Sunday, April 21, 2013

E pyesin Dacicin: A të merr gjumi natën? (Video)

Grupet e qytetarëve kanë përdorur maratonën e Beogradit dhe praninë e kryeministrit serb Ivica Dacic për të shprehur pakënaqësinë me propozimin e marrëveshjes në Bruksel për veriun e Kosovës

Në fillim të ngjarjes sportive, një grup brohoriste “Tradhti, tradhti", ndërsa në fund disa nga ta vrapuan në cak me pankartën ku shkruante: “Nuk do ta japim Kosovën”.
Njoftimin e pjesëmarrësve në maratonë, e ndërpreu mesazhi “U tradhtua Kosova”, ndërsa nga një ndërtesë afër u lëshua një pano me të njëjtën fjali. Serbët akuzonin Dacicin, pranë të cilit ishte përfaqësuesi i BE-së në Beograd, Vincent Degert, dhe promotori i maratonës - Karl Lewis. Policia ka ndërhyrë duke hequr ato parulla nga ndërtesa.
Pastaj, një serb, për të cilin lëvizja “Nasi” thotë se është anëtar i tyre, Marko N., e ka pyetur Dacicin “se a mund të fle”, në çka Dacici iu përgjigj me “po”!
"A do t’ju pëlqente më shumë t’i dëbojnë (serbët e Kosovës), e pastaj t’i vajtojmë. Ju doni t’i dëbojnë, e të qani për ta. Ti e do Serbinë më shumë se unë?”, e pyeti Dacici qytetarin e pakënaqur.
Kryeministri serb tha se do të bëjë gjithçka për të shpëtuar serbët në Kosovës, ndërsa në pyetjen nëse Kuvendi i Serbisë mund ta pranojë atë marrëveshje të parafiruar, ai u përgjigj pozitivisht.
"Nëse Kuvendi mendon ndryshe, në qoftë se njerëzit mendojnë ndryshe, le të jetë ashtu”, tha Dacici.
Në fund të bisedës Dacici i tha Tanjugut se ishte i kënaqur që ai qytetar "ia tha në fytyrë se çka mendon". Ndërsa, për Blic tha se ky nuk është vend për debate politike, por aktivitete sportive.

0 comments:

Post a Comment