Formës së mirë të Majlinda Kelmendit nuk i duket fundi. Kështu ka
raportuar për suksesin e fundit të xhudistes kosovare, kanali i njohur
televiziv i lajmeve “Euronews”.
Kelmendi, 21-vjeçare, të shtunën e fitoi medaljen e artë në turneun
“Grand Prix” që u mbajt në Samsun të Turqisë. Ajo triumfoi në kategorinë
deri 52 kilogramë, ndërsa luftën finale e përfundoi për vetëm 75
sekonda. Në finale me “Ippon” mposhti gjermanen Mareen Kraeh. Deri në
finale, xhudistja pejane mposhti rusen Natalia Kuziutina, mongolezen
Tsolmon Adiyasambuu dhe turken Deya Cibir. Kosovares Majlinda Kelmendi
iu deshën vetëm një minutë e 15 sekonda për të gjetur ‘Ipoonin’ kundër
gjermanes Kraeh. “Forma e mirë e Kelmendit nuk tregon shenja të
përfundimit”, ka raportuar “Euronews”, të dielën.
Sajti “insidethegames” ka vlerësuar se Kelmendi ishte yll i ditës së
parë të garave në Samsun. Ky turne u zhvillua të shtunën e të dielën.
Ndërkohë, sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), ka
shkruar se Kelmendi po vazhdon me formë shkëlqyeshme.
Suksesi i fundit i sportistes më të mirë kosovare vjen pas vendit të
dytë në turneun “Grand Slam” të Parisit dhe vendit të parë në turneun
“Grand Prix” të Duesseldorfit. Këta turne janë mbajtur gjatë muajit
shkurt.
“Majlinda Kelmendi (KOS) arriti në finalen e saj të tretë rresht në
‘xhiron botërore të xhudos’. Ajo vazhdoi formën e shkëlqyeshme që i
mundësoi të fitonte medaljen e argjendtë në Paris dhe të artën në
Duesseldorf. E pandalshmja Kelmendi arriti fitore kundër Kraehit me
‘Ippon’ për vetëm 75 sekonda”, ka shkruar IJF-ja.
Me triumfin në Turqi, Kelmendi fitoi 300 pikë që i mundësojnë të ngrihet
në pozitën e parë të ranglistës botërore në kategorinë deri 52 kg. Në
Samsun garoi edhe Nora Gjakova që doli e pesta në kategorinë deri 57 kg.
No comments:
Post a Comment