dalë deri më sot të kontrollojë seksin komercial,
pavarësisht se disa vende kanë ndjekur rrugën e legalizimit dhe disa
vende të tjera, atë të kriminalizimit
Lufta kundër pornografisë në internet, veçanërisht ajo e llojit të
dhunshëm, është pjesë e një seti më të gjerë politikash për të mbrojtur
fëmijët dhe për të reduktuar dhunën seksuale
Studime në Amerikë, Danimarkë, Gjermani dhe Suedi në vitet 1970 dhe
1980, dhe më vonë, në Kinë, Finlandë dhe Japoni, tregojnë se ndërsa pornografia bëhet gjithnjë e më lehtësisht e gjetshme, numri i përdhunimeve qëndron stabël apo ulet

No comments:
Post a Comment